Ndërlidhjet

BUSH VLERËSON DISIDENTËT NË GJITHË BOTËN


Fjalimi i presidentit Bush ishte kërkesë për atë që ai e quajti agjendën e lirisë. Në sallën e mbushur me disidentë dhe aktivistë të demokracisë nga pjesë të ndryshme të botës, Bush foli për ata që nuk ishin të pranishëm:
"Ka shumë disidentë që nuk mundën të na bashkoheshin, pasi ata mbahen padrejtësisht në burgje apo arrest shtëpiak. Mezi pres të vijë dita kur në konferenca si kjo të jenë të pranishëm dhe Aleksandër Kozulin i Bjellorusisë, Aung San Kui nga Birmania, Oskar Elias Bisket nga Kuba, At Ngujen Van Li nga Vietnami apo Ajman Nur nga Egjipti", tha Bush.
Më tej presidenti amerikan kujtoi historinë e Pragës, qytetit ku po mbahej konferenca, duke sjellë para pjesëmarrësve shembullin e Vasllav Havelit. "Liria mund të pengohet, mund të vonojë, por lirinë nuk mund ta dënosh përgjithmonë", theksoi Bush.
Sipas tij liria në pjesë të ndryshme të botës është në rrezik. Megjithë përparimet e shënuara në një numër vendesh nga Vietnami në Uzbekistan sërish gjen aktivistë politikë të burgosur.
Zhvillime të tilla janë trishtuese, por ka shumë më tepër arsye për të qenë optimist.
"Shtetet e Bashkuara gati i kanë dyfishuar fondet për projektet në mbështetje të demokracisë. Ne po punojmë së bashku me partnerët tanë në G8 për të nxitur shoqërinë civile në Lindjen e Mesme përmes nismash si ajo e Forumit për të Ardhmen. Ne po bashkëpunojmë ngushtë me demokraci të reja si ato në Ukrainë, Gjeorgji apo Kirgizi", theksoi presidenti amerikan për të shtuar se "partnerë të cmuar si Egjipti, Arabia Saudite dhe Pakistani" duhet të lëvizin më shumë e më shpejt drejt demokracisë. Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se Amerika ishte në gjendje të ruante miqësitë dhe t'i shtynte vendet mike drejt reformave dhe hapjes demokratike.
E padyshim nuk mund të harrohej Rusia.
"Në Rusi reformat të cilat një herë ishin premtuar për t'u dhënë fuqi qytetarëve, tash janë kthyer përmbys dhe kanë shkaktuar implikime shqetësuese për zhvillimin demokratik. Pjesë e marrëdhënieve të mira është që të flitet haptas për këto mosmarrëveshje.
Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë që t'i ndërtojnë marrëdhëniet e tyre me këto vende, por këtë do ta bëjmë pa i lënë mënjanë parimet apo vlerat tona", tha presidenti amerikan.
Bush do të ketë rastin të flasë për të gjitha këto shqetësime drejtpërdrejt me homologun e tij rus Putin, në takimin e G8 që fillon te merkuren në Gjermani.
XS
SM
MD
LG