Ndërlidhjet

KOSUMI:”FATIN E KOSOVËS NUK MUND TA LËMË NË PRANIMIN APO MOSPRANIMIN E RUSISË”


Bajram KOSUMI, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Aktualisht, në Këshillin e Sigurimit është duke u biseduar për nxjerrjen për miratim të rezolutës, lidhur me Kosovën. Andaj, fillimisht, si i shihni këto zhvillime dhe raportet ndërmjet fuqive të mëdha, lidhur me këtë rezolutë?

BAJRAM KOSUMI
Është fakt, që procesi i krijimit të shtetit të Kosovës ka hasur në vështirësi serioze, për shkak të qëndrimit, të njohur tashmë, të Rusisë. Diskutimi në Këshillin e Sigurimit sigurisht do të rezultojë me një tekst të ri të rezolutës, i ndryshëm nga teksti i parë që është bërë dhe që është proceduar joformalisht në Këshillin e Sigurimit. Ajo që presim ne dhe shpresojmë që do të ndodhë, është që teksti i ri i rezolutës të mos dallojë substancialisht nga teksti i parë i rezolutës, dhe sidomos të mos e lë me ekuivoke mundësinë e hapur për Kosovën, por ta lë në mënyrë shumë të qartë, që Kosova edhe formalisht të bëhet shtet i pavarur dhe sovran. Dhe e dyta, rezoluta e re të mos lë mundësi të prekjes apo të ndryshimit eventual të dokumentit të Ahtisaarit, në kuptimin e ofrimit të zgjidhjeve të reja, që në fakt kanë për qëllim defunksionalizimin dhe vështirësimin e funksionimit të shtetit të ardhshëm të Kosovës. Kur e them këtë, kam parasysh gjithnjë qëndrimin e Rusisë, diplomacia e së cilës, gjoja në emër të të drejtave të komunitetit serb, po kërkon që të gjenden zgjidhje të reja. E në fakt, komuniteti serb në Kosovë, me dokumentin e Ahtisaarit, ka fituar një varg të tërë të lirive dhe të drejtave, që nuk i ka asnjë komunitet në Evropë. Dhe, Rusia po dëshiron që në emër të komunitetit serb, në fakt, të ofrojë zgjidhje që e defunksionalizojnë pushtetin dhe shtetin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, është paraqitur si opsion edhe çështja e moratoriumit, anëtarësimi i Kosovës në organizatën ndërkombëtare, përfshirë edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Sa do të jenë të pranueshme për Prishtinën kompromiset e tilla?

BAJRAM KOSUMI
Për ne është e rëndësishme, që të mos ofrohen zgjidhje të njëanshme, sepse shqiptarët nuk do të pranonin zgjidhje të tilla, zgjidhje të njëanshme në çështjen e funksionimit të shtetit dhe në çështjen e krijimit dhe njohjes formale të shtetit të Kosovës, do të thotë duke përfshirë edhe sovranitetin. Çështja e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe OKB-së është e rregulluar me rregullat dhe ligjet e OKB-së. Është çështje e marrëdhënies së një shteti me OKB-në. Këtu ka përvoja të ndryshme, ka shtete që sapo janë krijuar dhe janë anëtarësuar në OKB, ka shtete që 800 vjet nuk kanë qenë anëtare të OKB-së. Zvicra është bërë pas 800 vjetëve anëtare e OKB-së dhe nuk ka pasur kurrfarë interesi të jetë anëtare e OKB-së. Nuk mendoj se kjo është çështja më thelbësore.

RADIO EVROPA E LIRË
Mirëpo, sa do të jetë thelbësore çështja e zvarritjes eventuale e nxjerrjes së rezolutës së re?

BAJRAM KOSUMI
Çështja e zvarritjes me të drejtë konsiderohet çështje substanciale në definimin e statusit final të Kosovës, sepse gjithçka në Kosovë ka mbetur peng i vendimit për statusin final. Çdo zvarritje e rrezikon në substancë vetë procesin. Ndoshta ka qenë gabim loja që është bërë muajve të fundit me përmendjen e datave prej politikanëve tanë, prej anëtarëve të Grupit të Unitetit etj. Por, përafërsisht ekziston një disponim i përgjithshëm, që nuk mund të flitet për ditë e javë për vendimin për status final, sepse fundja, nuk varet prej nesh, nuk varet prej palës kosovare. Nuk mund ta dinë as anëtarët e Këshillit të Sigurimit saktësisht ditën, orën, derisa të bëhen të gjitha përgatitjet. Do të thotë, një zvarritje që nënkupton disa muaj, mund të jetë e tejkalueshme, mund të përballemi me të. Por, gjithsesi, brenda këtij viti do të përfundojë vendimi për statusin final.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat mund të jenë alternativat lidhur me zgjidhjen e statusit të Kosovës, marrjes së vendimit për statusin, në rast të bllokadës së nxjerrjes së rezolutës së re në Këshillin e Sigurimit?

BAJRAM KOSUMI
Ne do të dëshironim, ashtu sikurse edhe shumica e vendeve të Grupit të Kontaktit, që vendimi për statusin të jetë pas një rezolute të miratuar në Këshillin e Sigurimit. Por, nëse ka probleme serioze dhe nëse shohim se procesi po dëmtohet në thelb, dhe nuk miratohet rezoluta, atëherë Kosova, institucionet e Kosovës me Grupin e Unitetit dhe me pjesën e bashkësisë ndërkombëtare që dëshiron ta ndihmojë Kosovën, do t’i bëjnë hapat vetë; do ta shpallim edhe formalisht bërjen e shtetit të Kosovës dhe do të kërkojmë njohjen e këtij shteti prej shteteve të tjera, do të kërkojmë prej miqve tanë të na ndihmojnë që të inkuadrohemi në institucione ndërkombëtare. Por, dua të them, shumë i bindur, se fatin e popullit të Kosovës nuk mund ta lëmë në pranimin apo mospranimin e Rusisë për rezolutë. Do të dëshironim që Rusia të jetë pjesë e procesit, e rezolutës, por nëse Rusia nuk dëshiron të jetë pjesë e procesit paqësor, e progresit, atëherë populli i Kosovës do të ecë përpara dhe do të marrë përgjegjësitë mbi vete.

INTERVISTOI: ZIJADIN GASHI
XS
SM
MD
LG