Ndërlidhjet

KAPITULLI I FUNDIT I KOSOVËS DUHET TË MBYLLET ME AHTISAARIN


FINANCIAL TIMES

Politika e jashtme e kryeministrit të Britanisë së Madhe Tony Blair, mund të përmblidhet me dy fjali, "mirë në Kosovë, keq në Irak", sepse para vendimit për aventurën në Lindjen e Mesme, z. Blair vërtetë mori një vendim të drejtë që ndërhyri forcërisht kur Beogradi po bënte spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë.
Megjithate, rrëfimi për Kosovën ende është larg nga përfundimi. Prishtina sot mund të mos duket si Basra apo Bagdadi, por qetësia aktuale atje e mbulon jostabilitetin e heshtur.
Krahas përpjekjeve për ta formalizuar statusin e të Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ekziston droja se sa më shumë diplomatët e zvarritin çështjen, aq më të mëdha janë gjasat që frustrimet në Kosovë të shndërrohen në gjakderdhje.
Në mars, z. Martti Ahtisaari paraqiti një propozim gjithëpërfshirës në Këshillin e Sigurimit, i cili tash po e shqyrton draft rezolutën, që do të hapte rrugën drejt pavarësisë së Kosovës.
Është e qartë se kjo do t'i inatosë serbët, ashtu si dhe protektorët e tyre në Moskë, të cilët kërcënohen me veto në Këshillin e Sigurimit, por ky hap nuk mund të jetë befasi për askë që i ka ndjekur ngjarjet në rajon. Si Komisioner evropian, rreth 10 herë e kam vizituar Kosovën pas luftës në vitin 1999, dhe gjithmonë ishte e qartë se pavarësia ishte zgjidhje e vetme e qëndrueshme.
E para, konteksti historik e bën Kosovën rast të veçantë. Në vitin 1989 Kosovës u bë viktima e parë e nacionalizmit agresiv të prirë nga Sllobodan Millosheviqi, kur iu pezullua autonomia. Kosovarët iu nënshtruan shtypjes sistematike. Pakica serbe prej më pak se 10% sundonte shumicën e shqiptarëve të Kosovës. Përveç kësaj, me shpërbërjen e ish federatës Jugosllave, Kosova e humbi statusin e saj federal, që e kishte pothuaj të barabartë me gjashtë republikat jugosllave. Pas disa vitesh të kërkimit paqësor të pavarësisë, kosovarët iu kthyen luftës së armatosur, dhe në vitin 1999 z. Millosheviq ndërmori një operacion masovik ushtarak, përfshirë spastrimin etnik, i cili nxiti intervenimin e bashkësisë ndërkombëtare.
Të presësh që 90% e shqiptarëve të Kosovës sërish të qeverisen nga Beogradi pas gjithë asaj që ndodhi, do të ishte reçetë për rishfaqjen e dhunës. Për këtë arsye, vendet e Grupit të Kontaktit, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Italia, Rusia dhe SHBA, para më shumë se një viti formalisht deklaruan se statusi final duhet të jetë i prenueshëm për popullin e Kosovës.
E vërteta është se nuk ka alternativë të qëndrueshme për propozimin e Ahtisaarit. Përkundër hezitimeve që kanë ndaj draft rezolutës së Këshillit të Sigurimit, madje as rusët nuk kanë dalë me ndonjë propozim që do të ishte konkurues.
Plani i Ahtisaarit dhe projekt-rezoluta me siguri kurrë nuk do ta kënaqë Beogradin, por ai ka eleemnte të fuqishme kompromisi, siç janë sovraniteti i kufizuar i Kosovës apo të drejtat e pakicës serbe. Askund pakicat nuk gëzojnë aq të drejta.
Edhe Bashkimi Evropian ka interes të posaçëm sepse nëse gjërat në Kosovë shkojnë keq, Evropa do të ejtë e para që do t'i vuajë pasojat. BE-ja gjithashtu është dakorduar ta marrë përsipër barrën më të rëndë që ta mbështesë Kosovën ekonomikisht, dhe të jetë aty me një mision pas pavarësisë. Anëtarët e Bashkimit Evropian në Këshillin e Sigurimit duhet ta shtyjnë rezolutën me gjithë fuqinë diplomatike që kanë. Rrëfimi për Kosovën ende nuk mund t'i bashkangjitet listës së sukseseve të bashkësisë ndërkombëtare. Duhet të shtohet edhe kapitulli i fundit i z. Ahtisaari.

Chris PATTEN, ish Komisioner i BE për Marrëdhënie me Jashtë, dhe aktualisht kryesues i Bordit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave.
XS
SM
MD
LG