Ndërlidhjet

KATHER: “VENDIMI PËR STATUSIN NA DUHET TANI”


Lt.Gen.Roland KATHER, komandant i KFOR-it

RADIO EVROPA E LIRË
Lt.Gen.Kather, në prononcimet tuaja të fundit keni thënë se për shkaqe sigurie, vendimi për statusin duhet të arrihet shumë shpejtë. A do ta rrezikonin shtyrjet e mundshme në këtë drejtim situatën aktuale të sigurisë?

ROLAND KATHER
Kam thënë se na duhet vendimi sa më shpejtë që të jetë e mundshme dhe së fundi kam filluar ta përsëris dhe citoj nëse mundem presidentin e Shteteve të Bashkuara, duke thënë se na duhet më shpejtë dhe jo më vonë. Këtë e kam thënë nga përgjegjësia ime për të ofruar siguri. E shoh se një ndërlidhje midis zhvillimeve të përgjithshme dhe sigurisë, veçanërisht në kuadër të zhvillimit ekonomik. Dhe këtu shoh një ndikim të qartë. Shoh gjithashtu se njerëzit, pas tetë vjetësh, janë duke pritur një vendim, shoh se tani është koha për këtë vendim, njerëzit duan qartësi dhe secili ka nevojë për qartësi se si do të shkojmë në të ardhmen. Në këtë mënyrë mund të kemi zhvillime të mëtutjeshme në të gjitha aspektet. Dhe kjo natyrisht ka ndikim në situatën e sigurisë, edhe pse jam i kënaqur se situata e sigurisë është mjaft e qetë, nuk mund të jem i pakënaqur. Por, në afat më të gjatë kohor, për një zhvillim në afat më të gjatë, na duhet vendimi tani.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse ndodhë e kundërta, prej nga do të vinin rreziqet?

ROLAND KATHER
Vështirë të thuhet. Unë nguroj të përgjigjem në pyetjet me “nëse”. Pikë së pari, unë nuk shoh ndonjë shtyrje, mendoj se njerëzit janë shumë të zënë, politikanët janë shumë të zënë për të gjetur një zgjidhje të vërtetë dhe të përshtatshme. Ata janë duke punuar shumë në këtë drejtim dhe unë mund t’i kuptoj politikanët dhe mund t’i kuptoj njerëzit, sepse bëhet fjalë për një problematikë shumë, shumë të ndërlikuar dhe nuk jemi duke biseduar për motin. E shoh angazhimin, e shoh dinamikën, e shoh motivimin, e shoh shtysën. Kemi pasur takimin në Heiligendamm, gjatë të cilit është biseduar shumë për këtë çështje. Mirë, aty nuk është arritur zgjidhja, por pastaj kishim takimin e drejtorëve politikë në Paris, ende nuk i kam rezultatet e këtij takimi, por shpresoj t’i kemi së shpejti dhe do të kemi takimin e ardhshëm midis presidentit Bush dhe presidentit Putin në fillim të muajit të ardhshëm. Pra, shoh shumë lëvizje dhe kjo është e domosdoshme. Prandaj, tash për tash nuk shoh ndonjë sfidë apo kërcënim dhe veçanërisht për faktin se njerëzit tashmë e kanë kuptuar mesazhin se nuk ekziston mënyra e zgjidhjes së problemeve nëpërmjet dhunës. Ata e kanë kuptuar këtë mesazh dhe janë ngopur me mua duke u thënë se çfarë duhet bërë e çfarë jo. Ata e dijnë si bëhet kjo punë, e kuptojnë se ky është një proces shumë demokratik që kërkon kohë. Ndoshta duhet edhe pak durim dhe njerëzit e kanë atë dhe në fund do të shohim, me shpresën e një zgjidhjeje nga e cila do të përfitonin të gjithë kosovarët.

