Ndërlidhjet

HOXHAJ:”PROCESI I MIRATIMIT TË REZOLUTËS, MË KOMPLEKS SESA ËSHTË MENDUAR”


Enver HOXHAJ, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hoxhaj, Këshilli i Sigurimit dje është njoftuar zyrtarisht me tekstin e rezolutës për Kosovën. Megjithatë, zyrtarët rusë kanë thënë se pozicionet vazhdojnë të mbesin të njëjta. Si i vlerësoni ju tërë këto zhvillime dhe a ka gjasa që të lëvizin pozicionet?

ENVER HOXHAJ
Mendoj se situata që është krijuar në Këshillin e Sigurimit, mbi të gjitha, përcillet me një shqetësim shumë të madh edhe në mesin e qytetarëve të Kosovës, edhe në rrafshin emocional, edhe në rrafshin e asaj se në çfarë drejtimi do të lëvizë i tërë procesi. Kosova ka dhënë kontributin e saj në këtë drejtim. Mirëpo, duket që muajt e fundit, qasja e diplomacisë ruse është përcjellë me një agresivitet pothuajse të tepruar, dhe tregon se procesi atje është më kompleks sesa në fillim. Shpresojmë se vendet kryesore të Grupit të Kontaktit, në fund të fundit, do të jenë në gjendje që ta kenë edhe Rusinë në bord. Përndryshe, shteti rus, pala ruse ka qenë pjesë e të gjitha vendimeve, që deri më tash ka sjellë Grupi i Kontaktit. Por, duket që tash janë më tepër interesa strategjike të Rusisë në vendet përreth, të cilat në të kaluarën i kanë takuar Bashkimit Sovjetik. Dhe, mandej interesa globale, ku në emër të Kosovës, synohet edhe të fitohet politikisht në këto zona të caktuara, por edhe të rikthehet fuqia të cilën në një kohë Rusia dhe ish-Bashkimi Sovjetik e kanë pasur, por më nuk e kanë.

RADIO EVROPA E LIRË
Është thënë se në tekstin e ri të rezolutës nuk do të përdoret fjala ‘aprovim’, siç ka qenë në tekstin fillestar, por ‘mbështetje për rezolutën’. A nënkupton kjo se Rezoluta 1244 nuk do të shfuqizohet plotësisht?

ENVER HOXHAJ
Mendoj se është më se e rëndësishme, që rezoluta e ardhshme e Këshillit të Sigurimit, mbi të gjitha, t’i ofrojë Kosovës qartësi të nevojshme politike dhe legale, ta shfuqizojë njëherë e përgjithmonë Rezolutën 1244; dhe, të mbështetet në formën më precize dhe me gjuhën më të qartë politike procesi negociator i Vjenës dhe propozimi i presidentit Ahtisaari. Kuptohet që terminologjitë e tilla, që përdoren në mesin e diplomacisë në Këshillin e Sigurimit, nuk janë edhe të rastësishme, mund të reflektojnë edhe situata që mund të interpretohen në këtë apo në atë formë. Mirëpo, mosdefinimi i statusit final të Kosovës e ka vendosur jo vetëm Kosovën këto tetë vitet e fundit ne status-quo, por tërë Ballkanin në status-quo. Është bërë pengesë jo vetëm i progresit në Kosovë, por edhe i progresit në tërë Ballkanin. Prandaj, është më se e nevojshme, që rezoluta e ardhshme e Këshillit të Sigurimit ta ofrojë qartësinë e nevojshme politike dhe subjektivitetin ndërkombëtar, që do ta fitojë Kosova, meqë për mendimin tim, nuk ka shtete që i kanë disa të drejta dhe shtete që nuk i kanë disa të drejta. Një vend është shtet ose nuk është shtet, diçka të tillë në mes nuk ka. Dhe, në një drejtim të tillë, është më se e nevojshme që kjo rezolutë ta ofrojë qartësinë e nevojshme politike dhe legale.

RADIO EVROPA E LIRË
Në përpjekje për të arritur një kompromis me Rusinë, diplomatë të huaj kanë thënë se një pjesë e Rezolutës 1244 po ashtu mund të përfshihet në rezolutën e re. Çfarë ndikimi do të kishte kjo në Kosovë?

