Ndërlidhjet

SMITH: BRITANIA MBËSHTET ZGJIDHJEN E STATUSIT PËRMES KËSHILLIT TË SIGURIMIT


Zijadin Gashi

Britania e Madhe i mbështet angazhimet për zgjidhjen sa më të shpejtë të statusit të Kosovës, mbi bazën e pakos së Ahtisaarit për pavarësinë e mbikëqyrur, ka pohuar sot në Prishtinë drejtori politik për Evropën në Ministrinë e Jashtme Britanike, Anthony Smith. Diplomati britanik është pritur në takime të ndara nga udhëheqësit kosovarë, të cilët i ka siguruar se bashkësia ndërkombëtare mbetet shumë e përkushtuar në përmbylljen e shpejtë të statusit të Kosovës, ngase, siç tha ai, edhe ashtu është humbur mjaft kohë në pritje të vendimit. Anthony Smith i ka rikujtuar liderët kosovarë, se Britania e Madhe, si edhe partnerët tjerë ndërkombëtarë, angazhohet që vendimi për statusin e Kosovës të jetë i përbashkët dhe të kalojë përmes Këshillit të Sigurimit. “Ajo për të cilën ne po angazhohemi në New York, është që të kemi një rezolutë për statusin e Kosovës, që ka për bazë planin e Ahtisaarit dhe e cila do të ketë mbështetjen e të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit. Pra, të mos ketë bllokadë, kjo është ajo që ne duam”, ka thënë Smith. Diplomati britanik tha po ashtu, se rezoluta do të ishte e dobishme për përspektivën evropiane të Kosovës, pasi që menjëherë pas vendimit për statusin, Kosova, sipas tij, duhet të fillojë procesin e integrimit në strukturat euro-atlantike. Sidoqftë, Smith nuk deshi të flasë për datat e mundëshme për nxjerrjen e rezolutës, por e pranoi se propozimi i presidentit francez Sarkozy, për një shtyrje gjashtëmujore të vendimit për statusin, është një prej propozimeve që po diskutohet nga diplomatët në New York. Në anën tjetër, edhe liderët kosovarë e kanë siguruar përfaqësuesin britanik, se Kosova do të vazhdojë të jetë konstruktive me partnerët ndërkombëtarë. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se i mbështeste angazhimet, që statusi i Kosovës të finalizohet me një rezolutë të përbashkët në Këshillin e Sigurimit. “Ne presim, që në këtë periudhë të shkurtër kohore që ka mbetur, ndoshta edhe deri në takimin e presidentit Bush me presidentin rus Putin, të bëhen edhe zhvillime të tjera të shumta. Kemi një bindje se do të jenë zhvillime pozitive, duke pasur ndjenjën e përbashkët, që të nxirret një rezolutë e mbështetur nga të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit, apo të nxirret një rezolutë që nuk do të bllokohet në Këshillin e Sigurimit“, pohoi presidenti Sejdiu. Ndërkaq, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se qëndrimi i Britanisë së Madhe për Kosovën është inkurajues dhe në harmoni me vullnetin e popullit të Kosovës. ”Jam mjaft i inkurajuar me përkushtimin dhe këmbëngulësinë e madhe të Qeverisë britanike, në partneritet me shtetet tjera, që të nixrret një vendim për statusin sa më shpejt që është e mundur. Ne premtuam përkushtimin tonë, që të kemi sukses të përbashkët, që të kooperojmë në kuptimin më të mirëfilltë, që të përmbyllim këtë proces sa më shpejt që është e mundur, sepse është në interesin e popullit të Kosovës, është në interesin e paqes dhe stabilitetit në rajon, por është edhe në interesin e Washingtonit dhe Brukselit“, ka theksuar Thaçi. Drejtori Politik për Evropën në Ministrinë e Jashtme Britanike, Anthony Smith, është pritur edhe nga kryeministri Agim Çeku. Gjatë ditës, ai ka qëndruar edhe në pjesën veriore të Mitrovicës, ndërsa vizitën do ta përmbyllë nesër, me realizimin e vizitës në Manastirin e Deçanit.

XS
SM
MD
LG