Ndërlidhjet

ANALISTËT BESOJNË SE SHTYRJE MUND TË KETË


Arton Konushevci

Shtyrjen e mundshme të zgjidhjes së statusit të Kosovës, analistët e shohin si një problem, i cili mund të shkaktojë probleme të ndryshme. Analisti Ilir Dugolli ka thënë se kjo do të ishte një shprehje e pafuqisë së faktorit perëndimor, për të arritur konsensusin rreth zgjidhjes së statusit të Kosovës. Sipas tij, në një rast të këtillë, po legjitimohet status-quo-ja, blerja e kohës dhe zvarritja e çështjes, me shpresën se rrethanat do të jenë më të favorshme, sesa që janë sot. “Për fat të keq, kjo po zvarritet dhe është trendi që përgjithësisht të shtyhen gjërat. Mirëpo, nuk ka ndonjë lëvizje përmbajtjesore në bërjen për vete të Rusisë, ose neutralizimin e saj”, u shpreh Dugolli. Ai është i bindur se në rast të shtyrjes, pasojat do të jenë të pashmangshme. “Pasojat do t’i ketë, në radhë të parë, në shtimin e nervozizmit, pasigurisë dhe ankthit të kosovarëve, i cili është akumuluar dhe ekziston që një kohë të gjatë. Dhe tani, do ta forcojë atë, do ta ushqejë më tepër. Një pasojë tjetër është se kjo, në një formë, krijon hapësirë shtesë për destabilizim, për tendenca, qoftë nga jashtë, qoftë nga brenda, për të destabilizuar gjendjen, gjë që vetvetiu do të ishte problematike dhe do të krijonte rrethin veskeq të shtyrjeve të mëtejme”, ka thënë Dugolli. Analisti tjetër, Shkëlzen Maliqi, tha se ende nuk dihen të gjitha detajet, por ai beson se një shtyrje, megjithatë, është e mundshme. “Po, shtyrja besoj se do të ndodhë. Fuqitë e mëdha janë pajtuar rreth shtyrjes, sepse nuk e duan veton e Rusisë në Këshillin e Sigurimit. Ata kanë pasur një sërë marrëveshjesh të tjera që kanë qenë shumë të rëndësishme, dhe nuk duan t’i prishin raportet me Rusinë për shkak të Kosovës”, tha Maliqi. Ai shtoi se kjo do të jetë një çështje shumë delikate dhe me një shtyrje të mundshme për miratimin e një rezolute të re për Kosovën, Rusisë do t’i jepet edhe një mundësi për të kuptuar që Kosova duhet të jetë e pavarur. Në cilindo rast, zoti Maliqi është i bindur se Kosova, siç duket, nuk është çështje kryesore në agjendën e diplomacisë ndërkombëtare. “Kosova, në njëfarë dore, po del që është çështje pak më minore në mes të SHBA-ve dhe Evropës. Meqë janë arritur pajtime shumë të mëdha rreth çështjeve më madhore që janë diskutuar atje, mbrojtja raketore dhe këto marrëveshje të tjera që kanë qenë në rend të ditës, besoj se kryetarët e shteteve të mëdha në botë nuk kanë dashur të prishen me Rusinë për shkak të Kosovës”, ka thënë Maliqi.
XS
SM
MD
LG