Ndërlidhjet

QYTETARËT E KOSOVËS TË ENTUZIAZMUAR ME VENDOSMËRINË E PRESIDENTIT AMERIKAN PËR PAVARËSI


Arton Konushevci

Qytetarët e Kosovës, vizitën e djeshme të presidentit amerikan George Bush, në Shqipëri, vazhdojnë ta vlerësojnë si shumë të rëndësishme, duke thënë se me fjalimin e tij, ai ka bërë të qartë se Kosova do të jetë e pavarur. Ali Thaçi mendon se zoti Bush ka dhënë një garanci të qëndrueshme për Kosovën. “Unë mendoj se ai jep një garanci shumë të madhe për statusin e Kosovës dhe do të jetë ashtu siç ka thënë ai”, shpreh bindjen e tij zoti Thaçi. Xhevdet Gjocaj thotë se ajo që është thënë nga presidenti Bush, është dëshmi e palëkundur. “Presidenti i SHBA-ve është përkrahës i denjë i Kosovës dhe ka deklaruar në mënyrë të fuqishme, se Kosova do të jetë së shpejti shtet i pavarur”, tha zoti Gjocaj. Artan Spahiu ndjehet i lumtur, se edhe Kosova tash është bërë shtet. “Mendoj dhe besoj, se që dje Kosova është e pavarur. Është bërë edhe një shtet i ri që dje”, tha zoti Spahiu. Për Ibrahim Shalën, ajo që ka thënë presidenti amerikan, është garanci e madhe për Kosovën. “Ka qenë moment i madh për Kosovën. Ajo që ai publikoi në Tiranë, është një garanci e madhe. Ne i besojmë shumë fjalës së Amerikës edhe shpresojmë se me sukses ajo do ta përmbyllë ketë premtim dhe angazhim”, pohoi zoti Shala. Tahir Krasniqi, fjalimin e zotit Bush e cilëson si konfirmim të pavarësisë. “Unë mendoj se Kosova do të bëhet e pavarur, ashtu siç e ka konfirmuar edhe vetë presidenti Bush në Itali dhe në Shqipëri. Nuk ka alternativë tjetër. Krejt populli i Kosovës e di këtë, e di e gjithë bota, me përjashtim të Serbisë, e cila nuk do ta dijë këtë”, theksoi zoti Krasniqi. Xhejlane Hoxha beson në pavarësinë e Kosovës pas asaj që ka thënë presidenti Bush në Tiranë. “Së pari besoj se është realitet, që Kosova duhet të jetë e pavarur. Kjo është e tëra që mund të them”, u shpreh zonja Hoxha. Myzafer Luma ka thënë se kosovarët tani duhet të punojnë dhe ta ruajnë qetësinë. “Unë besoj se duhet të sillemi konform vendosmërisë së SHBA-ve, për ta ruajtur qetësinë dhe gjithsesi rezultati final është pavarësia”, tha zoti Luma. Ajshe Jahaj thotë se presidenti amerikan ka hequr dilemat, që mund të kenë ekzistuar rreth pavarësisë. “Ma merr mendja se e ka thënë fjalën e vet, që edhe e kemi pritur prej amerikanëve. Përndryshe, populli shqiptar, Kosova e ka merituar, ndoshta para pesë vjetëve. Unë jam e kënaqur edhe më vjen mirë që dilemave mes njerëzve dhe partive, u ka dhënë fund”, është shprehur zonja Jahaj. Kimete Budima thotë se pret jetësimin e asaj që është thënë në Tiranë. “Është historike për ne. Është e shumëpritur nga ne. Realizimin e presim, asgjë tjetër”, ka thënë zonja Budima. Rasim Thaçi thotë se para presidentit aktual George Bush, pavarësinë e ka përmendur i pari, i ati i tij. “Bushi i moçëm, para disa vjetëve e ka përmendur të njëjtën gjë, veç në një mënyrë tjetër e ka thënë, më duket në Shqipëri. E tash, djali i tij këtë veç sa e ka forcuar. Unë shumë u besoj fjalëve të tij”, ka thënë zoti Rasim Thaçi.
XS
SM
MD
LG