Ndërlidhjet

ANALISTËT: EKIPI I UNITETIT KA ANASHKALUAR KUVENDIN


Zijadin Gashi

Ekipi i Unitetit e ka anashkaluar Kuvendin e Kosovës në rastin e shpalljes së kritereve dhe konkursit për simbolet shtetërore, vlerësojnë analistët. Kuvendi, sipas ekspertëve, do të duhej të ishte vendi ku trajtohet çështja e simboleve dhe në fund edhe miratimi i tyre. Sidoqoftë, analistët vlerësojnë po ashtu, se zhvillimet në Kosovë janë të ndikuara në masë të madhe edhe nga faktori ndërkombëtar, kështu që ata besojnë se veprimet e Ekipit të Unitetit mund të jenë edhe si rezultat i kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare, për ndërmarrjen e veprimeve më të shpejta lidhur me simbolet. Eksperti i çështjeve kushtetuese, Riza Smaka, thotë se jo vetëm që është anashkaluar Kuvendi me këtë rast, por caktimi i kritereve për simbolet është dashur të paraprihet me debate e analiza të shumta. “Ekipi, që e quan vetveten i unitetit, ka tejkaluar autorizimet. Edhe sikur t’i kishte pasur ato autorizime, nuk është dashur të veprojë asisoj, sepse simbolet janë çështje tepër suptile, delikate, të rëndësishme për kombin, për shtetin”, tha Riza Smaka. Ndërkaq, profesori Ismajl Hasani thotë se kjo nuk ishte hera e parë që Ekipi i Unitetit anashkalon institucionet dhe merr vendime, të cilat i konsideron se duhet ndërmarrë, pa u konsultuar me Kuvendin. “Nëse ky ishte vendim që ka karakter pragmatik, në të cilin unë dyshoj..., sepse nuk është aq punë urgjente, siç pretendon Ekipi i Unitetit ta prezantojë. Çështja e simboleve ka mundur të kalojë si propozim në Kuvend dhe legjitimiteti i simboleve ‘signifikantive’ të shtetit të ardhshëm të Kosovës do të ishte më i madh, po qe se ky problem do të kalonte dhe të diskutohej e të miratohej në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Hasani. Sipas tij, marrja e vendimeve nga ana e Ekipit të Unitetit, të cilat shpesh edhe mund të cilësohen si anashkalim i institucioneve, vjen edhe si rezultat i mungesës së komunikimit me Parlamentin e Kosovës. “Që nga fillimi, Ekipi i Unitetit nuk ka pasur ingerenca të qarta. Ata i kanë dhënë, kohë pas kohe, vetës ingerenca për aq sa kanë pasur nevojë, duke u përpjekur të animojnë, të simulojnë edhe situata të ndryshme të paqena. Por, sidoqoftë, unë mendoj se është rezultat i mungesës së komunikimit midis Ekipit të Unitetit dhe Parlamentit”, ka vlerësuar Hasani. Në anën tjetër, Riza Smaka beson se një rol të caktuar në çështjen e kritereve dhe shpalljes së konkursit për simbolet ka pasur edhe faktori ndërkombëtar, i cili insistoi që simbolet e Kosovës të zhvishen nga karakteri i simboleve kombëtare të popullatës shumicë. “Ka kërkesa nga faktori ndërkombëtar, që elementet nacionale të mos jenë të spikatura e tjera. Ne jemi, fundi i fundit, një popull, shumicë absolute. Sipas së drejtës ndërkombëtare, pa fije dyshimi ishte dashur që çështja e Kosovës të zgjidhet përmes vetëvendosjes politike, mirëpo gjendja është e tillë dhe për këtë mund të flitet gjerë e gjatë”, është shprehur Smaka. Sidoqoftë, Ekipi i Unitetit ka shpallur tashmë konkursin dhe ka mbetur edhe një javë deri kur ky konkurs do të mbyllet. Dy ditë pasi që konkursi ishte shpallur, disa anëtarë të Kryesisë së Kuvendit kanë reaguar, duke e cilësuar vendimin e Ekipit të Unitetit anashkalim të Kuvendit, ngase sipas tyre, kishte një harmonizim qëndrimesh me anëtarët e Ekipit të Unitetit, që kriteret dhe konkursi të caktohen në marrëveshje me Kryesinë dhe Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, kjo nuk ka zgjuar kureshtjen e Ekipit të Unitetit, i cili nuk është përgjigjur dhe as nuk ka arsyetuar vendimin për shpalljen e kritereve dhe konkursin për simbolet e Kosovës.

XS
SM
MD
LG