Ndërlidhjet

logo-print

BUSH: REZULTATI PËRFUNDIMTAR ËSHTË PAVARËSIA E KOSOVËS


Presidenti Bush vizitoi Shqipërinë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George E. Bush tha sot në Shqiperi se Kosova do të jetë e pavarur.
“Unë jam përkrahes i fuqishëm i planit të Ahtisaarit. Koha është tash. Ne duhet të bëjmë përparime, rezultati përfundimtar është pavarësia. Unë dua të qartësojë për të gjithë se pavarësia është rezultati i fundit, ky proces duhet të avancohet. Janë dy pika kryesore: e para duhet të ecet shpejtë në përparime , dhe e dyta rezultati përfundimtar është pavarësia”, ka thënë presidenti i Shteteve të Bashkuara George Bush, gjatë vizitës së tij të parë në Shqipëri, që ishte edhe vizita e parë e një presidenti amerikan në detyrë në shtetin shqiptar.
Presidenti amerikan George Bush, ka hequr dilemat rreth kundërshtimit rus për pavarësinë e Kosovës, pasi sic ka thënë ai nuk mund të ketë dialog të pafund dhe se tani është koha që të veprohet.
“Ajo që është e rëndësishme që populli i Kosovës të dijë është se SHBA-të e përkrahin plotësisht pavarësinë e Kosovës sikurse edhe shumë vende në G8”, tha presidenti Bush, duke komentuar propozimin e presidentit francez Nikola Sarkozi për një shtyrje 6 muajshe të zgjidhjes së statusit final.
”Rekomandimet e Sarkozit kanë qenë që të kalohet pak kohë derisa të tejkalohen dallimet, megjithatë, ajo që do të jetë e pranueshme për SHBA-të është se në fund të procesit pavarësia duhet të jetë e sigurtë. Unë besoj se procesi duhet të avancohet, koha është tash dhe me këtë nënkuptojë se sekretarja Rice do të veprojë fuqishëm për të arritur pajtim, nëse s’ka pajtim, ne duhet të lëvizim përpara. Pavarësia është qëllimi dhe këtë duhet ta dijë populli i Kosovës”, tha presidenti Bush duke shtuar se përpjekjet në G8 kanë qenë që ky përfundim të jetë i pranueshëm për Rusinë, por ende nuk ka një përgjigjje pozitive prej Rusisë.
“Ju i shihni diplomatët të punojnë me diplomatët rusë dhe atë të Bashkimit Evropian për të gjetur një bazë të përbashkët, dhe kjo ka qenë ide e mirë, por kur përfundoni një pozicion që zgjidhja nuk gjendet, heret ose vone ju do te thoni: mjaft është mjaft, - Kosova është e pavarur. Dhe ky është pozicioni që kemi marrë dhe njerëzit e Kosovës duhet ta dinë se ky është një qëndrim solid dhe i fortë”, tha presidenti amerikan.
Presidenti amerikan George Bush ka thënë se është i brengosur se pritjet për zgjidhjen e cështjes së Kosovës nuk janë duke u përmbushur, kështu që ka kërkuar nga kryeministri shqiptar, që të flasë me lidershipin kosovar dhe t’u kërkojë atyre që të ruhet durimi në këtë fazë finale.
Presidenti amerikan ka inkurajuar institucionet shqiptare, që të punojnë më shumë në zbatimin e reformave politike dhe ushtarake, në rrugën e Shqipërisë kah integrimi në Aleancën Veriatlantike.
“Është e rëndësishme për politikanët të kuptojnë se cka është e rëndësishme, politikanët duhet të punojnë së bashku për të arritur standardet. Ju duhet të lini anash diferencat poltike dhe të fokusoheni në atë se cka është e mirë për Shqipërinë, nëse shqiptarët duan të anëtarësohen në NATO atëherë poltikanët duhet të përmbushin standardet”, tha presidenti Bush për të shtuar:
“Ne ju përkrahim, dhe mezi pres ditën kur t’iu uroj mirëseardhje në NATO”, tha presidenti Bush, duke e cilësuar Shqipërinë si një mik të besueshëm dhe aleat të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri shqiptar Sali Berisha e cileësoi vizitën e parë të një presidenti amerikan në Shqipëri ditë historike. Ai e siguroi presidentin Bush se Shqipëria dhe populli i saj janë krenarë për miqësinë me SHBA-të dhe se vazhdojnë të ushqejnë ndjenjat e mëdha pro-amerikane. Berisha e siguroi presidentin Bush, se Shqipëria do të vazhdojë të jetë aleate e SHBA-së dhe do të aderojë edhe më tej trupa shqiptarë në luftën globale kundër terrorizmit.
“Ju siguroj se do të jenë me ju ku të ketë nevojë për të dhënë ndihmeseën e tyre të vogël dhe modeste, por të vendosur, kundër terrorizmit ndërkombëtar, këtij armiku më të rrezikshëm të popujve të lirë”, tha Berisha.
Vizita e parë e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës George E. Bush në Shqipëri është pritur me një entuziazëm të madh, përderisa rrugët e Tiranës kanë qenë të mbushura me qytetarë të shumtë, që me flamuj amerikanë në duar e kanë përshëndetur presidentit amerikan. Presidenti Alfred Mojsiu e ka dekoruar presidentin Bush me Urdhërin e Flamurit, që është medalja më e lartë shtetërore, që deri tash i është dhënë vetëm presidentit Bill Klinton dhe presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova.
Presidenti Bush ka marrë pjesë edhe në takimin me kryeministrat e vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut.
Në pikën e fundit të vizitës së tij, në Fushë- Krujë, presidenti amerikan George Bush është futur në mes të turmës së njerëzve që e kane pritur me brohoritje, dhe është përqafuar përzemërsisht me ta.
Në oren 17 e 30 minuta presidenti Amerikan George Bush u largua nga Shqipëria duke lënë pas vetes dy shpresa të mëdha - për shqiptarët e Kosovës- zotimin për pavarësinë e sigurtë- për ata të Shqipërisë - integrimin e shpejtë në NATO.

Albana Isufi
XS
SM
MD
LG