Ndërlidhjet

NË 8-VJETORIN E ÇLIRIMIT, KOSOVARËT MË OPTIMISTË PËR TË ARDHMEN


Albana Isufi

Kosovarët ndjehen më optimistë në këtë tetë-vjetor të hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, apo në Ditën e Lirisë, siç ka nisur të quhet tani ky përvjetor. Deklarata e presidentit George Bush për mbështetjen e fuqishme të pavarësisë së Kosovës, ka bërë që institucionet të shpresojnë se status-quo-s po i jepet fundi. Në një mesazh urimi për Ditën e Lirisë, presidenti Fatmir Sejdiu ka siguruar qytetarët, se sivjet pavarësinë Kosova do ta ketë edhe de jure. “Në këtë qershor historik për Kosovën, kur presidenti George Bush, kryetari i shtetit që ka prirë në aksionin e NATO-s për Kosovën, dha fjalën se e kanë prerë mendjen për pavarësinë e paevitueshme të vendit tonë, ne kosovarët, shqiptarë shumicë dhe pakicat, mbesim të përkushtuar ta kultivojmë lirinë, që u
shërben të gjithëve”, ka cituar deklaratën e presidentit zëdhënësi i tij, Xhavit Beqiri. Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar se Kosova në këto 8 vjet ka pasur një përparim, që është arritur në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare. Ai ka thënë se në këtë tetë-vjetor, Kosova po kalon ditët vendimtare për statusin e saj, deri tash të pazgjidhur.“Tash jemi duke kaluar ditët e çlirimit dhe të lirisë së Kosovës, që u arrit para 8 vjetësh, kur edhe krijuam realitetin e Kosovës së pavarur. Tash po presim edhe vendimin për zyrtarizimin e pavarësisë dhe ky vendim do të ndodhë shumë shpejt. Përsëri do të vazhdojmë bashkërisht përkushtimet e Kosovës dhe ndërkombëtarëve, në mënyrë që Kosova të jetë pjesë e mekanizmave euro-atlantikë”, ka thënë Thaçi. Ditën e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, ua ka uruar qytetarëve kosovarë edhe komandanti i KFOR-it, Roland Kather. Pas një takimi që pati me kreun e PDK-së, Hashim Thaçi, gjenerali Kather ka thënë se Kosova në këto 8 vjet është zhvilluar shumë, dhe se tash duhet fokusuar në integrimin e plotë të shoqërisë. “Ky është një proces demokratik dhe kohë shumë e vështirë. Është problem shumë kompleks dhe jam i kënaqur që njerëzit e kanë marrë mesazhin, se ky është proces demokratik dhe ne do të shkojmë përmes tij, si partnerë dhe miq. Dhe, KFOR-i do marrë pjesë në të”, ka theksuar gjenerali Kather, duke siguruar qytetarët, se pavarësisht se çfarë do të ndodhë me statusin, KFOR-i do të mbesë edhe për një periudhë afatgjate në Kosovë, për të ofruar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes. Ndërkohë, këshilltari i kryeministrit, Arben Qirezi, thotë se tetë vjet pas çlirimit, jo vetëm Kosova, por edhe rajoni është duke u stabilizuar çdo ditë e më tepër. “Rajoni sot merr frymë më lirisht, por frymëmarrja e rajonit dhe zhvillimi i tij, ecja drejt përparimeve në demokraci dhe në integrimet euroatlantike, pa dyshim se do të jenë më të qëndrueshme me pavarësinë e Kosovës. Ne besojmë, si Qeveri, se kjo do të arrihet shumë shpejt”, është shprehur Qirezi. Ai tha se deklarata e presidentit George Bsuh për pavarësinë e Kosovës do t’i japë shpejt fund status-quo-s së krijuar për 8 vjet në Kosovë. “Deklarata e presidentit Bush për pavarësi është një rikonfirmim i fuqishëm i politikës, jo vetëm i SHBA-ve, por edhe vendeve të tjera partnere të SHBA-ve. Megjithatë, kjo tregon se SHBA-të ende kanë rolin e udhëheqësit të proceseve në Ballkanin perëndimor, në Evropën Juglindore, dhe shihet se edhe BE-ja ka nevojë për këtë lidership të SHBA-ve”, tha Qirezi. Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditësh bombardimi mbi caqet serbe, forcat paqeruajtëse të NATO-s, hynë në Kosovë, duke i dhënë fund dhunës së regjimit serb mbi shqiptarët e Kosovës.

XS
SM
MD
LG