RADIO EVROPA E LIRË
Në cilindo rast, Kosova tani është duke u përgatitur për periudhën e pas-statusit. Si do të duket KFOR-i pas zgjidhjes së statusit; a do të ketë reduktime apo ndonjë ndryshim tjetër?

ROLAND KATHER
Ne jemi këtu në kuadër të mandatit që na është dhënë me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe kjo nuk do të ndryshojë deri në një rezolutë tjetër, udhëzim, mandat apo çkado tjetër. Kjo çështje është politike. Deri atëherë ne do të rrijmë. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s është pyetur së fundi se sa do të rrijë KFOR-i në Kosovë dhe ai ishte shumë i qartë në përgjigje, duke thënë sa të jetë e nevojshme. Dhe ky është edhe qëndrimi im, ne do të rrijmë për aq sa të ketë nevojë. Megjithatë, kjo është vetëm një frazë, së cilës mund t’i shtohen disa fakte dhe të dhëna tjera. Mund të thuhet se pas miratimit të statusit, do të fillojmë periudhën e tranzicionit prej 120 ditësh. Në këtë periudhë, Këshilli i NATO-s ka vendosur se mandati, organizimi dhe fuqia e KFOR-it nuk do të ndryshojnë. Rrjedhimisht, mund të thuhet se nuk do të ketë ndryshime gjatë vitit 2007 dhe sipas të gjitha gjasëve nuk do të ketë ndryshime as gjatë vitit 2008. Pastaj, kjo çështje duhet të shqyrtohet, meqë nuk është një situatë që e përcakton koha, por një situatë që përcaktohet nga ngjarjet. Pastaj, duhet të kemi një vlerësim adekuat ushtarak, por unë e parashoh që NATO-ja, pra KFOR-i, të mbetet këtu për një kohë, për të ofruar siguri, por edhe si factor stabiliteti dhe vazhdimësie.

RADIO EVROPA E LIRË
Institucioni i vetëm ushtarak në Kosovë është KFOR-i. Herë pas here, ka pasur thashethëna për disa njësi paramilitare që veprojnë në veri të Kosovës. A ka zbuluar KFOR-i deri më tash ndonjë dëshmi për aktivitete të këtilla?

ROLAND KATHER
Shikoni, në këto kohë thelbësore, në këto kohë kur natyrisht të gjithë janë duke pritur një vendim, mund të vërrehet një rritje nervozizmi. Dhe thashethënat janë duke u përhapur gjithandej. Po, ne i kemi kontrolluar këto njoftime. Në këto kohë thelbësore, për NATO-n dhe KFOR-in që kryejnë punën në mënyrë absolutisht të barabartë dhe të paanshme, kemi pyetur fqinjët tanë. Siç e dini, kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme me Serbinë, personalisht kam raporte të shkëlqyeshme me shefin e mbrojtjes, gjeneralin Ponosh. I kemi pyetur të gjithë fqinjët dhe kemi biseduar për këtë çështje, sepse mendoj se është e rëndësishme të zbatojmë atë që unë e quaj komunikim dhe dialog. Duhet komunikuar dhe duhet zhvilluar një dialog me secilin, veçanërisht me fqinjët. Dhe, derisa ne zbatojmë misionin tonë në mënyrë të paanshme, unë e kam pyetur gjeneralin Ponosh dhe ai më ka thënë: “Ne i kemi veteranët tanë të luftës, njësoj sikur që edhe shqiptarët i kanë veteranët e tyre të luftës”. Që të dy i nderuam veteranët e luftës, por gjithashtu thamë se nuk mund të quhen terroristë, ata janë veteranë lufte dhe i kemi nën kontrollë. Ne kontrollojmë me kujdes të madh çdo incident në Kosovë dhe përfundimi është se unë nuk kam asnjë dëshmi, nuk kam asnjë shenjë, asnjë tregues të çfarëdo strukture paramilitare në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pëmendët nervozizmin në këtë periudhë të veçantë. Do të citoja këtu të përditshmen “Wall Street Journal”, në të cilën, duke iu referuar dështimit të mundshëm në miratimin e rezolutës, është thënë se “trupat e NATO-s në Kosovë duhet të përgatiten nëse paramilitarët serbë vendosin të jetësojnë kërcënimet e tyre dhe nëse dhuna e çfarëdo lloji mund të shpërthejë”. A është KFOR-i i gatshëm për një skenar të këtillë?

