Ndërlidhjet

PRISHTINA PRET ZBUTJEN E QËNDRIMIT RUS


Zijadin Gashi

Prishtina zyrtare është në pritje të një vendimi të përbashkët për statusin e Kosovës në Këshillin e Sigurimit. Samiti G-8 shihet si një mundësi e mirë, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera me ndikim të shtyjnë procesin e nxjerrjes së rezolutës përpara, duke e bindur edhe Moskën zyrtare, që ta përkrahë rezolutën e re për Kosovën. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se presidenti George Bush e ka shprehur mendimin e vet për të ardhmen e Kosovës dhe pret që këto angazhime serioze të sjellin një vendim në Këshillin e Sigurimit. “Për ne është me rëndësi, që Kosova do të jetë temë e rëndësishme dhe nga temat bosht. Besoj se do të jetë temë, e cila do të bisedohet në mënyrën më serioze të mundshme. Është presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që ka dhënë mesazhin dhe qëndrimin e vet dhe të shtetit amerikan për të ardhmen e Kosovës. E kemi edhe një palë që deri tash ka një qëndrim hezitues. Por, për ne është me rëndësi që kjo përpjekje të nxjerrë një rezultat mbështetës, po flas atë që e dëshirojnë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe Bashkimi Evropian”, u shpreh presidenti Sejdiu. Ndërkaq, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj, thotë se Këshilli i Sigurimit e ka lënë çështjen e rezolutës pas Samitit G-8, në mënyrë që të priten rezultatet e bisedimeve të drejtpërdrejta të liderëve të vendeve më të fuqishme dhe Rusisë, në lidhje me një vendim të përbashkët për rezolutën, e cila, sipas tij, do të ishte jo vetëm në interes të Kosovës, por edhe të bashkësisë ndërkombëtare. “Shtetet mbështetëse të pakos së Ahtisaarit, në këtë rast Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, dëshirojnë ta shfrytëzojnë mundësinë që në këtë Samit, tepër të rëndësishëm, në takime të drejtpërdrejta të bindet Rusia, që edhe ajo të jetë së bashku me të tjerët në ‘bord’. Është në interesin e të gjithëve, besoj unë, që ta kemi një vendim unanim nga Këshilli i Sigurimit për të ardhmen e Kosovës dhe rezolutën e re”, theksoi Limaj. Po ashtu, edhe presidenti Fatmir Sejdiu thotë se nuk mund të lëshohet në supozime, se si do të zhvillohet procesi gjatë ditëve të ardhshme, por të gjitha angazhimet e SHBA-ve e BE-së, shtoi ai, janë shumë serioze dhe se për këtë arsye Prishtina, sipas tij, mund të besojë në përmbylljen e suksesshme të procesit. “Për ne është shumë me rëndësi angazhimi i të gjitha vendeve, që janë duke e shtyrë procesin që të ketë një përfundim të mbarë, pra mbështetjen e pakos së presidentit Ahtisaari dhe nxjerrjen e rezolutës së re. Besojmë në këtë angazhim. Nuk mund të flas për çështje të supozimeve të tjera që mund të jenë”, tha presidenti Sejdiu. Përfaqësuesit kosovarë, jo vetëm që nuk preferojnë, por as nuk besojnë në opsionet e shtyrjes së vendimit apo nxjerrjes së rezolutës për në vjeshtën e këtij viti, siç parashihet në analiza të ndryshme. Fatmir Limaj thotë se i tërë procesi i statusit është udhëhequr në Kombet e Bashkuara dhe tani, sipas tij, kur janë shterur të gjitha negociatat dhe mundësitë për një zgjidhje tjetër, do të ishte shumë e kotë që të ketë shtyrje të reja. “Të gjitha gjërat janë konsumuar në raport Kosovë - Serbi dhe komunitet ndërkombëtar. Dhe, tash është imperative dhe e domosdoshme që kjo rezolutë të nxirret. Ne presim nga ky samit, që Rusia ta zbusë qëndrimin e saj. Unë nuk dua të prejudikoj zhvillimet e mëpastajshme. Por, mos harroni që pas Samitit të G-8-ës, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të jetë në vizitë në Tiranë, e cila është një vizitë e rëndësishme jo vetëm për Tiranën, por për të gjithë shqiptarët kudo që janë në Ballkan”, vlerësoi Limaj. Në anën tjetër, përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës i mbështesin angazhimet e Rusisë, duke besuar se Moska po bën një politikë parimore mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare. Rangjel Nojkiq, nga Lista Serbe, thotë se Rusia e kupton çështjen e Kosovës më shumë sesa një çështje që shikohet si shqiptaro-serbe. Ai thotë, po ashtu, se nuk pret që për statusin e Kosovës të ketë një vendim gjatë këtij viti. “Mendoj se tash edhe udhëheqësit e institucioneve kosovare e kanë kuptuar, se kjo është një çështje shumë e komplikuar dhe se nuk ka të bëjë vetëm me Kosovën, por më gjerë”, u shpreh Nojkiq. Ai u bën thirrje institucioneve që të mos marrin hapa të nxituar, sepse kjo, sipas tij, do ta komplikonte edhe më shumë gjendjen. Draft-rezoluta për Kosovën tashmë është e hartuar, por ajo nuk i është nënshtruar procedurës së miratimit në Këshillin e Sigurimit për shkak të kundërshtimit të Rusisë. Lidershipi kosovar pret që pas Samitit të G-8-ës, kundërshtimi rus të zbutet dhe në momentin e parë që Rusia të mos e kërcënojë miratimin e rezolutës me të drejtën e vetos, ajo të vihet në miratim në Këshillin e Sigurimit.
XS
SM
MD
LG