Ndërlidhjet

WISNER: ËSHTË ME RËNDËSI QË PAVARËSIA TË ARRIHET SI REZULTAT I REZOLUTËS SË KS-SË


Albana Isufi

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për statusin e Kosovës, Frank Wisner, tha sot se procesi i arritjes së pavarësisë po zgjat më shumë, sesa kosovarët apo amerikanët do të dëshironin. Ai nuk ka caktuar ndonjë datë, se kur do të mund të përfundojë procesi, por ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara mbështesin zgjidhjen përmes Kombeve të Bashkuara. “Është me rëndësi, që pavarësia juaj të arrihet si rezultat i rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që do të krijonte kushtet për njohjen e saj dhe do të hapte rrugën për pranimin tuaj në NATO dhe BE”, tha ambasadori Wisner, pas takimit që pati me anëtarët e Ekipit të Unitetit. Megjithatë, ai nuk ka pranuar të thotë se do të ketë shtyrje të zgjidhjes së statusit. “Argumentova, këtë mëngjes, se negociatat në nivelin ndërkombëtar për një çështje të rëndësishme si Kosova, janë komplekse dhe marrin shumë kohë. Ne do të gabonim, nëse themi se do të përfundojnë për një ose dy javë. Nëse e themi këtë, ne do t’ia shpjegonim në mënyrë të gabuar vetvetes dhe njerëzve tanë atë që përfshihet këtu. Ajo, që po mundohemi ta arrijmë, është objektivi për njohje dhe pranim ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës. Unë nuk do të them shtyrje ose jo, por ajo që do të them është se presidenti, unë dhe anëtarët e Ekipit të Unitetit, biseduam për mundësitë që arritja e rezolutës mund të marrë një periudhë të diskutimeve të mëtejme për statusin”, ka thënë ambasadori Wisner, i cili përjashtoi mundësinë e ndonjë marrëveshjeje mes vendeve të Grupit të Kontaktit për shtyrje të mëtejme të zgjidhjes së procesit, apo për negociata shtesë mes Prishtinës e Beogradit, siç është folur në media, në ditët e fundit. “Nuk ka ndonjë marrëveshje ndërkombëtare për këtë. Presidenti Sarkozi bëri një propozim në Berlin, që është një ide duke u diskutuar në New York, por s’ka përfundim. Por, nëse duhet të ketë diskutime të mëtejme për një periudhë të kufizuar kohore, ato do të jenë dëshmi, se çdo përpjekje për t’u arritur pajtimi për statusin, është shtjerrë. Jo të vonohet rezultati, por t’i bëhet e qartë botës, se çdo rrugë është ndjekur”, ka theksuar ambasadori Wisner, duke siguruar kosovarët se ajo që po ndodh tani, edhe pse komplekse, është e rëndësishme për ta, në mënyrë që pavarësia e Kosovës të pranohet në masë të gjerë nga komuniteti ndërkombëtar. Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ndryshe nga herët e tjera, sot nuk ka dashur të thotë ndonjë datë se kur mund të zgjidhet statusi, pasi sipas tij, ky do të ishte një rrezik i veçantë i pjesës së premtimit dhe i ballafaqimit të tij me qytetarët e Kosovës. “Me rëndësi që jemi në një proces, që ende s’ka përfunduar, ku është e inkuadruar bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht SHBA-të dhe BE-ja. Ne besojmë në përpjekjet e tyre për ta përfunduar suksesshëm, sa më shpejt. Është e interesit të veçantë për ne, si Kosovë, që të ketë një mbështetje të përgjithshme dhe të përbashkët në nivelin e Këshillit të Sigurimit. Dhe po ashtu, është e rëndësishme që të bëjmë me dije, se Kosova nuk mund të mbetet peng i vazhdueshëm i tekeve eventuale, që mund të vijnë nga ndonjë palë, pavarësisht se nga kush, për të zhagitur procesin”, është shprehur presidenti Sejdiu. Në anën tjetër, i dërguari amerikan, Frank Wisner, ka përsëritur qëndrimin e presidentit amerikan, George Bush, se nëse edhe pas përpjekjeve diplomatike nuk gjendet zgjidhja, atëherë do të thuhet mjaft - Kosova do të jetë e pavarur. Ambasadori Wisner po ashtu ka sjellë zotimin amerikan, se do të qëndrojnë bashkë me kosovarët derisa të arrihet caku i fundit. “Mesazhi që ua solla sot Ekipit të Unitetit, anëtarëve të Qeverisë e opozitës dhe tërë Kosovës, është se SHBA-të janë në partneritet me ju, për të arritur objektivin që është pavarësia e Kosovës, objektivi që presidenti Bush e adresoi në Tiranë. Ky ishte thelbi i mesazhit tim. Për më tepër, ne u takuam që të diskutojmë taktikat, se si të arrihet ai objektiv përmes Kombeve të Bashkuara, përmes negociatave, që do të prodhonin një konsensus ndërkombëtar”, tha Wisner, duke kërkuar nga kosovarët që të kryejnë obligimet brenda Kosovës, në mënyrë që ta presin të përgatitur ditën e pavarësisë. Ambasadori Wisner ka kërkuar nga lidershipi kosovar, që të kontribuojë edhe më tej në ruajtjen e qetësisë dhe disiplinës, që, sipas tij, e kanë karakterizuar Kosovën dhe udhëheqësit e saj gjatë muajve të fundit.
XS
SM
MD
LG