Ndërlidhjet

NYJA E KOSOVËS


"Wall Street Journal"

Edhe pas një vit bisedimesh të mbikqyrura ndërkombëtarisht midis Prishtinës dhe Beogradit, nuk i jemi afruar ende zgjidhjes për çështjen e Kosovës. Shtyrja e mëtutjeshme e vendimit për statusin final të Kosovës do të mund të destablizionte gjithë Ballkanin Perëndimor. Negociatat e mëtutjeshme vetëm do të shtynin marrjen e vendimeve të rënda dhe nuk do ta afronin zgjidhjen. Fundja, Shtetet e Bashkuara nuk kanë edhe aq shumë hapësirë për manovrim pas deklaratës së fundit të presidentit George Bush në Shqipëri se pavarësia e Kosovës është e vetmja zgjidhje e pranueshme. Ai ka të drejtë dhe këtu nuk ka se për çfarë të negociohet. Një shtyrje tjetër, qoftë edhe prej gjashtë muajsh, ka pak gjasë që të afrojë Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë. Madje, një orar i ri mund t’i përkeqësojë gjërat edhe më shumë. Në nëntë muajt e ardhshëm, Rusia hyn në periudhën e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale dhe sa më afër fushatave parazgjedhore, Moska do të ngurojë të pranojë çkado që mund të lëndojë aleatët e saj ortodoks. Dhe derisa fuqitë botërore ngurojnë, politika në rajon është duke u bërë e nxehtë. Trazirat e reja në Kosovë dhe mbase edhe në Serbi mund të zgjerohen lehtësisht edhe në vendet fqinje, posaçërisht në Maqedoni dhe Bosnjë. Rreziku i kthimit të dhunës sektariane është gjëja e fundit për të cilën rajoni ka nevojë, veçanërisht tash kur ekonomia më në fund ka filluar të rimëkëmbet. Dhe Bashkimi Evropian është ai që do të duhej të synonte ruajtjen e stabilitetit ekonomik në Ballkan për të shmangur emigracionin masiv nga rajoni.
Në këtë kuadër, rruga më e mirë për të dalë nga ky konfuzion ndërkombëtar është të pritet Nyja Gordiane në Kosovë. Perëndimi duhet të pranojë se të dyja palët nuk do të jenë në gjendje të arrijnë kompromisin. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet ta kuptojnë se rezoluta që fuqizon planin e Ahtisaarit do të provokojë pashmangshëm veton ruse dhe asgjë nuk mund ta ndryshojë këtë. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet që këtë çështje ta kalojnë tek NATO-ja dhe të hartojnë një pozicion trans-atlantik që do ta njihte pavarësinë e Kosovës. Anashkalimi i Kombeve të Bashkuara është bërë pikërisht në 99-tën, atëherë kur NATO-ja ndaloi fushatën e Serbisë për spastrim etnik në Kosovë. Në anën tjetër, Bashkimit Evropian nuk i është dashur miratimi I New Yorkut gjatë për zbarkimin e forcave paqeruajëtse në Maqedoni në vitin 2001 dhe kjo qasje mund të zbatohet edhe në rastin e Kosovës për vendosjen e një misioni evropian. Asnjë ligj ndërkombëtar nuk e thotë se kjo do të mund të ishte e paligjshme.
Kosova dhe rajoni kanë nevojë për qartësi mbi të ardhmen nga aleanca trans-atlantike në mënyrë që të vazhdojnë me reformat ekonomike dhe politike. Në fund të ditës, e gjithë ajo për të cilën Kosova ka nevojë që të funksionojë dhe mbijetojë si shtet sovran është njohja dhe mbështetja e Perëndimit gjatë periudhës tranzitore. Vula e miratimit nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara padyshim se do të ishte një bonus, por duke e bërë këtë vulë kusht jetësor për pavarësinë e Kosovës i gjithë rajoni dënohet me jostabilitet të përhershëm.
XS
SM
MD
LG