Ndërlidhjet

PRISHTINA E KUNDËRSHTON VAZHDIMIN E NEGOCIATAVE ME BEOGRADIN


Zijadin Gashi

Vazhdimi eventual i negociatave midis Prishtinës e Beogradit është i destinuar të dështojë që në fillim, vlerësojnë zyrtarë nga kabineti i presidentit të Kosovës. Ndërkaq, ata të opozitës thonë se zhvillimet e fundit rreth statusit të Kosovës kanë zgjuar disa dilema, por edhe optimizëm, që është shprehur përmes deklaratave të presidentit Bush. Në anën tjetër, paralajmërimi i nxjerrjes së një rezolute, por edhe vazhdimi i negociatave për statusin e Kosovës, nga analistët konsiderohet si një koncesion, që po i bëhet Rusisë. Zëdhënësi i presidentit të Kosovës, Xhavit Beqiri, thotë se institucionet e Kosovës e kanë përkrahur propozimin e Ahtisaarit për pavarësinë e mbikëqyrur. Ndërkaq, çdo opsion i vazhdimit të negociatave, sipas tij, është i papranueshëm. “Tani po dalin, të paktën nëpër media kështu po paraqiten, edhe variante tjera, si mundësia e vazhdimit të bisedimeve e opsione të tjera, të cilat për ne, faktikisht, janë të papranueshme, për faktin se tashmë dihet botërisht, se janë shterur të gjitha mundësitë e arritjes së një marrëveshjeje dypalëshe, mes palës kosovare dhe Beogradit, për shkak të qëndrimeve diametralisht të kundërta”, është shprehur Beqiri. Ndërkaq, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi, vlerëson se propozimet për shtyrjen e zgjidhjes së statusit dhe vazhdimin e negociatave, zgjojnë dilema dhe ndikojnë në vazhdimin e status-quo-s në Kosovë. “Unë besoj se bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë e qartë për dy gjëra. E para, që marrëveshjet eventuale në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk janë në asnjë moment të mundshme dhe mendoj se çdo zgjidhje që do të jetë më pak se pavarësia e Kosovës, nuk mund të jetë e implementueshme në Kosovë, por do të krijojë probleme”, ka thënë Kuçi. Vazhdimi eventual i bisedimeve do të mund të sfidonte edhe propozimin e Ahtisaarit për pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën, vlerëson Hajredin Kuçi. Ai thotë se kjo do të sillte edhe probleme të tjera, pasi që propozimi i Ahtisaarit ishte një kompromis ndërkombëtar. Çdo vazhdim i bisedimeve, sipas tij, vetëm sa do t’i thellojë ndarjet dhe nuk do t’i ofrojë pozicionet mes palëve. “Natyrisht që pakoja e Ahtisaarit do të jetë diçka që do të vë në dilemë jo vetëm Kosovën, por edhe të tjerët. Ambiciet e njerëzve në Kosovë, për ta përmirësuar në kuptimin pozitiv apo ambiciet e njerëzve në Serbi, për ta ndryshuar atë në kuptimin negativ, do të rriten. Pra, me fjalë të tjera, rreth një dokumenti që ka pasur konsensus ndërkombëtar, mund të vihet në pozitë që ai dokument të jetë i kontestuar dhe arritja e një konsensusi tjetër nuk është e lehtë”, ka vlerësuar Kuçi. Vazhdimi i bisedimeve kundërshtohet edhe nga kabineti i presidentit Sejdiu. Zëdhënësi Xhavit Beqiri thotë se nuk mund ta pohojë e as mohojë mundësinë e zgjatjes së procesit, për shkak të përfshirjes së shumë faktorëve, por një proces rinegocimi, sipas tij, nuk do të sillte asgjë. “Konsiderojmë që rinegocimi mes palës sonë dhe asaj të Beogradit është i destinuar të dështojë që në fillim, sepse qëndrimet janë në fakt të papajtueshme. Dhe e ka treguar shumë mirë edhe një proces negociator, që ka zgjatur më tepër se 15 muaj, se nuk mund të ketë këtu një ujdi”, ka thënë Beqiri. Në anën tjetër, analisti Baton Haxhiu thotë se vazhdimi i procesit të statusit dhe bisedimet e reja, janë një e keqe e re për Kosovën që, sipas tij, vjen si rezultat i koncesioneve që po i bëhen Rusisë. Sipas Haxhiut, pala e Prishtinës është jashtë procesit dhe e vetmja shpresë për Kosovën dhe realizimin e pavarësisë së saj, është premtimi i dhënë nga presidenti Bush në Tiranë, çka ai beson se në fund të procesit edhe do të realizohet. “Fatmirësisht, këtu është një deklarim i presidentit amerikan, i cili nuk besoj se do ta kthejë fjalën dhe fjalinë prapa, është pavarësia. Por, problemi i Kosovës nuk është më problem i qytetarëve të saj, është problem i superfuqive botërore, të cilat duhet të zgjidhin karshi dhjetëra problemeve tjera me negocim”, ka theksuar Haxhiu. Vazhdimi i procesit të statusit e sfidon dhe Kosovën në planin e brendshëm. Pushtetit lokal i ka kaluar mandati që nga tetori i vitit të kaluar, kurse nga vjeshta e këtij viti i skadon mandati edhe pushtetit në nivelin qendror. Në këtë plan, nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, thotë se Kosova ka nevojë për një politikë të re me agjendën e brendshme dhe agjendën që ka të bëjë me statusin. “Mendoj që Ekipi i Unitetit, apo edhe vetë politika kosovare ka nevojë të krijojë dy agjenda. Atë të brendshme apo për aktivitete të brendshme, që nënkupton forcimin e legjitimitetit demokratik të institucioneve, edhe ashtu të brishtë, dhe mbi të gjitha edhe definimin e punëve e detyrave që mund të bëhen. Në anën tjetër, duhet të jemi të përqendruar edhe në agjendën në raport me faktorin ndërkombëtar”, ka pohuar Kuçi. Ndërkaq, analisti Baton Haxhiu thotë se shpëtimi i vetëm për ruajtjen e një funksionaliteti të brendshëm politik dhe institucional është që Ekipi i Unitetit të marrë përgjegjësinë e Qeverisë, qoftë edhe qeverisë në hije, kurse pushteti lokal t’i nënshtrohet procesit zgjedhor. “E vetmja gjë që vlen është që Ekipi i Unitetit të jetë së paku një qeveri në hije deri në zgjedhje. Domethënë, situata është aq sterile sa që asnjë qeveri, me këdo qoftë, nuk do të mund të bënte diçka”, ka thënë Haxhiu. Sidoqoftë, anëtarët e Ekipit të Unitetit tashmë janë deklaruar, se agjenda e tyre për statusin e Kosovës do të jetë e përbashkët me angazhimet ndërkombëtare, sidomos SHBA-të dhe BE-në. Rrjedhimisht nga kjo, zhvillimet e ardhshme për statusin e Kosovës mbase mbeten të përcaktohen në kuadër të bisedimeve që Washingtoni e Brukseli i zhvillojnë me Moskën zyrtare.

XS
SM
MD
LG