ENVER HOXHAJ
Mendoj se është vështirë të jepet një gjykim, meqë ne nuk e dimë se cilat pjesë të Rezolutës 1244 mund të përfshihen në një rezolutë të re për Kosovën. Rezoluta 1244 ka qenë pothuajse përshkrim i gjendjes, në të cilën ka qenë Kosova dhe Ballkani perëndimor në qershor të vitit 1999, dhe nuk e ka reflektuar edhe qëndrimin e prerë të diplomacisë perëndimore rreth ardhmërisë së Kosovës. Mandati i saj ka qenë që më tepër ta përgatisë procesin, vendin dhe qytetarët, që të definohet statusi përfundimtar i Kosovës. Në një drejtim të tillë, mendoj që nga Rezoluta 1244, Kosova nuk ka nevojë ta ketë as frymën e saj, as paragrafët e saj, meqë realiteti politik dhe procesi i shtet-ndërtimit, i cili ka ndodhur në Kosovë këto tetë vjet edhe me mbështetjen e Misionit të Kombeve të Bashkuara, por edhe të bashkësisë ndërkombëtare, nuk do të përkonte me frymën që ofron kjo rezolutë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hoxhaj, gjithnjë në kërkim të një kompromisi mes Perëndimit dhe Rusisë është hedhur po ashtu edhe një opsion për moratoriumin dyvjeçar, para anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara. Sa është i pranueshëm ky moratorium?

ENVER HOXHAJ
Kjo është çështje që mbi të gjitha duhet të adresohet në Kosovë, në nivelin e Ekipit të Unitetit dhe të të gjitha institucioneve relevante politike në Kosovë. Mirëpo, unë mendoj se Kosova, këto tetë vjet, ka qenë e vendosur në një moratorium, ka qenë e vendosur në një status-quo. Jam shumë i sigurt që ajo, për çfarë ka nevojë Kosova, është që në rrafshin politik ta fitojë subjektivitetin e saj, se nëse nuk flasim ne në emër të Kosovës, nuk di se kush do të flasë në emër të Kosovës dhe nuk di se kush do ta përfaqësojë Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Po qe se dështon rezoluta në Kombet e Bashkuara, cili do të duhej të ishte hapi i kosovarëve, të vazhdonin me këtë situatë siç është tani, apo të merrnin ndonjë vendim të njëanshëm për shpallje të pavarësisë?

ENVER HOXHAJ
Mendoj se proceset politike në Kosovë, sidomos që nga viti 1998, mandej pas intervenimit të NATO-s në mars të vitit 1999, flasin për atë se Kosova është një projekt i përbashkët i bashkësisë ndërkombëtare dhe i popullit të Kosovës, ku lidershipi politik e ka reflektuar një vizion që e kanë përcjellë qytetarët e Kosovës gjatë tërë shekullit XX, prej okupimit të saj nga Serbia, në vitin 1913. Në një drejtim të tillë, është më se e nevojshme, që të mendohet se si të lobohet pranë qendrave të vendosjes, se si t’i sqarohet diplomacisë perëndimore se çdo shtyrje e procesit do të jetë në dëm edhe të zhvillimeve politike në Kosovë, mirëpo edhe në dëm të stabilitetit rajonal, edhe të zhvillimit ekonomik, dhe të ndjekjes së rrugës evropiane të reformave të Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit. Dhe, mbi të gjitha të tregohet edhe përkushtim i lidershipit në Kosovë, që Serbia dhe aktorët tjerë ndërkombëtarë mos ta shfrytëzojnë fragjilitetin tonë social, gjendjen e mjerë ekonomike, pasigurinë që i ka përcjellë qytetarët dhe padurimin e mbledhur për dekada të tëra. Në atë drejtim, duhet të punohet intensivisht me qytetarët, që ata të informohen, të sqarohen për procesin. Nuk është në favor të askujt, që Kosova thjesht pa një koordinim të ngushtë me mbështetësit kyçë të pavarësisë, të ndërmarrë ndonjë hap.

INTERVISTOI: ALBANA ISUFI
XS
SM
MD
LG