Ndërlidhjet

PËRCAKTIMI I STATUSIT DO TË PËRCAKTOJË EDHE SIGURINË


Arton Konushevci

Pavarësisht ndjeshmërisë së situatës në raport me përcaktimin e statusit final, ekspertë të sigurisë thonë se situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë aktualisht është e qetë dhe stabile. Megjithatë, ata tërheqin vërejtjen se siguria përcaktohet edhe nga vetë statusi. Në këtë kuadër, eksperti Nuredin Ibishi thotë se nxjerrja e një rezolute të re apo vetë zgjidhja e statusit, do të përcaktojë veprimet e ekstremistëve nga të dyja palët, nga ajo serbe dhe ajo shqiptare. “Vetë statusi, supozojmë të jetë pavarësia, nuk do të zgjidhë shumë probleme, sociale, ekonomike etj. derisa të vijë deri te njohja dhe integrimi i Kosovës”, u shpreh Ibishi. Ai thotë se reagimet e mundshme, që do të mund të shkaktonin destabilizim të situatës, është vështirë të parandalohen, për shkak të mungesës së shërbimeve informative. Në anën tjetër, Veton Elshani, nga Shërbimi Policor i Kosovës, thotë se tash për tash nuk ka ndonjë indikacion, se do të ketë destabilizim të situatës, pavarësisht zhvillimeve politike në vend dhe nxjerrjes së një rezolute të re për Kosovën nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Sidoqoftë, Elshani thekson se SHPK-ja ka planin operativ, në bazë të të cilit mund të reagojë sipas situatave të krijuara. “Kemi plane të ndryshme për situata të ndryshme, edhe nëse aprovohet rezoluta për Kosovën, edhe nëse nuk aprovohet ose vonohet”, bëri të ditur Elshani. Nuredin Ibishi thotë se është detyrë e institucioneve të Kosovës, qofshin ato vendore apo ndërkombëtare, që ta vetëdijesojnë popullatën, se dhuna nuk çon kah zgjidhja e problemve. Ai rekomandon një përqendrim forcash të rendit në vendet më të ndjeshme, duke thënë se edhe në këtë drejtim janë bërë përgatitjet e nevojshme. “Mendoj se janë bërë përgatitje relativisht të mira në nivel të institucioneve të Kosovës, në veçanti të sektorit të sigurisë, në bashkëpunim me subjektet tjera të sigurisë ndërkombëtare. Besoj që janë të nevojshme, për të mos lejuar eskalimin e situatës”, ka thënë Ibishi. Po ashtu, edhe këshilltari për siguri në Qeverinë e Kosovës, Ramë Arifaj, thotë se situata e sigurisë është e qetë dhe stabile, por ai shton, se nëse do të ketë një shtyrje të statusit të Kosovës, kjo situatë mund të ndryshojë. “Nëse vjen deri te shtyrja e rezolutes, ky do të jetë një rrezik i madh, që mund të shprehë pakënaqësinë e pjesës më të madhe të shqiptarëve në forma të ndryshme. Por, jemi të sigurt dhe të bindur, se në një afat kohor sa më të shkurtër, në Këshillin e Sigurimit do ta kemi një rezolutë të re, e cila do të ndikojë në qetësimin e të gjitha tensioneve, qoftë te shqiptarët apo te serbët”, theksoi Arifaj. Situata e sigurisë në këtë periudhë mbetet sfidë përpara institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, edhe pse forcat e rendit pohojnë se janë të gatshme t’i përgjigjen çfarëdo situate, që mund të çojë deri te përshkallëzimi i sigurisë.

XS
SM
MD
LG