Ndërlidhjet

VIKTIMAT E TRAFIKIMIT: FRIKA NGA HAKMARRJA


Nadie Ahmeti

Viktimat e prostitucionit të detyrueshëm nuk janë të mbrojtura në seancat gjyqësore dhe kjo është arsyeja kryesore, pse numri i trafikantëve të dënuar është shumë i vogël. Kështu thonë përfaqësues të organizatave joqeveritare, që merren me mbrojtjen e viktimave të trafikimit. Naime Sherifi, udhëheqëse e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, pohon se në shumë procese gjyqësore, viktimat e trafikimit, nga frika dhe kërcënimi, nuk dëshmojnë ose i ndryshojnë deklaratat në favor të kryesve të veprave penale. “Një ndër arsyet kryesore është se ato nuk kanë mbrojtje. Dhe për këtë, ato nuk pranojnë të dëshmojnë. Kjo është pika kryesore; është frika se çka më tutje, pas seancës gjyqësore”, tha zonja Sherifi. Edhe Hamije Dedolli, udhëheqëse e Qendrës për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, tha se viktimat janë shumë pak të mbrojtura në sistemin e drejtësisë dhe në të shumtën e rasteve, ato refuzojnë të dëshmojnë për shkak të frikës nga hakmarrja. “Normalisht, ndodh që refuzojnë. Shumë prej tyre janë të frikësuara, sepse janë të kërcënuara. Ndoshta janë të frikësuara edhe nga vetë eksperienca nëpër të cilën kanë kaluar, kështu që frikohen të dëshmojnë kundër trafikuesve”, tha zonja Dedolli. Ndërkaq, zonja Sherifi pohon se e gjithë kjo po ndodhë për shkak të mungesës së mekanizmave ligjorë për mbrojtjen e viktimave, e konkretisht mungesës së ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve. “Përderisa institucionet merren me trajtimin dhe mbrojtjen e këtyre viktimave, nga ana tjetër nuk ekziston ligji për mbrojtjen e dëshmitarit. Këtyre viktimave, të cilat dëshmojnë nëpër gjyqet tona për rastet e keqpërdorimit që janë bërë ndaj tyre, pas seancave gjyqësore nuk u ofrohet ndonjë mbrojtje e veçantë, që u duhet dhe që e meritojnë këto viktima”, u shpreh zonja Sherifi.
Basri Kastrati, nga Ministria e Drejtësisë, ndërkaq pohon se kjo ministri tashmë është duke përgatitur ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve. “Ka pasur një program në kuadër të Departamentit të Drejtësisë për mbrojtjen e dëshmitarit, program i cili ka funksionuar për raste shumë të veçanta. Mirëpo, duhet të ketë, dhe është në përpunim e sipër, ligji që shumë shpejt do të jetë gati”, theksoi zoti Kastrati. Xhevat Danqa, nga Prokuroria e Qarkut në Prishtinë, pohon se nëpër gjykata janë instaluar sistemet përkatëse mbrojtëse, të cilat mundësojnë që dëshmitarja të mos paraqitet para të akuzuarit. “Përmes mjeteve të sofistikuara, në të njëjtën kohë, mund të mbahet gjykimi në Prizren, Prishtinë apo në Pejë, dëshmitarja ta japë deklaratën, t’i shtrohen pyetjet përmes vendit tjetër. Ndërsa, në mjetet audio-vizuele, siç është TV, mund të paraqitet, nëse ajo dëshiron, zëri i saj, fytyra jo. Fytyra mund të kamuflohet, ose me katrorë mund të mbulohet. Po ashtu, ka mjete që mund ta ndërrojnë edhe zërin”, tha zoti Danqa. Por, Naime Sherifi, nga Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, pohon se derisa nuk miratohet ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve, në bazë të të cilit do të mundësohej një siguri për viktimën, vështirë se mund të flitet për parandalim të trafikimit me qenie njerëzore. “Unë mendoj, se derisa viktimat nuk janë të gatshme të dëshmojnë, drejtësia asnjëherë nuk do të arrijë në vend. Nuk kanë se si t’i akuzojnë dhe si t’i kapin trafikantët, në qoftë se viktimat nuk janë të gatshme të dëshmojnë. Seancat gjyqësore shumë herë dështojnë, për shkak të frikës që ato kanë për të dëshmuar në gjyq”, ka theksuar zonja Sherifi. Sidoqoftë, Shërbimi Policor i Kosovës, prej vitit 2004 e deri në vitin 2006, ka arrestuar 161 trafikantë dhe persona që kanë ndihmuar në prostitucion të detyrueshëm. Ndërkaq, nga Prokuroria e Qarkut në Prishtinë, për vitin 2006 janë ngritur aktakuza vetëm për 24 persona, 16 prej të cilëve janë dënuar me burgim efektiv.
XS
SM
MD
LG