Ndërlidhjet

REINARD: PJESË TË REZOLUTËS 1244 MUND TË MBESIN NË REZOLUTËN E RE


Albana Isufi

Teksti i rezolutës, që Franca pritet ta paraqesë të premten para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, ka pësuar modifikime nga ai i mëparshmi dhe këto ndryshime kanë të bëjnë me pakon e Ahtisaarit. Po ashtu, në rezolutë mund të mbesin pjesë të 1244-shit. Kështu i ka pohuar Radios Evropa e Lirë shefi i Zyrës Franceze në Prishtinë, Tierry Reinard. "Teksti që do të paraqitet nesër në Këshillin e Sigurimit para 15 vendeve anëtare i ka disa modifikime nga drafti i kaluar, që ka qarkulluar më 11 maj. Modifikimet më të mëdha kanë të bëjnë me planin e Ahtisaarit. Tani, po themi se e përkrahim këtë plan, përderisa në tekstin e mëhershëm ka qenë që Këshilli i Sigurimit e aprovon planin e Ahtisaarit. Pra, referenca për planin e Ahtisaarit është pak më e lehtë, sesa që ka qenë në tekstin e mëhershëm. Pra, e shihni se në të vërtetë janë modifikime minore", u shpreh Reinard. Ndërkohë, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës thonë se nuk janë të informuar për ndryshimet e tekstit të rezolutës. Kryeministri Agim Çeku beson që edhe nëse ka, ndryshimet do të jenë të pavërejtshme. "Nuk jemi të njoftuar. Unë u kam bërë pyetje zyrtarëve të caktuar lidhur me këtë, ata më kanë siguruar se nëse do të ketë ndryshime, ato do të jenë kozmetike dhe assesi nuk do të prekin substancën e propozimit të Ahtisaarit", tha Çeku. Anëtari i Ekipit të Unitetit, Veton Surroi, thotë se çdo ndryshim i pakos së Ahtisaarit nuk mund të jetë i zbatueshëm në Kosovë. Ai thotë se kjo fazë, në të cilën po diskutohet rezoluta për Kosovën, nuk është e lehtë. "Tash kemi diçka në letër, si draft. Do të jetë një fazë shumë e vështirë, do të kërkojë shumë bisedë mes aktorëve kryesorë. Ajo, çka na përket neve si Kosovë, është që të kërkojmë që rezoluta të jetë eksplicite, të kërkojmë edhe të tregojmë, jo për shkak të ndonjë inati apo për kërcënim, por të themi se çfarëdo ndryshimi i pakos së Ahtisaarit e bën pakon të paaplikueshme në Kosovë", ka theksuar Surroi. Ndërkohë, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës presin që rezoluta e re të zhvleftësojë 1244-shin, shefi i Zyrës Franceze në Prishtinë, Tierry Reinard, nuk përjashton mundësinë që pjesë të 1244-shit të përfshihen në rezolutën e re. "Ne, edhe më tej, duam që të mbetet një pjesë e Rezolutës 1244, dhe më pas pjesët që nuk janë të përfshira në draft-rezolutë, të anulohen. Por, kjo edhe më tej do të mbetet çështje e debatit", ka thënë Reinard. Por, kryeministri Çeku është i bindur, se një rezolutë e re do të anulojë në tërësi 1244-shin. "Nëse do të kemi rezolutë të re që do të ketë numër 1245, automatikisht 1244-shi nuk do të jetë më në fuqi", tha Çeku. Ngjashëm, deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Ramë Buja, thotë se mbetja edhe më tej në fuqi e Rezolutës 1244, vetëm sa do të prodhojë krizë. "Nëse kjo vazhdon, zgjatet e stërzgjatet, kjo kohë do të krijojë krizë në Kosovë. Dhe, kjo krizë do të jetë dhuratë për ata që kanë prirje për të krijuar, gjeneruar dhe ekzagjeruar këto gjëra. Andaj, ne nuk do të kishim dëshiruar, që faktori relevant ndërkombëtar të veprojë ashtu siç nuk do të ishte mirë, për ta dhe për Kosovën", është shprehur Buja. Megjithatë, Reinard thotë se në qarqet ndërkombëtare edhe më tej po kërkohet kompromisi mes perëndimit dhe Rusisë, përfshirë këtu edhe mbetjen e ndonjë pjese të Rezolutës 1244. Ndërkaq, me modifikimet e fundit, Reinard shpreson se do të arrihet pajtimi rus. "Ne shpresojmë, se vendet tjera dhe veçanërisht Rusia, mund të na thonë se cilat janë reagimet e tyre. Dhe, ajo që duam është procesi negociator për tekstin, për të arritur sa më shpejt që të jetë e mundur konsensusin për tekstin e kompromisit, mbi tekstin që mund të votohet sa më shpejt që të jetë e mundur", tha Reinard.
Reinard konfirmon se pjesa e raportit, ku presidenti finlandez Martti Ahtisaari propozonte pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën, nuk do të përfshihet në tekstin e rezolutës.

XS
SM
MD
LG