Ndërlidhjet

ÇEKU: PRESIDENTI BUSH SHPALLI PAVARËSINË E KOSOVËS


Zijadin Gashi

Vizita e presidentit amerikan George W. Bush në Shqipëri është historike, ndërkaq mesazhet e tij për pavarësinë e Kosovës tregojnë se procesi i statusit do të përmbyllet me realizimin e aspiratave të Kosovës për pavarësi, kanë vlerësuar sot udhëheqësit dhe përfaqësuesit politikë kosovarë. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, gjatë një manifestimi të mbajtur sot në Prizren, tha se vizita e presidentit Bush duhet të konsiderohet si historike, jo vetëm për të gjithë shqiptarët, por edhe për Evropën Juglindore. “Është vizitë historike dhe e falënderojmë për mbështetjen e fuqishme që i ka dhënë edhe Shqipërisë edhe shqiptarëve, por edhe Evropës Juglindore për të ecur në procesin e reformave”, është shprehur presidenti Sejdiu. Ndërkohë, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, kryeministri Agim Çeku tha se Kosova nuk ka dyshuar asnjëherë në angazhimin amerikan dhe të presidentit Bush. Deklaratat e sotme të presidentit Bush, kryeministri i Kosovës tha se i sheh, në një formë, edhe si shpallje të pavarësisë së Kosovës. “Ne nuk kemi pasur fare dyshime në mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pavarësinë e Kosovës. Presidenti Bush e dha sot një mesazh shumë të qartë, në njëfarë mënyre, ai sot edhe shpalli pavarësinë e Kosovës. Unë kam edhe informacione për takimet që ai ka zhvilluar me zyrtarët në Shqipëri dhe porosia e tij është shumë e qartë. E kjo porosi është që populli i Kosovës duhet të jetë i qetë, rezultat i këtij procesi është pavarësia e Kosovës, si zgjidhja e vetme realiste dhe pragmatike. Dhe, koha është tani”, ka theksuar kryeministri Çeku. Kurse nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj, tha se mesazhet që presidenti Bush i ka dhënë sot në Tiranë, janë mesazhe të qarta, që përcaktojnë rrugën e Kosovës drejt pavarësisë së saj. “Presidenti Bush ka folur për herë të parë drejtpërdrejt për Kosovën dhe deklarimet e tij janë në drejtim të statusit përfundimtar të Kosovës. Ai edhe një herë konfirmon qëndrimin definitiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën, të cilat deklarohen hapur për pavarësinë e Kosovës dhe sa më shpejt kjo çështje të përmbyllet. Prandaj, edhe vizita e presidentit Bush në Shqipëri është edhe një sinjal i qartë për atë se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura për përmbylljen e statusit të Kosovës dhe atë në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës“, ka pohuar Limaj. Në anën tjetër, kryeministri Agim Çeku tha po ashtu se procesi i pavarësimit është i paevitueshëm, por edhe i komplikuar. Ndërsa partnerët ndërkombëtarë, sipas Çekut, po përkujdesen që Kosova të jetë e pavarur, lidershipi i Kosovës, në anën tjetër, ka edhe angazhime të brendshme. “Edhe një herë Shtetet e Bashkuara të Amerikës e rikonfirmuan mbështetjen e tyre të fuqishme për pavarësinë e Kosovës. Por, ne duhet të jemi të vetëdijshëm, se ky proces i njohjes ndërkombëtare të shtetit sovran të Kosovës është një operacion i ndërlikuar në kuadër të zhvillimeve globale politike. Dhe, ne nuk mund ta ndryshojmë këtë, është më i madh sesa që jemi ne, por ka plot gjëra që ne mund t’i kontrollojmë, e ato janë, uniteti politik, stabiliteti i brendshëm dhe partneriteti me miqtë dhe aleatët tanë ndërkombëtarë. Këto janë gjëra që ne mund t’i kontrollojmë, gjëra në të cilat ne duhet të kontribuojmë dhe kultivojmë, dhe gjëra që e bëjnë realitet pavarësinë e Kosovës në një kohë shumë të shkurtër”, ka vlerësuar Çeku. Në përgjithësi, si autoritetet kosovare ashtu edhe analistët dhe mediat, vlerësojnë se pas vizitës së presidentit Bush në Tiranë, Shqipëria do të jetë më afër NATO-s, kurse Kosova do të jetë më afër realizimit të synimeve të saj për pavarësi.


XS
SM
MD
LG