Ndërlidhjet

logo-print

BUSH: RUSIA NUK KA PSE TË TREMBET


Presidenti Bush po viziton Pragën

Presidenti George Bush tha sot se Rusia "nuk është armik" i Shteteve të Bashkuara dhe nuk ka asnjë arsye përse të frikësohet nga sistemi mbrojtës në Evropë.
Bush foli në një konferencë për shtyp pas takimeve në Pragë me presidentin e Republikës së Çekisë Vaclav Klaus dhe kryeministrin Mirek Topolanek, me të cilët diskutoi mbi planet amerikane për instalimin e radarit në Çeki si pjesë e mburojës së propozuar anti-raketore.
"Mezi pres të zhvilloj bisedime me presidentin Putin, jo vetëm në samitin e G8-ës, por kur të vijë edhe në Shtetet e Bashkuara. Mesazhi im do të jetë: Vladimir, nuk ka përse të frikësohesh nga sistemi mbrojtës raketor. Në fakt, përse nuk bashkëpunon me ne për sistemin mbrojtës raketor", tha presidenti Bush.
Presidenti i Çekisë Vaclav Klaus tha se presidenti Bush duhet të bëjë përpjekje maksimale që këtë çështje t'ia shpjegojë Rusisë.
"Kuptohet që ne e diskutuam vendosjen e bazës ushtarake amerikane në vendin tonë dhe Poloninë fqinje, dhe me presidentin Bush u dakorduam për këtë. Mendoj se gjithashtu është e rëndësishme që presidenti Bush të bëjë maksimumin e përpjekjeve që këtë çështje t'ia shpjegojë Rusisë", tha Klaus.
Presidenti i Republiksë së Çekisë tha se opinioni çek është shumë i ndjeshëm mbi këtë çështje, dhe shprehu bindjen se këtë e ka kuptuar edhe presidenti Bush.
Por presidenti amerikan tha se Çekia nuk duhet të ndjehet se duhet të zgjedhë ndërmjet Rusisë dhe Amerikës.
"Lufta e Ftohtë ka marrë fund. Ajo ka përfunduar. Populli i Republikës së Çekisë nuk ka nevojë të zgjedhë nëse duhet të jetë mik me Shtetet e Bashkuara apo me Rusinë. Mund t'i bëni të dyja. Ne nuk besojmë se një vend duhet të detyrohet të bëjë një zgjedhje të këtillë", tha presidenti Bush, i cili më pas sqaroi qëllimet e ndërtimit të mburojës raketore në Evropën Qendrore.
"Njëri synim është që t'i mbrojmë popujt e lirë nga mundësia e një sulmi raketor, nga ana e ndonjë shteti të dështuar. Ky është kërcënimi i vërtetë për paqen. Siç i kam thënë edhe presidentit Putin, Rusia nuk është armiku ynë. Armiku i shoqërive të lira, siç janë shoqëritë tona mund të jenë radikalët, ekstremistët apo ndonjë regjim i dështuar, i cili përpiqen ta shantazhojë botën e lirë, në mënyrë që t'i promovojë qëllimet e veta ideologjike", tha presidenti amerikan.
Bush do të takohet me presidentin rus Vladimir Putin anash samitit të 8 vendeve më të industrializuara që do të mbahet në Gjermani.
Pasdite në Pragë, presidenti Bush do të mbajë një fjalim në një konferencë mbi demokracinë, ku pritet të flasë mbi vështirësitë për promovimin e demokracisë në vendet si Rusia.
XS
SM
MD
LG