Ndërlidhjet

SHTYPI NDËRKOMBËTAR MBI STATUSIN E KOSOVËS


"Wall Street Journal", "United Press International", "Daily Telegraph"

Presidenti Bush të dielën është pritur si një hero në Shqipëri dhe gjasët janë që shumë pak amerikanë mund ta dijnë pse, shkruan në numrin e sotëm e përditshmja amerikane “Wall Street Journal”. Arsyeja është mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën, e cila ka qenë temë krizash gjatë viteve të 90’ta dhe tani është duke u shfaqur si një proplem potencial, duke iu falënderuar Vladimir Putinit. Nëse Rusia vë veton mbi planin e ndjeshëm të Ahtisaarit, Kosova ka të drejtë të shpallë pavaësinë dhe të kërkojë njohje ndërkombëtare, që do të vinte nga perëndimi. Forcat e NATO-s ndërkaq duhet të jenë të përgatitura nëse paramilitarët serbë kërcënojnë të hyjnë në Kosovë apo nëse dhuna ndëretnike shpërthen. Qëndrimi i zotit Bush në emër të së drejtës për vetëvendosje dhe liri të vendeve të vogla ilustron atë që Amerika më së miri bën në Evropë, duke iu kundërpërgjigjur liderit të Kremlinit me synime neo-imperialiste mbi pjesën lindore të kontinentit, shkruan “Wall Street Journal”.
Agjencia e lajmeve “United Press International”, citon zotin Paul Williams, profesor në Universitetin Amerikan, të ketë thënë se Rusia është më serioze mbi çështjen e Kosovës se që është besuar fillimisht dhe amerikanët, njësoj sikurse evropianët, nuk kanë qenë të përgatitur për diçka të këtillë. “Rusia viteve të fundit në një formë ia ka dorëzuar Ballkanin Amerikës dhe Evropës, por sot synon ritkhimin. Ky rajon, është ‘oborri’ i Rusisë dhe është një çështje e lehtë për Rusinë që të sforcojë agjendën e saj me çështje të tjera, sepse nëse gjërat marrin të keqen në Kosovë, kjo nuk do të krijojë shumë probleme për Rusinë”, ka thënë zoti Williams për agjencinë “United Press”. Sipas tij, në raport me pavarësinë e Kosovës, ekziston plani A dhe plani B. “Plani A është zgjidhja nëpërmjet Këshillit të Sigurimit, nëse Rusia bindet të abstenojë dhe nëse kjo ndodhë, kosovarët do të mbikqyren nga evropianët dhe forcat paqeruajtëse do të mbeten në terren”. Plani B, sipas zotit Williams, “është më i rrezikshëm; ai nënkupton shpalljen e njëanshme të pavarësisë, që do të mund të nxiste një numër shqetësimesh, duke filluar nga dilemat nëse Kosova mund të jetë anëtare e organizatave ndërkombëtare”. Por, ka thënë zoti Williams për UPI, më e rëndësishmja është mundësia që serbët në veri të Kosovës të mos e njohin pavarësinë dhe të ndahen nga pjesa tjetër.
E përditshmja “Daily Telegraph” vlerëson se nuk është aspak i befasishëm reagimi ekstrem i kryeministrit serb, Vojisllav Koshtunica, mbi mbështetjen amerikane për pavarësinë e Kosovës. Fakti se lufta e Kosovës për pavarësi nga Serbia ka lindur në dhunë është një arsye për shqetësim, veçanërisht në vendet që kanë probleme separatiste, sikur që është Spanja. Por, shkruan “Daily Telegraph”, shtyrja e pafundme e pavarësisë në kundërshtim me synimet e kosovarëve rrezikon më shumë.
Kërcënimi i Rusisë me veto duhet testuar, meqë më shumë tingëllon si kundërshtim ndaj Perëndimit dhe jo si dashuri ndaj serbëve. Por, megjithatë, nëse Moska vendosë ta shfrytëzojë atë, edhe “Daily Telegraph” shkruan se Kosova duhet të shpallë pavarësinë dhe të njihet nga Amerika dhe Bashkimi Evropian, me kusht të përmbushjes së rekomandimeve të Ahtisaarit. Në praktikë, mekanizmat ndërkombëtarë njihen për ngurimin e tyre në njohjen e realiteteve politike dhe nëse procesi vazhdon të jetë i bllokuar në Kombet e Bashkuara, atëherë do të jetë vendim i atyre vendeve që kanë investuar më së shumti për të ardhmen e Kosovës që ta çojnë cështjen përpara, shkruan në fund “Daily Telegraph”.
XS
SM
MD
LG