Ndërlidhjet

logo-print

EKIPI I UNITETIT I RELAKSUAR PAS DEKLARATAVE TË PRESIDENTIT BUSH


Zijadin Gashi

Ekipi i Unitetit në Prishtinë ka përshëndetur edhe sot qëndrimin e presidentit George W. Bush në mbështetje të pavarësisë së Kosovës. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se Prishtina mbetet e përkushtuar, që të vazhdohet me politikën që po ndjekin Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, për të shikuar të gjitha mundësitë që rezoluta e re për Kosovën të nxirret në Këshillin e Sigurimit. Mirëpo, Sejdiu tha po ashtu, se nëse shteren mundësitë që kjo rezolutë të miratohet, atëherë në koordinim me aleatët ndërkombëtarë, Kosova do të ndërmarrë edhe veprimet e nevojshme në lidhje me statusin e saj. “Për ne është shumë me rëndësi, që të jetë kjo qasje që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, që të nxjerrin një tekst apo rezolutë të mbështetur bashkërisht prej të gjithëve. Dhe nëse kjo nuk ec, sigurisht se do të ketë edhe pjesë të alternativave tjera. Për ne është me rëndësi, si Kosovë, të jemi në bashkëpunim shumë të thellë me të gjithë ata, që fuqishëm e kanë mbështetur dhe e mbështesin Kosovën, të tashmen dhe të ardhmen e saj”, është shprehur presidenti Sejdiu. Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës Agim Çeku, në adresimin e tij javor për qytetarët, ka thënë se ka ndjerë thellë shqetësimin e qytetarëve, fundjavën e kaluar, pas disa momenteve paqartësie që u krijuan lidhur me rezultanten e takimit të G8-ës për Kosovën. Mirëpo, kjo paqartësi dhe dilemë, sipas tij, ka ndryshuar dhe është qartësuar me deklaratat e djeshme të presidentit Bush në Tiranë. “Vizita e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri dhe deklaratat e tij të fuqishme pro pavarësisë, i qetësuan zemrat tona dhe sollën qartësinë e pritur. ‘Rezultati përfundimtar do të jetë pavarësia e Kosovës, tani është koha, populli i Kosovës duhet të ruajë qetësinë’, këto janë mesazhet dhe porositë e fuqishme që na dha presidenti Bush, ky mik i madh i shqiptarëve”, ka thënë kryeministri Çeku. Përderisa udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe ata të partive më të mëdha politike shqiptare i kanë vlerësuar deklaratat e presidentit Bush edhe si një lloj shpalljeje të pavarësisë së Kosovës, bartësi i Listës Serbe, Oliver Ivanoviq, thotë se nuk i sheh si vendimtare deklaratat e presidentit Bush, pasi që presidenti amerikan, sipas tij, më shumë deshi të jetë i dashur për masën, e cila e priti dje në mënyrë madhështore në Shqipëri. “Mendoj se deklaratën e presidentit Bush nuk duhet nënçmuar, por as mbiçmuar. Mirëpo, deri te qëndrimet serioze për statusin e Kosovës mund të arrihet vetëm pasi që Bush dhe Putin t’i kenë analizuar rezultatet e Samitit të G-8-ës”, tha Ivanoviq, i cili beson se SHBA-të nuk do të nguten lidhur me statusin e Kosovës dhe nuk do të marrin vendim pa Moskën, dhe as nuk do të prishin partneritetin me BE-në për Kosovën. Mirëpo, në anën tjetër, udhëheqësit kosovarë besojnë në deklaratat e presidentit Bush dhe zotohen se janë duke përgatitur vendin për pavarësi. Në takimin e sotëm, Ekipi kosovar ka shqyrtuar punët që po bëhen në hartimin e draftit të Kushtetutës së Kosovës, si dhe ka miratuar kriteret për simbolet e Kosovës. Presidenti Sejdiu tha, se pavarësisht nëse vendimi për statusin do të kalojë përmes Këshillit të Sigurimit apo përmes një vendimi për shpalljen e pavarësisë në Kuvendin e Kosovës, që quhet si plani ‘B’, shumica e vendimeve dhe veprimet e Prishtinës do të jenë valide në të dy rastet. “Disa parime themelore, që i kemi proklamuar, do t’i mbajmë. Për ne është shumë me rëndësi oferta që kemi bërë për të gjithë qytetarët e Kosovës, se Kosova do të jetë shtet demokratik e i pavarur për të gjithë, edhe për shumicën e përgjegjshme, por edhe për pakicat. Është shumë me rëndësi që të ecim bashkë në procesin e pajtimit qytetar, duke mos harruar atë që ka ndodhur, por të jetë ofertë normale për të gjithë qytetarët e komunitetit pakicë, flas për atë serb”, ka theksuar presidenti Sejdiu. Ndërkohë, edhe kryetari i Komisionit Kushtetues si dhe i grupit punues për simbolet, Hajredin Kuçi, tha se Prishtina do t’i koordinojë veprimet e veta me bashkësinë ndërkombëtare në të gjitha opsionet e mundshme, për marrjen e vendimit lidhur me statusin e Kosovës. “Edhe në variantin e parë, edhe në të dytin, do të jemi në kontakt permanent me bashkësinë ndërkombëtare. Edhe në variantin e parë, edhe në të dytin, ne do të jemi ata që do t’i bëjmë kriteret dhe Kushtetutën për shtetin e Kosovës”, ka pohuar Kuçi. Ndërsa për flamurin dhe stemën u tha se konkursi do të mund të shpallet që nga e mërkura, për himnin është lënë që të procedohet në një periudhë më të gjatë kohore. Pakoja e Ahtisaarit, si bazë e këtyre simboleve, parasheh që simbolet e Kosovës të pasqyrojnë karakterin e saj shumetnik.
XS
SM
MD
LG