Ndërlidhjet

HARAÇIA:”PLANI I AHTISAARIT NUK I PARASHEH SIMBOLET E RUGOVËS”


Astrit HARAÇIA, ministër për Kulturë, Rini, Sport dhe Çështje Jorezidente

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haraçia, jeni përfolur si një prej atyre që ka ofruar opsione tjera në krahasim me ato që janë paraqitur deri më tani, lidhur me kriteret për simbolet e Kosovës. Andaj, fillimisht, nëse mund të shpjegoni se cila mund të jetë rrugëdalja nga ky varg i bisedimeve të vazhdueshme, lidhur me simbolet e Kosovës?

ASTRIT HARAÇIA
Ne e dimë të gjithë që jemi nën Rezolutën 1244. Pas rezolutës pasuan bisedimet, ku së pari ishte raporti për standarde i Kai Eides, pastaj vazhduan me Martti Ahtisaarin si kryesues i grupit të bisedimeve për çështjen e Kosovës dhe, pas të gjitha atyre bisedave që u bënë disa muaj, erdhi deri te përfundimi që të përkrahet plani i Ahtisaarit, që edhe u votua në Parlamentin e Kosovës, ku votuan të gjithë të pranishmit. Kështu që me kuptimin e asaj dite, që u aprovua plani i Ahtisaarit, aty shumëçka është e qartë. Dhe, unë nuk kam thënë diçka jashtë atij rregulli, as nuk zbulova diçka të madhe këtu, por vetëm kam thënë atë që kam lexuar brenda planit të Ahtisaarit. Dhe, aty kam parë që simbolet e kryetarit Rugova askund nuk shihen. Kështu që duhet të jetë diçka krejt tjetër. Kërkova të jemi më realistë, më pragmatikë, t’i themi popullit drejtpërdrejt dhe të ballafaqohemi me të gjithë kosovarët, duke u nisur edhe me elektoratin brenda LDK-së, t’u shpjegojmë drejtpërdrejt, sepse nuk kemi nevojë të spekulojmë. Unë jam i idesë që të jem i drejtpërdrejtë dhe për atë arsye mora të drejtën që ta them publikisht, kur dihet që unë kam qenë shumë afër me presidentin Rugova. Por, edhe tash me familjen e kryetarit të ndjerë kemi biseduar shumë shpesh, që ato nuk kanë mundësi të shkojnë për këtë kohë. Nuk kam dëshirë që për një folklorizëm ditor, dikush të thotë që vetëm ato simbole dhe jo tjera, të vijnë deri te Parlamenti, e të gjithë e dimë që ato nuk mund të shkojnë. Unë nuk dua ta përdhos atë flamur, por dua ta ruaj atë flamur me krenari, që ta shikojmë në një kohë të ardhme, se kur duhet të dalim me të.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa ka përkrahje në Lidhjen Demokratike të Kosovës kjo që ju thoni, që megjithatë, këto kritere duhet të respektojnë planin e Ahtisaarit, dispozitat e përcaktuara aty?

ASTRIT HARAÇIA
Nuk ka përkrahje të drejtpërdrejtë te Astrit Haraçia, por gjithë e kanë përkrahur planin e Ahtisaarit. Kështu që aty është shumë e qartë, domosdo nëse jo sot, nesër duhet ta pranojnë të gjithë.

RADIO EVROPA E LIRË
Aktualisht, në planin ndërkombëtar po zhvillohen bisedime të shumta për një vendim të përbashkët lidhur me statusin e Kosovës, nxjerrjen e rezolutës së re. Andaj, si i shihni këto dhe cilat janë pritjet e juaja, sa shpejt Kosova mund të presë një vendim nga Këshilli i Sigurimit, në mënyrë që të vazhdojë me fazën e tranzicionit, ku ka mjaft punë?

ASTRIT HARAÇIA
Ne, dihet se si popull që dymijë vjet kemi vuajtjet tona, sidomos si Kosovë, ose si shqiptarë në përgjithësi, por unë nuk jam i pajtimit që të ngutemi. Ne duhet të jemi maratonistë, nuk duhet të jemi për shtigje të shkurtra, 100 metra. Kështu që unë pres, që shumë shpejt do të realizohet rezoluta, do të ndërrohet 1244-shi. Në asnjë moment nuk mendoj që duhet të ndërmarrim hapa të ngutshëm apo të njëanshëm si institucione kosovare, por duhet të konsultohemi me miqtë tanë. Po ndodhë hera e parë, pas dymijë vjetëve, që i kemi aleatët tonë më të fuqishëm dhe më të sinqertë. Dhe duhet të konsultohemi me ta. Nuk është e thënë se sa zgjat procedura kohore. Për mua është esenca se çka ka brenda atij plani, kështu që ne duhet ta përkrahim atë ide.