ROLAND KATHER
Sërish, është një pyetje që fillon me “nëse” dhe është e vështirë të përgjigjem. E kemi diskutuar këtë çështje me forcat e armatosura serbe dhe pikërisht këtë pyetje e kam ngritur edhe unë me gjeneralin Ponosh. Dhe që të dy, jemi pajtuar në tërësi, se unë kam mandatin tim për të ruajtur një ambient të qetë dhe të sigurtë në Kosovë dhe ky mandat përfundon në vijën kufitare administrative, në kufi me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Njëkohësisht, ai më ka thënë se edhe ai e ka mandatin e vet për të ruajtur një ambient të qetë dhe të sigurtë në Serbi dhe mandati i tij përfundon - sipas rezolutës 1244, e veçanërisht sipas Marrëveshjes Tekniko-Ushtarake – tek vija kufitare administrative. Ai është pajtuar dhe e ka konfirmuar disa herë se nuk do të ketë zbarkim të forcave të armatosura serbe në territorin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Për fund, KFOR-i sapo ka shënuar ditëlindjen e tetë, me synimin parësor për të ruajtur një ambient të qetë dhe të sigurtë. Sa e vështirë është të ruhet një ambient i këtillë në Kosovë?

ROLAND KATHER
Është një biznes normal. Është një biznes profesional për ushtarët tanë, por është diçka më shumë se kaq. Siç e dini, ne jemi në kuadër të 1244-shit, në një operacion paqeruajtës, prandaj nuk mund të ndjekim vetëm misionin ushtarak. Pra, jemi duke zbatuar një qasje të gjithëpërfshirëse mbi prioritetet kyçe që i janë dhënë misionit ushtarak. Por, e gjithë kjo është e mbështetur nga një sërë masash, aktivitete të ndryshme, masa përkrahëse, kryesisht për fëmijët për t’ua mundësuar atyre një standard evropian të edukimit dhe ne i përkrahim njerëzit kudo që mundemi. Shtylla e tretë është informimi dhe mendoj se kjo është thelbësore në këtë kohë. Kjo është arsyeja pse jam i kënaqur se në bashkëpunim të ngushtë me shefin e UNMIK-ut, me institucionet e përkohshme dhe me OSBE-në jemi duke realizuar atë që ne e quajmë një fushatë të zgjeruar të informimit, për t’i njohur njerëzit me atë që po ndodhë, me atë që ne po bëjmë, me atë që ne presim nga ata për të bërë, sepse të gjithën mund ta bëjmë bashkërisht. Pra, është një sfidë, meqë konsumon edhe kohë dhe natyrisht është një mision i vështirë. Por, njëkohësisht është një mision që të ofron kënaqësi, sepse ekziston një bashkëpunim i shkëlqyeshëm me komunitetin ndërkombëtar, një bashkëpunim i shkëlqyeshëm me institucionet e përkohshme dhe në veçanti shoh një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me njerëzit në terren. Këta njerëz e kanë kuptuar mesazhin, ata kanë besim të plotë tek KFOR-i dhe unë vetëm mund t’i trimëroj, duke u thënë se mund të besoni tek KFOR-i. Do të rrimë këtu dhe do të ofrojmë siguri për ju, pavarësisht nga përkatësia etnike dhe fetare. Jemi këtu për të gjithë njerëzit e Kosovës.

INTERVISTOI ARBANA VIDISHIQI
XS
SM
MD
LG