Ndërlidhjet

ANALISTËT: VIZITA E PRESIDENTIT BUSH NË SHQIPËRI - HISTORIKE PËR KOSOVËN


Rrahman Paçarizi

Analistët në Prishtinë e cilësojnë historike vizitën e sotme të presidentit amerikan, George Bush, në Shqipëri, duke e parë atë mirënjohje për Shqipërinë dhe rrugën e saj të partneritetit dhe integrimit me strukturat euroatlantike. Ata mendojnë po ashtu, se kjo vizitë është e një rëndësie historike edhe për Kosovën, në momentet kur po vendoset e ardhmja e saj. Analisti nga Prishtina, Ismail Hasani, mendon se përveç konotacioneve historike të një miqësie tradicionale ndërmjet popullit shqiptar dhe popullit amerikan, histori që lidhet edhe me presidentin Wilson, vizita e sotme e presidentit Bush ka edhe dimensionin praktik, për t’u njohur më afër me realitetin në kontekstin ballkanik dhe refleksionet e lidershipit të shtetit shqiptar, lidhur me gjendjen aktuale dhe dinamikën që zhvillohet rreth Kosovës. “Vetë vizita është një akt historik. Është një vizitë e shumëpritur dhe konfirmim i rrugës së drejtë, që ka marrë shteti shqiptar në integrimet euroatlantike”, u shpreh Hasani. Ndërkaq, analisti politik Ibrahim Berisha mendon se vizita e presidentit Bush është një nga ngjarjet më të rëndësishme për shqiptarët përgjithësisht. “Paraqet një nga ngjarjet më të rëndësishme që kanë ndodhur në planin politik për shqiptarët dhe për Shqipërinë, e në këtë kontekst flas edhe për Kosovën. Padyshim, që kjo vizitë i jep një mirënjohje Shqipërisë, e cila në vitet e fundit ishte një partner vazhdimisht në ngritje i Perëndimit, e në këtë rast edhe i Amerikës”, ka theksuar Berisha. Analistët Berisha e Hasani mendojnë, se pavarësisht faktit që kjo vizitë nuk i bëhet Kosovës, por Shqipërisë, ajo ka shumë rëndësi. “Për Kosovën do të thotë shumë, në këtë moment kur pritet miratimi i një rezolute të re, që definon në mënyrën më përkatëse të ardhmen e Kosovës”, tha zoti Ibrahim Berisha, ndërkohë që analisti Ismail Hasani e sheh këtë si një mundësi për lidershipin kosovar, që të reflektojë më tepër në planin e procesit lidhur me përcaktimin e statusit. “Prej vetë faktit që të qenit shqiptar në Evropën Juglindore tani ka dimensione të tjera, mendoj që kjo jep shenja për të reflektuar edhe lidershipi kosovar më tepër. Dhe e gjithë kjo vizitë zhvillohet në kontekstin e asaj, që janë pritjet prej SHBA-ve, përkatësisht prej presidentit Bush”, tha Hasani. Gjithsesi, analistët në Prishtinë pajtohen se vizita e parë e presidentit amerikan, George Bush, në Shqipëri, është e një rëndësie të veçantë për aspiratat e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, ndërkohë që ka domethënie të madhe dhe dërgon sinjale të rëndësishme, jo vetëm për lidershipin dhe popullin e Kosovës, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare, lidhur me pozicionin amerikan kundruall Kosovës.
XS
SM
MD
LG