Ndërlidhjet

PARATË PËRCAKTOJNË FATIN E RINDËRTIMIT TË OBJEKTEVE FETARE


Arton Konushevci

Tridhjetë e tre objekte kishtare ortodokse tashmë kanë hyrë në fazen e tretë të rindërtimit. Përfaqësues të Këshillit të Evropës dhe të Qeverisë së Kosovës, të përfshirë në këtë projekt, sipas këshilltarit në Ministrinë e Kulturës, Veli Bytyçi, janë të kënaqur me punën e deritashme. Ai thotë se në vitin 2005 është arritur që të sigurohen, të mbrohen e po ashtu edhe të pastrohen terrenet e 35 objekteve të dëmtuara që prej kohës së luftës, kurse në vitin 2006 janë kryer punimet në 7 objekte. Aktualisht, sipas Bytyçit, po punohet në 14 objekte të tjera. Për këto rindërtime, nga buxheti i Kosovës janë ndarë 7 milionë e 200 mijë euro, të cilat, siç thotë zoti Bytyçi, nuk mjaftojnë për të përfunduar të gjitha punimet. Me 2 milionë të tjera për rindërtimin e kishave po ndihmon Këshilli i Evropës, por Bytyçi thotë se pa ndihmën e mëtutjeshme të donatorëve, projekti vështirë se mund të përmbyllet. “Tash ndodhemi në fazën e tretë, ku po vazhdohet me implementimin e projektit në disa objekte fetare në gjithë Kosovën. Ç’është e vërteta, 7 milionë e 200 mijë euro për buxhetin e konsoliduar të Kosovës janë mjaft para, por aktualisht nuk mendojmë se mund ta përmbyllim këtë projekt voluminoz nga pikëpamja e kostos financiare, nëse nuk do të gjejmë burime të tjera shtesë”, ka thënë Bytyçi. Përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë nuk deshen të prononcohen lidhur me punën e deritashme në rindërtimin e kishave dhe objekteve të tjera fetare, duke thënë se në këtë moment politik do të ishte kontraproduktive të flitet lidhur me atë që është bërë. Peshkopi Artemie shkurtimisht ka deklaruar se nuk është bërë asgjë, sa i përket rindërtimit të objekteve të dëmtuara gjatë trazirave të marsit, por as për restaurimin e kishave të vjetra. Megjithatë, në webfaqen e Kishës Ortodokse Serbe, ndonëse pa shumë detaje, punimet e deritashme janë vlerësuar pozitivisht. Veli Bytyçi konsideron se me deklaratat e tyre, përfaqësuesit e palës serbe kanë dëmtuar procesin e rindërtimit. “Për fat të keq, për arsye të politizimit të skajshëm, apo shumë ekstrem të punës që po vazhdon të bëhet, ka pasur raste ku përfaqësuesit e palës serbe kanë dalë me deklarata të ndryshme që në aspektin politik e kanë dëmtuar paksa procesin. Unë do të përmendja me këtë rast një deklaratë që e kanë bërë sigurisht të motivuar politikisht, kohë më parë, në një konferencë për media në Beograd, koordinatori i Ekipit Negociator të Serbisë për statusin e Kosovës, Sllobodan Samarxhiq dhe peshkopi Artemie, duke thënë se në Kosovë nuk është bërë pothuajse asgjë rreth rindërtimit të objekteve fetare ortodokse. Të gjitha këto edhe Këshilli i Evropës i ka hedhur poshtë, i ka vlerësuar si të pasakta, të pabaza dhe natyrisht të motivuara për qëllime krejtësisht të tjera, mbase edhe politike", tha Bytyçi. Komisioni Implementues për rindërtimin e objekteve fetare ortodokse në Kosovë përbëhet nga përfaqësues të institucioneve të Kosovës, përfaqësues serbë dhe përfaqësues të Këshillit të Evropës, përfshirë këtu edhe UNESKO-n.

XS
SM
MD
LG