Ndërlidhjet

A DO TË DËSHTOJË STRATEGJIA DHE PLANI ZHVILLIMOR I KOSOVËS?


Nadie Ahmeti

Ende nuk dihet se kur do të përfundojë dhe do të dalë për miratim në Kuvendin e Kosovës, Strategjia dhe Plani Zhvillimor i Kosovës për vitin 2007-2013. Përderisa zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se janë duke punuar në mënyrë intensive për përfundimin e kësaj strategjie, ekspertë vendorë për çështje ekonomike pohojnë se kjo strategji do të dështojë. Dardan Stublla, këshilltar i ministrit të Ekonomisë dhe Financave, thotë se pas miratimit të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve nga Qeveria e Kosovës, edhe strategjia shumë shpejt do të përfundojë. Kjo strategji me një vendim të Qeverisë së Kosovës, në fund të vitit 2006 ka kaluar në mbikëqyrje të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave. “Ministria e Ekonomisë dhe Financave është duke punuar në mënyrë të shpejtuar dhe është e fokusuar në strategji. Me një punë të shpejtë dhe të mirë, së shpejti do të dalë edhe me strategji”, tha zoti Stublla. Musa Limani, kryetar i Lidhjes së Ekonomistëve të Kosovës, ndërkaq thotë se në bazë të draftit të parë të kësaj strategjie, të cilin ai thotë se e ka analizuar, kjo strategji nuk posedon elementet kryesore të një strategjie të mirëfilltë dhe për këtë, ai e quan të dështuar. Zoti Limani shton se ky dokument nuk ka qasje metodologjike, shkencore dhe as profesionale. Kjo strategji, sipas tij, është e punuar vetëm në bazë të disa citateve të raporteve të organizatave ndërkombëtare. “Nuk ka një bazament. Nuk ka të dhëna statistikore, në të cilat duhet të mbështet parashikimi i zhvillimit ekonomik, duke filluar nga GDP-ja, nga popullsia, nga dinamika e zhvillimit etj.”, u shpreh zoti Limani. Ai pohoi se Qeveria e Kosovës duhet ta marrë shumë seriozisht këtë proces, pasi sipas zotit Limani, kjo strategji është dokument që i hap rrugë Kosovës drejt pranimit dhe mbështetjes financiare nga Bashkësia Evropiane. “Sido që të jetë, ajo tashmë duhet të jetë gati. A do të jetë nesër apo pasnesër, është çështje e Qeverisë dhe e bartëseve të kësaj strategjie. Por, dje po ta kishim strategjinë, do të ishte vonë, e jo sot, e mos të flasim për nesër”, tha zoti Limani. Por, Dardan Stublla, nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, është i bindur se kjo strategji do të funksionojë dhe si e tillë do të prezantohet në konferencën e donatorëve, që thuhet se do të mbahet pas zgjidhjes së statusit. “Strategjia do të jetë edhe një ndër bazat dhe themelet për konferencën e donatorëve, e cila pritet të mbahet pas zgjidhjes së statusit”, theksoi zoti Stublla. Ndërkaq, Musa Limani pohon se ky material nuk garanton dhe nuk josh investitorët e huaj në konferencën e donatorëve. “Nuk mund të jetë dokument, i cili duhet të prezantohet para donatorëve, sepse nuk ka çka t’u ofrojë. Prandaj, për konferencën e donatorëve duhet të përgatitet një material në aspektin profesional, në nivelin më të lartë, që do t’i bindë donatorët, se Kosova ka kushte dhe faktorë për zhvillimin ekonomik dhe ata duhet të investojnë në Kosovë”, ka thënë zoti Limani. Ndryshe, kjo nuk është strategjia e parë që ka filluar të përgatitet pas përfundimit të luftës. Një strategji për zhvillimin e Kosovës e pati hartuar edhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e cila nuk pati gjetur përkrahjen e Qeverisë. Më pas, një grup ekspertësh ndërkombëtarë janë përpjekur të hartojnë një strategji, por edhe kjo pati dështuar.
XS
SM
MD
LG