Ndërlidhjet

AHMETI:”SHPK-JA ME MË SHUMË PËRGJEGJËSI PAS STATUSIT”


Gjeneral Lejtnant Sheremet AHMETI, komandant i Shërbimit Policor të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Çka do të ndodhë me Shërbimin Policor të Kosovës me ardhjen e një misioni të ri të Bashkimit Evropian në Kosovë?

SHEREMET AHMETI
Shërbimi Policor i Kosovës do të vazhdojë punën e vet. Ne jemi në fazën e tranzicionit dhe praktikisht gati jemi në përmbyllje të tranzicionit. Presim që pas përfundimit të Misionit të Kombeve të Bashkuara, Policia e Kosovës të jetë pjesë e institucioneve të Kosovës, gjegjësisht pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Do të thotë të bëhet tranzicioni dhe Policia e Kosovës është e pavarur dhe pjesë e institucioneve vendore.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se do të keni kompetenca më shumë sesa këto që i keni tash?

SHEREMET AHMETI
Besoj se do të barten të gjitha kompetencat në institucionet vendore, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, gjegjësisht në Shërbimin Policor të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është mendimi juaj rreth kompetencave që do t’i ketë misioni i ri i Bashkimit Evropian, sa i përket Shërbimit Policor të Kosovës?

SHEREMET AHMETI
Unë jam i sigurt, që misioni i ardhshëm evropian numerikisht është dukshëm më i vogël. Por, edhe me kompetenca ekzekutive do të jetë absolutisht shumë më i vogël, sepse duhet ta kuptojmë njëherë e përgjithmonë se për sigurinë e vendit, luftimin e krimit, krijimin e sigurisë qytetare, është Policia e Kosovës, e ndërtuar, e trajnuar dhe e përgatitur që të realizojë misionin e saj, e ai është krijimi i sigurisë qytetare. Dhe besoj se misioni i ardhshëm do të jetë më shumë monitorues, ndihmues, shumë më pak ekzekutiv në fushën e sigurisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të duket struktura e Shërbimit Policor të Kosovës?

SHEREMET AHMETI
Presim që gjatë fazës së tranzicionit të bëhet pavarësimi i Policisë së Kosovës, të zgjidhen apo të caktohen procedurat e parapara dhe komisari vendor, i cili do t’i përgjigjet ministrit të Punëve të Brendshme, gjegjësisht Qeverisë së Kosovës. Dhe, policia do të jetë plotësisht funksionale me kompetencat e plota për sigurinë dhe luftimin e krimit në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë aspekt, funksionimi i Shërbimit Policor të Kosovës në veriun e Mitrovicës, me ardhjen e misionit të Bashkimit Evropian, a do të zgjerohet?

SHEREMET AHMETI
Nuk besoj se do të zgjerohet. Shërbimi Policor i Kosovës është një dhe i shërben të gjithë kosovarëve. Ne jemi në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe nuk ndahemi sipas bazave etnike në kuptimin policë të vendit. Ne edhe sot shërbejmë në çdo vend, në çdo pjesë të Kosovës. Për sigurinë e qytetarëve të Kosovës është Policia e Kosovës dhe KFOR-i.

RADIO EVROPA E LIRË
Tash për tash, a është ulur numri i pjesëtarëve të Shërbimit Policor të Kosovës në veriun e Mitrovicës. A ka më shumë ndërkombëtarë, policë të UNMIK-ut që patrullojnë?

SHEREMET AHMETI
Jo nuk është ulur numri i pjesëtarëve të Shërbimit Policor të Kosovës. Por, është e vërtetë që pak më shumë ka pjesëtarë të policisë ndërkombëtare, por numri ka ngelur i njëjtë. Angazhimet shtesë të nevojshme i bëjmë varësisht nga rrethanat që na imponohen, varësisht nga puna dhe nevoja në çdo pjesë të Kosovës, ku është e nevojshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Në cilat fusha të veprimit mendoni se do të jeni të monitoruar nga misioni i ri në Kosovë?

SHEREMET AHMETI
Misioni i ri evropian do të jetë në Kosovë dhe do të bëjë monitorimin e çështjes së sigurisë dhe gjyqësisë. Andaj, sa i përket monitorimit, ne jemi të hapur dhe çdokush mund të monitorojë dhe të shohë se çfarë bën Policia e Kosovës. Fare nuk i frikohemi asaj, sepse veç ndihmon që bota ta shohë punën tonë, e cila është shumë profesionale, e paanshme dhe në shërbim të qytetarëve të vendit.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG