Nadie Ahmeti
Gjendja ekonomike dhe standardi jetësor i qytetarëve të Kosovës vazhdon të jetë në gjendje të rëndë. Në hulumtimin e fundit të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, 39 për qind e qytetarëve të anketuar kanë deklaruar, se në krahasim me vitin e kaluar, u është përkeqësuar gjendja ekonomike familjare. Sipas ekspertëve për çështje ekonomike, përkeqësimi i kësaj gjendjeje ka ndodhur për shkak të shkallës së lartë të papunësisë, çmimeve të larta në tregun kosovar dhe pagave të ulëta. Jusuf Prelvukaj, drejtor i Departamentit për Tregti në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, pohon se në krahasim me vitin e kaluar, ka ngritje të çmimeve të produkteve ushqimore. “Në krahasim me periudhën 2006-2007, në tre muajt e parë të këtij viti, te disa produkte ka rritje të çmimeve, ndërkaq te disa të tjera ka ulje të çmimeve. Për shembull, tek perimet kemi ngritje për 18 për qind, vezët 20 për qind, ndërkaq rënie të çmimeve kemi tek sheqeri”, pohon zoti Prelvukaj. Ngritja e çmimeve në Kosovë vështirëson jetën e qytetarëve më shumë se në rajon, për shkak se pagat mujore janë të ulëta, thotë zoti Prelvukaj. Por, sipas tij, situata rreth çmimeve është një situatë që nuk mund të kontrollohet nga institucionet. “Tregu i Kosovës është treg i lirë, kështu që konkurrenca është e lirë. Kemi marrëveshjen e tregtisë së lirë me katër shtete. Shumë shpejt pritet edhe zbatimi i CEFTA-s. Do të thotë, është treg i lirë, ashtu që kontroll shtetëror nuk mund të bëjmë”, thotë zoti Prelvukaj. Paga mesatare mujore e punëtorëve, të cilët punojnë në institucionet publike dhe private, është 252 euro në muaj, thotë Muharrem Shahini, nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave. “Të dhënat që posedojmë, sipas Entit të Statistikave të Kosovës për konsumin, sipas llogaritjeve të vitit 2005, janë 488 euro për një familje kosovare që është mesatare, 6-7 anëtarë”, thotë zoti Shahini. Paga mujore nuk mjafton as për gjërat elementare, për një jetë normale, vlerëson një qytetare nga Prishtina. Blerta Behrami, e cila punon në institucionet publike, paguhet 175 euro në muaj. “Çmimet në Kosovë janë mjaft të larta, në krahasim me pagat që i marrim. Çmimet më të larta janë te gjërat ushqimore. Me pagën mujore që merret, nuk ka mundësi të mbulohen shpenzimet personale, e mos të flasim për ata që kanë të mbajnë edhe familjen”, shprehet zonja Behrami. Ndërkaq, Ymer Havolli, nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore “RIINVEST”, pohon se shkalla e lartë e papunësisë në Kosovë ka bërë që të përkeqësohet gjendja ekonomike e familjeve, dhe rrjedhimisht, po rritë edhe varfërinë ekstreme. “Në Kosovë, për çdo vit, në tregun e punës hyjnë 21-25 mijë njerëz të rinj, të cilët kërkojnë punë. Ndërsa, fuqia e ekonomisë së Kosovës për të gjeneruar vende të reja pune, është shumë e vogël. Përafërsisht, vlerësohet se kjo ekonomi, në Kosovë mund të hapë 5000 vende të reja pune brenda viti, dhe atë kryesisht në sektorin privat”, thekson zoti Havolli. Raporti i fundit i Bankës Botërore thotë se 37 për qind e popullatës së Kosovës jetojnë me më pak se 1.42 euro në ditë, ndërkaq 15 për qind jetojnë me më pak se 93 centë në ditë.