RADIO EVROPA E LIRË
A druan pala kosovare se mund të ketë kompromise të tjera, që mund të ndryshojnë diçka në atë që është miratuar në Kuvendin e Kosovës, e që është pakoja e Ahtisaarit?

ASTRIT HARAÇIA
Unë e kam lexuar planin komplet, dhe në përgjithësi edhe aty ka mangësi. Por, prapëseprapë, ne duhet ta kemi të qartë, si shqiptarë të Kosovës, sepse ne e dimë se çka është dhuna, e kemi provuar në lëkurën tonë. Dhuna nuk justifikohet me dhunë, në qoftë se edhe ne ushtrojmë dhunë ndaj dikujt tjetër. Kështu që ne duhet të jemi realë në këtë prizëm. Unë nuk besoj se do të ketë edhe shumë lëshime. Kam dëgjuar të flitet për dy, për çështjen e Kombeve të Bashkuara që duhet të presim edhe dy vjet për ulëse në OKB. Por, unë e di se shumë shtete vonë janë anëtarësuar, për shembull, Zvicra. Kështu që nuk do të jetë ndonjë pengesë e madhe nëse e bëjmë edhe atë lëshim.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju jeni edhe ministër për Kulturë, Rini, Sport dhe Çështje Jorezidente. Andaj, cilat janë prioritetet, angazhimet kryesore që i prisni pas miratimit të rezolutës?

ASTRIT HARAÇIA
Nga viti 2004, në vitin 2005, buxheti i Ministrisë për Kulturë është shkurtuar për 30 për qind, për arsye se, fatkeqësisht, na ndodhi një ngjarje jo e mirë për kosovarët, ngjarjet e marsit 2004, ku u paraqit një fotografi e errët për kosovarët. Dhe në këtë kohë, unë si ministër i Kulturës jam përkushtuar më tepër që të kujdesëm për standardet, për infrastrukturën ligjore dhe për trashëgiminë kulturore, për ta përmirësuar atë imazh. Por, nuk do të thotë se kemi lënë anash sportin e rininë. Ministria e Kulturës, pa marrë parasysh se kush do të jetë ministër, nuk mund ta prezantojë Kosovën në botë, nëse nuk ka një buxhet pesëfish më të madh se ky që ka sot, 6 milionë. Në kuadër të sportit fillon edhe ndërkombëtarizimi i federatave, pranimi i federatave të ndryshme dhe nuk plotësojmë asnjë kusht të infrastrukturës. Kështu që duhet fazë-fazë të fillojmë e të orientohemi në ato sporte ku kemi sukses. Nuk do të thotë që në 32 sporte të marrim pjesë si Kosovë. Por, duhet të këqyrim ku kemi sukses. Zakonisht, ne kosovarët kemi sukses në sporte individuale. Në kolektive shumë pak, sepse ende nuk e kemi kuptuar realisht punën kolektive. Por, në sporte individuale kemi; veç jemi duke punuar në federatën e xhudos, boksit, karatesë, shahut, ping-pongut, hendbollit, i cili është i pranuar në mënyrë ekipore; ekipet luajnë jashtë dhe të gjitha obligimet që janë për ndërkombëtarizim të sportit i kryen ministria dhe besoj se edhe në të ardhmen do t’i kryejë. Por, këtu unë do të përkushtohesha në infrastrukturë. Infrastrukturën ta rregullojmë, ta rregullojmë stadiumin e Prishtinës dhe stadiumin e Mitrovicës. Të jenë stadiume që mund të na prezantojnë. Sa u përket palestrave sportive, i kemi objektet ekzistuese. Me renovime shumë të vogla, besoj do t’i rregullojmë. Besoj që gjatë mandatit tim si ministër, do ta vë edhe gurthemelin e sallës së operës, sepse Kosova e meriton të ketë sallë të operës.

INTERVISTOI: ZIJADIN GASHI

XS
SM
MD
LG