Ndërlidhjet

PENGESAT NË LUFTËN KUNDËR KORRUPSIONIT


Nadie Ahmeti

Institucionet vendore po pengojnë ngritjen e Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, duke penguar kështu edhe luftën kundër këtij fenomeni. Kështu ka thënë drejtori i kësaj agjencie, Hasan Preteni, duke vlerësuar se me numrin aktual të të punësuarve dhe me buxhetin që është ndarë për këtë agjenci, vështirë se do të mund të parandalohet korrupsioni. “Ligji kundër korrupsionit parasheh që agjencia t’i ketë 35 zyrtarë. Për momentin, agjencia i ka 15 zyrtarë. Për 35 të punësuar, buxheti i kërkuar është 540 mijë euro, mirëpo ligji për buxhet ka ndërhyrë që agjencia t’i ketë 15 të punësuar dhe 420 mijë euro”, tha zoti Preteni. Zyrtarë të Qeverisë pohojnë se numri i të punësuarve në këtë agjenci nuk është pengesë për luftimin e kësaj dukurie. Habit Hajredini, nga Zyra për Qeverisje të Mirë, thotë se agjencia është organ që është zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës dhe me këtë çështje duhet të merret ky institucion. “Parlamenti është ai që ka zgjedhur këtë organ. Parlamenti ka përgjegjësi për t’i iniciuar të gjitha këto, sepse ky organ është i pavarur nga Qeveria. Natyrisht, nëse kërkesat adresohen tek Qeveria, ne bëjmë çdo gjë për ta zhvilluar procesin”, pohoi zoti Hajredini. Por, për zotin Preteni, këto janë paqartësi që janë krijuar në mes të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës. Sipas tij, Qeveria është ajo që duhet të merret me numrin e punëtorëve. “Qeveria vendos për numrin e të punësuarve. Neve na ka zgjedhur dhe emëruar Kuvendi. Mirëpo, në relacionin Kuvend-Qeveri ekzistojnë disa probleme. Kuvendi thotë se nuk merret me paga, ndërkaq Qeveria pohon se i ka emëruar Kuvendi. Dhe këtu luhet një lojë ping-pongu”, u shpreh zoti Preteni. Ai pohoi se nga qytetarët e Kosovës janë paraqitur 60 dyshime për raste korruptive dhe me katër punëtorë, sa ka Departamenti i Hetuesisë në këtë agjenci, vështirë se mund të ketë sukses në adresimin e këtyre dyshimeve. “Në atë departament është paraparë që të punësohen deri në 13 zyrtarë. Për momentin, kemi katër punëtorë. Informata ka shumë. Kemi obligime ligjore, që ndaj personave, të cilët informojnë për korrupsion, brenda 60 ditësh t’i informojmë për fatin e informatës së tyre. Me katër persona është problem të zgjidhen të gjitha këto informata dhe obligime”, theksoi zoti Preteni. Edhe Habit Hajredini, nga Qeveria e Kosovës, pohon se korrupsioni është i pranishëm në të gjitha sferat e shoqërisë kosovare, por ai thotë se agjencia ka obligim që të hulumtojë dhe identifikojë, se në çfarë formash është i pranishëm ky fenomen. “Në rastin konkret, si në çdo shoqëri në tranzicion edhe në ato me demokraci të përparuar, korrupsioni është i pranishëm. Dhe ne nuk e mohojmë se edhe në Kosovë, flas në përgjithësi, nuk ka korrupsion. Ai mund të jetë i pranishëm kudo”, u shpreh zoti Hajredini. Sipas Ligjit Kundër Korrupsionit, agjencia ka për detyrim t’ia përcjellë Prokurorisë Publike të Kosovës çdo informatë që ka të bëjë me shkeljet e mundshme korruptive. Drejtori i Agjencisë Anti-Korrupsion, Hasan Preteni, deri më tash nuk ka publikuar të dhënat, se sa raste të dyshuara korruptive janë dërguar për shqyrtim në prokurori.
XS
SM
MD
LG