Ndërlidhjet

DËSHTON TAKIMI PËR TË ZHDUKURIT


Rrahman Paçarizi

Takimi i paralajmëruar për sot i grupit të përbashkët punues të Kosovës dhe Serbisë për të zhdukurit, që ndërmjetësohet nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, ka dështuar, pasi kryesuesi i këtij grupi punues, përfaqësuesi i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, Francois Stamm, ka kundërshtuar praninë në këtë takim të njërit nga pjesëmarrësit e tubimit të së ashtuquajturës ‘Garda e Car Llazarit’, në fillim të këtij muaji në Krushevc. “Unë e kam kundërshtuar pjesëmarrjen në takimin e sotëm të përfaqësuesit të asociacionit të familjarëve të serbëve të zhdukur, zotit Simo Spasiq, për shkak të pjesëmarrjes së tij publike në takimin politik të së ashtuquajturës ‘Garda e Car Llazarit’, mbajtur më 5 maj, në Krushevc të Serbisë”, tha Francois Stamm, sipas të cilit, thirrjet që janë bërë nga ai tubim për kundërshtim me forcë të pavarësisë së Kosovës, si dhe paraqitjet publike të zotit Spasiq në atë tubim, kanë qenë të papranueshme. Zoti Stamm tha, se meqë informatat i kishte marrë me vonesë, mbrëmë e ka njoftuar Qeverinë e Serbisë lidhur me këtë problem, ndërkohë që theksoi se puna e deritashme e grupit të përbashkët punues ka qenë relativisht e suksesshme, edhe pse një pjesë e vështirë ende ka mbetur pa u kryer. “Që kur e kemi nisur këtë proces, më shumë se dy vjet më parë, ne kemi arritur të zgjidhim gati një të tretën e rasteve të pandriçuara, që do të thotë një mijë, nga tre mijë raste sa ishin kur nisëm punën”, ka theksuar Francois Stamm. Ai tha se kjo ka qenë pjesa më e lehtë, që është kryer përmes proceseve forenzike dhe të identifikimit, ndërkohë “që pjesa e vështirë mbetet para nesh, për të ndriçuar fatin e personave që ende konsiderohen të pagjetur”. Sidoqoftë, zoti Stamm, kryesues i grupit, i cili për herë të fundit është takuar gati një vit më parë, tha se është i vetëdijshëm që kësaj forme të punës pothuajse i ka ardhur fundi. “Kurdo që të krijohet realiteti i ri në Kosovë, edhe pse kjo nuk është punë e jona, do të duhet të krijohen mekanizma të rinj për këtë punë, në përshtatje me rrethanat e reja të krijuara dhe ndoshta edhe në raport me marrëdhëniet eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne kemi qenë të suksesshëm në kuptim të shmangies së politikave ekcesive, lidhur me këtë proces. Grupi i përbashkët punues ka ndihmuar në procesin identifikimit dhe në forenzikë, meqë kjo është një çështje tepër e ndjeshme dhe me shumë parakushte për politizim”, u shpreh Stamm. Sipas përfaqësuesve të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, edhe më shumë se 1500 persona, shumica dërrmuese e të cilëve shqiptarë, konsiderohen të zhdukur apo të pagjetur, si pasojë e luftës në Kosovës gjatë viteve 1998/1999.
XS
SM
MD
LG