Ndërlidhjet

logo-print

DERVISHI: TË ORIENTOHEMI KAH ZGJIDHJA E STATUSIT TË KOSOVËS


Bekim Bislimi

Politikanët, intelektualët dhe përgjithësisht opinioni kosovar nuk duhet të përqendrohen në ngjarjet dhe zhvillimet e imta që ndodhin brenda Kosovës, por duhet ta orientojnë vëmendjen dhe energjinë në zhvillimet që kanë të bëjnë me zgjidhjen e statusit të Kosovës. Kështu thotë Teki Dervishi, dramaturg dhe publicist nga Prishtina. Ai thekson se ekzistojnë tendenca, që kosovarëve t’u imponohet përqendrimi në lodhjen me probleme ekonomike, sociale, kulturore dhe t’u shpërqendrohet vëmendja nga momentet që janë kthesë në historinë e tyre. “Nuk e di pse bëhet kështu, kush e bën këtë gjë, por që është e organizuar shihet haptazi. Për shembull, deformimet e ndryshme në shoqëri më duket se janë deformime të proceseve në vazhdim dhe të konsolidimit të institucioneve ose jetës demokratike në Kosovë, e jo diçka tjetër. Pra, do të thotë se është problem i vogël karshi problemeve se kah duhet të orientohet sot vëmendja e opinionit shqiptar, e ajo është statusi i Kosovës. Nuk e di, mund të ndodhë që politikanët për ndonjë qëllim tjetër e tërheqin vëmendjen e opinionit diku ku është fare pa rëndësi”, shprehet zoti Dervishi. Kur flitet për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës, kjo nënkupton edhe zgjidhjen e problemit të Gadishullit Ballkanik, shtoi ai. Sipas Dervishit, edhe politikanët kosovarë, edhe opinioni duhet të jenë të vetëdijshëm për peshën e momentit. “Sot ndodhin gjëra shumë të rëndësishme, kurse njerëzit japin vetëm komente, komunikata, konferenca për shtyp. Do të thotë, mungon një analizë akademike e situatës. Mua më asocon në stagnim, do të thotë ne gjithë rrimë dhe presim. Asgjë nuk punohet dhe opinioni, faktikisht, bombardohet me gjëra helmuese. Njerëzve u ka rënë entuziazmi. Faktikisht, deri tash e kemi arsyetuar këtë gjë si paranojë kolektive e pasluftës, por kjo është tepruar”, thekson zoti Dervishi. Kosova asnjëherë në historinë e saj nuk ka pasur përkrahje më të madhe të botës perëndimore dhe demokratike se tash, thotë ai. Por, kjo përkrahje nuk nënkupton që shqiptarët e Kosovës duhet të presin, siç thotë Dervishi, që gjërat të pikin nga qielli. “Pyetja është se çfarë bëjmë ne? A do të thotë kjo, se nëse ne kemi një përkrahje dhe kemi ndihmën e të tjerëve, ne nuk do të duhet të marrim pjesë në këtë gjë? A duhet t’u ndihmojmë edhe ne atyre që na ndihmojnë, apo në kohën kur ata na ndihmojnë të zgjidhim probleme historike, ne të merremi me probleme efemere, shumë periferike, siç janë kultura, infrastruktura, papunësia. Të gjitha këto janë probleme që presin të zgjidhen nga një status i ardhshëm, i cili si duket po zgjatë”, thotë zoti Dervishi. Sidoqoftë, shton ai, gjatë këtyre viteve, derisa po pritet definimi i statusit politik të Kosovës, janë grumbulluar shumë pakënaqësi tek qytetarët e këtij vendi, për shkak të problemeve me të cilat ballafaqohen në përditshmëri, si dhe për shkak të vetë pritjes në një status-quo. Megjithatë, sipas Dervishit, Kosova në momentin në të cilin gjendet sot, nuk duhet t’ia lejojë vetes ndonjë gabim trashanik. “Ata që nuk e zgjidhin këtë status-quo, ata që e pengojnë dhe e bëjnë këtë amulli, ata e presin të keqen e Kosovës, e presin një shpërthim, që pastaj ndoshta do të na duhen edhe dekada të tëra që të vijmë në këtë pikë ku jemi tash. Prandaj, është mirë që njerëzit që merren me politikë në mënyrë akademike, të dalin me analiza për këtë situatë sa më shpejt. Është mirë që politikanët tanë të marrin pranë vetes njerëz që e dinë politikën në mënyrë shkencore, në kuptimin e plotë të kësaj fjale e jo në politikë të ditës ose në karrierë”, përfundon zoti Dervishi.

XS
SM
MD
LG