Ndërlidhjet

PËRGATITJET PËR KUSHTETUTËN E RE


Arton Konushevci

Anëtarët e Grupit Kushtetues thonë se janë në fazën përfundimtare të hartimit të Projekt-Kushtetutës së Kosovës. Anëtari i këtij grupi, Ardian Gjini, tregon se tashmë është krijuar edhe komisioni kushtetues në pajtueshmëri me pakon e presidentit Ahtisaari dhe se kornizat e një Kushtetute të një shteti të ri tashmë ekzistojnë. “Kornizat e funksionimit të shtetit të Kosovës i kemi, duhet gjithsesi të sqarohen dhe të përkthehen në gjuhë kushtetuese. Sa i përket elementeve të qeverisjes, mendoj që kemi konsensus politik në Kosovë, në shumicën e pikave. Do të duhej të gjejmë zgjidhje në disa pyetje, të cilat janë përcjellë si pyetësorë për Grupin e Unitetit. Besoj se sot do të jepen disa përgjigje dhe mendoj se jemi në rrugë shumë të mirë, që në një afat shumë të shkurtër, të kemi një Kushtetutë solide dhe moderne”, u shpreh zoti Gjini. Ndërsa Ramë Manaj, anëtari tjetër i grupit punues për Kushtetutën, thotë se janë në pritje të bashkëpunimit edhe me përfaqësuesit e komunitetit serb dhe atij joserb, për të mundësuar funksionalizimin e grupit, me gjithë faktin se përgatitjet kanë vazhduar. “Është punuar deri tani, pjesërisht si një grup joformal, me përgatitjen e një baze krahasimtare të kushtetutave me vende të ndryshme të botës, për të përcaktuar sistemin politik, për të parë se cili do të jetë më kompatibil me synimet zhvillimore të Kosovës si një shtet i pavarur, dhe Kushtetuta e cila do të jetë kompatibile me propozimin e presidentit Ahtisaari”, tha zoti Manaj. Ai më tej ka shtuar, se menjëherë pas miratimit të një rezolute të re për Kosovën nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, Kushtetuta e re e Kosovës, në një kohë të shkurtër do t’i ofrohet Parlamentit për miratim. Por, para se të arrijë atje, ky dokument do të vihet në diskutim me qytetarët dhe ekspertët. Ardian Gjini mendon se nëse Këshilli i Sigurimit del me një rezolutë të re për Kosovën, Kosova në bazë të Kushtetutës së re do ta shpallë shumë shpejt pavarësinë. “Nëse kalon rezoluta në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ne do ta shpallim pavarësinë shpejtë”, ka theksuar zoti Gjini. Grupi për Kushtetutën e re të Kosovës përbëhet nga përfaqësues të autoriteteve vendore, ndërkombëtare dhe ekspertë të kësaj fushe. Deri më tash, Kosova ka funksionuar në bazë të Kornizës Kushtetuese, e cila është hartuar nën ombrellën e administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
XS
SM
MD
LG