Ndërlidhjet

logo-print

KS-JA NJIHET ME PROJEKTREZOLUTËN E NDRYSHUAR PËR KOSOVËN


Rusia kundër projektit të ri

Këshilli i Sigurimit me dyer të mbyllura është njohur dhe ka debatuar projekt rezolutën për Kosovën.
"Rezoluta lidhur me Kosovën zyrtarisht u paraqit sot dhe do ketë një takim ekspertësh që do diskutojë këtë rezolutë nesër", tha Zalmay Khalilzad, ambasador i SHBA-ve në OKB.
Teksti i paraqitur sot dallon nga ai i paraqitur në fillim të Majit.
Projekt rezoluta për Kosovën do ta mbështesë në vend që ta miratojë planin e Kombeve të Bashkuara për shtetin e Kosovës. Kjo zbutje e gjuhës është në përpjekje për të adresuar kundërshtimet e Rusisë.
"Ndryshimi kryesor nga projekti i paraqitur në fillim të majit lidhet me paragrafin OP1 në të cilin Këshilli i Sigurimit nuk do ta miratojë propozimin e Ahtisaarit, por vetëm do ta mbështesë", citon agjencia Reuters një diplomat perëndimor.
Ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara Zalmay Khalilzad tha se "jemi të hapur për të biseduar me rusët, t'i marrim idetë e tyre që janë në përputhje me thelbin e planit të Ahtisaarit".
"Dimensioni evropian i kësaj cështje është shumë i rëndësishëm. Sponsorët e rezolutës janë të gatshëm të diskutojnë dhe tani topi është në anën ruse që të vijnë para nesh me ide dhe sugjerime", tha Khalilzad.
Por ambasadori rus në Kombet e Bashkuara Vitali Curkin ka thënë se rezoluta e paraqitur sot nuk paraqet asgjë të re dhe pozicionet mbeten të njëjta.
"Projektrezoluta përfshin disa ndryshime të vogla, por nuk paraqet ndryshime thelbësore lidhur me shqetësimet e paraqitura nga Federata Ruse", tha Curkin.
Khalilzad megjithatë ka përsëritur se projektrezoluta e fut Kosovën në një fazë të re duke theksuar se pavarësia mbetet zgjidhja e vetme.
"Pavarësia e Kosovës është e pashmangshme", tha Khalilzad.
Nga ana tjetër homologu i tij rus Curkin ka theksuar se:
"Gjërat mbeten atje ku kanë qenë edhe para paraqitjes së projektit të sotëm të rezolutës."
Ndërsa ambasadori britanik, Emir Jones Parry si sponsor i projektrezolutës së sotme tha se "varet nga Rusia që bazuar në tekstin e ri të na thotë se cfarë dëshiron." Ai shtoi se plani i Ahtisaarit është rruga e vetme përpara.
Nga ana tjetër ambasadori italian në Kombet e Bashkuara, pas takimit të sotëm me dyer të mbyllura, theksoi se dallimet me Rusinë mbeten, derisa vetë Curkin tha se kreu i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon duhet t'i përgjigjet kërkesës serbe të bërë javën e kaluar që të fillojnë bisedime të reja për të ardhmen e Kosovës.
Ndërkaq Shtetet e Bashkuara theksuan dëshirën që të votohet sa më shpejt projektrezoluta e paraqitur sot
"Padyshim Shtetet e Bashkuara mbështesin idenë që votimi të zhvillohet javën e ardhshme",tha ambasadori Khalilzad.
Më 31 Maj përfundon presidenca amerikane e këshillit të Sigurimit. Nga 1 qershori Belgjika do ketë kryesinë e KS-së.

Përgatiti: Ilirjana A. BAJO

XS
SM
MD
LG