Ndërlidhjet

SA DO T’I PËRBALLOJË SHPENZIMET BUXHETI PAS DEFINIMIT TË STATUSIT?


Nadie Ahmeti

Zyrtarë të Qeverisë dhe ekspertë vendorë për çështje ekonomike japin mendime të kundërta rreth qëndrueshmërisë buxhetore pas zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës. Safet Gërxhaliu, zyrtar për marrëdhënie me jashtë në Odën Ekonomike të Kosovës, tha se pas zgjidhjes së statusit të Kosovës, do të ngriten nevojat për financim nga buxheti i konsoliduar, duke krijuar një gjendje mbase edhe të papërballueshme. “Është e vërtetë, se me definimin e statusit do të ketë ngritje të nevojave për financim nga buxheti i konsoliduar i Kosovës. Mirëpo, për fat të keq, edhe vetë Qeveria nuk e ka një koncept të qartë, se çka duhet të jetë prioritet dhe çka duhet financuar”, u shpreh zoti Gërxhaliu. Dardan Stublla, këshilltar i ministrit për Ekonomi dhe Financa, ndërkaq garanton se Qeveria e Kosovës ka buxhet të mjaftueshëm për mbulimin e të gjitha shpenzimeve që do të paraqiten pas zgjidhjes së statusit. “Ministria e Ekonomisë dhe Financave, gjegjësisht Qeveria e Kosovës, garanton buxhet për të gjitha shpenzimet pas statusit, do të thotë kostot pas statusit, duke pasur parasysh se ne tashmë kemi filluar të punojmë buxhetin për vitin 2008”, tha zoti Stublla. Ajo çka është esenciale, thekson zoti Gërxhaliu, Qeverisë së Kosovës, pas statusit, do t’i shtohet numri i ministrive dhe agjencive të ndryshme, dhe me këtë do të shtohen edhe shpenzimet. “Do të shtohen ministria e mbrojtjes, ministria për integrime, ministria për punë të jashtme dhe shumë ministri të tjera, të cilat qeveritarët tanë nuk i kanë në agjendat e tyre ditore. Më pastaj do të ketë edhe themelim të agjencive të ndryshme për përkrahjen e qëndrueshmërisë ekonomike të Kosovës”, ka theksuar zoti Gërxhaliu. Por, zoti Stublla tha se Qeveria e Kosovës i ka marrë parasysh të gjitha këto. Ai pohon se kjo ministri tashmë është duke punuar në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve për vitin 2008-2010, ku janë paraparë të gjitha këto shpenzime. “Këto jo vetëm që janë marrë parasysh, por janë në procesin final të hartimit. Ne jemi të vetëdijshëm se do të ketë ministri të reja, ne jemi të vetëdijshëm për decentralizmin, ne jemi të vetëdijshëm për të gjitha ato që dalin nga pakoja e Ahtisaarit, dhe të gjitha janë të mbuluara. Kështu që do të ketë sistem buxhetor shumë stabil dhe të qëndrueshëm”, ka pohuar zoti Stublla. Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike, është skeptik edhe në këtë çështje. Ai thotë se udhëheqësit aktualë të institucioneve nuk do të jenë gjithnjë në pushtet. "Është interesante se në Kosovë ekzistojnë njerëz të tillë, që atë e plasojnë apo e lansojnë në letër, edhe pse nuk është e vërtetë, ata për vete e pranojnë si të vërtetë. Mirëpo, realiteti dëshmon diçka krejt tjetër. Nuk është fshehtësi se mjete ka, por pse keqmenaxhohen ajo është një dukuri permanente. Dhe ky keqmenaxhim Kosovës ia mbyt ardhmërinë”, u shpreh zoti Gërxhaliu. Pavarësisht nga të gjithë këto, ai pohon se Qeverisë së Kosovës i mbetet të gjejë metoda për rritjen e buxhetit. Sipas Gërxhaliut, në radhë të parë duhet të bëhet një harmonizim i politikës fiskale karshi politikave të rajonit, që të ketë investime nga jashtë, të cilat mundësojnë mbulimin e nevojave pas zgjidhjes së statusit. “Në rend të parë të bëhet një rishikim i politikës fiskale, pastaj të bëhet mbledhja e tatimit nga kufiri në brendi. Dhe në rend të tretë, është hapi më esencial, futja e kacave fiskale apo elektrike nëpër të gjitha njësitë tregtare apo shërbyese nëpër Kosovë”, tha zoti Gërxhaliu. Sidoqoftë, mbulimi i shpenzimeve pas zgjidhjes së statusit do të varet nga miratimi i Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, proces ky i cili pritet të ndodhë brenda kësaj jave.

XS
SM
MD
LG