Ndërlidhjet

logo-print

Ç’PRESIN KOSOVARËT NGA SAMITI G8?


Albana Isufi

Kryeministri i Kosovës Agim Çeku ka shfaqur shpresën sot, se samiti i G8-shes, apo i fuqive më të industrializuara botërore, që fillon nesër në Gjermani, mund edhe të sjellë ndonjë zhbllokim të procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës. Kryeministri Çeku është optimist, se në këtë takim mund të arrihet pajtueshmëri për projekt-rezolutën për Kosovën. “Unë nuk dyshoj fare, se Kosova do të jetë një nga temat kryesore të këtij samiti. Kosova tashmë është njëra nga çështjet e pazgjidhura dhe kërkon zgjidhje të shpejtë. Dhe, jam i bindur se do të tentohet, që të gjendet zgjidhja për Kosovën, apo të zhbllokohet miratimi i rezolutës nga ana e Rusisë në këtë takim”, është shprehur Çeku. Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi, nuk mendon se takimi i nivelit të lartë në Gjermani do të sjellë harmonizim të qëndrimeve për Kosovën. “Në bazë të asaj që është deklaruar nga përfaqësuesit e BE-së, nuk pritet ndonjë harmonizim i qëndrimeve”, ka thënë Krasniqi. Por, një afrim të qëndrimeve mes bllokut perëndimor dhe Rusisë e parasheh deputeti i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, Dragisha Kërstoviq. Ai thotë se deklaratat e fundit të kryetarit rus, Vladimir Putin, tregojnë se mund të ketë afrim mes palëve, edhe pse sipas tij, në këtë samit nuk do të ketë vendim përfundimtar për çështjen e Kosovës. “Nuk mendoj se do të ketë vendim definitiv, por situata do të jetë më e qartë sesa deri tash. Afrim të qëndrimeve sigurisht se do të ketë”, tha Kërstoviq. Shefi i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, Ibrahim Gashi, vlerëson se edhe pse nuk është thënë, Kosova do të jetë ndër temat kryesore të Samitit G8. Ai thotë se ky takim është vendimtar, për të sqaruar edhe një herë pozicionet e vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit rreth projekt-rezolutës për Kosovën. “Unë mendoj se është i rëndësishëm, mbase edhe vendimtar, për t’i paraprirë nxjerrjes së rezolutës, deri në fund të kësaj jave. Por, megjithatë, qëndrimi i Rusisë është mjaft i ngurtë, dhe kjo nuk na bën shumë optimistë se do të ketë marrëveshje për një kohë kaq të shkurtër, sado që zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se rezoluta mund të nxirret deri në fund të kësaj jave”, u shpreh Gashi. Projekt-rezoluta e sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, që ka për bazë planin e Ahtisaarit, është hedhur poshtë nga Rusia, me gjithë ndryshimet që i janë bërë në përpjekje për të arritur kompromisin me shtetin rus. Plani i Ahtisaarit, që mbështetet nga Perëndimi, ofron pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën, por zyrtarët rusë nuk pranojnë një gjë të tillë, duke thënë se pavarësia do të ishte precedent për vendet tjera të botës. Analisti Ibrahim Gashi thotë se Samiti i G8-shes do të jetë edhe një rast për të kërkuar nga Rusia, që të lëshojë pe rreth çështjes së Kosovës. ”Me shpresë, do të jetë një deklaratë e të gjitha vendeve, përpos Rusisë, një mbështetje e pakos së Ahtisaarit, që është edhe një presion mbi Rusinë, që të zbusë qëndrimin e saj lidhur me Kosovën”, tha Gashi. Në anën tjetër, kryeministri Agim Çeku është optimist, se zgjidhja për Kosovën, nëse jo në takimin e G8-shes, atëherë do të arrihet në ditët në vijim. Por, analisti Ibrahim Gashi është skeptik rreth këtij parashikimi. Ai mendon se nëse ka sinjale, se Washingtoni dhe Moska mund të arrijnë marrëveshje, por për këtë duhet kohë, atëherë sërish do të ketë zvarritje. “Unë mendoj se nëse vijnë shenja, se me një shtyrje dhe me një vazhdim të bisedimeve Washington – Moskë, atëherë do të ndodhë shtyrja. Në rast se qëndrimet janë aq të ngurta, që nuk premtojnë se do të ketë përafrim, edhe nëse ka shtyrje, atëherë mbase edhe amerikanët do të veprojnë sipas asaj që ata e kanë quajtur plani B”, ka thekuar Gashi. Ndryshe, zyrtarë të Shteteve të Bashkuara kanë thënë se presin, që këtë javë të votohet për rezolutën e mbështetur nga Perëndimi për pavarësi të mbikëqyrur ndërkombëtarisht për Kosovën.
XS
SM
MD
LG