Ndërlidhjet

SERBËT NUK MARRIN PJESË NË PËRCAKTIMIN E SIMBOLEVE TË KOSOVËS


Zijadin Gashi

Subjektet politike serbe nuk do të dalin me propozimet e tyre për simbolet shtetërore të Kosovës. Përfaqësuesit serbë konsiderojnë se simbolet do të duhej përcaktuar pas definimit të statusit. Kreu i Listës Serbe, Oliver Ivanoviq, thotë se subjekti i tij politik nuk do të marrë pjesë në përcaktimin e simboleve. Sikurse që është vepruar në rastin e statusit, ashtu edhe për simbolet, sipas tij, vendimmarrjen nuk do ta kenë as shqiptarët dhe as serbët, por bashkësia ndërkombëtare. “Simbolet do t’i përcaktojë bashkësia ndërkombëtare, siç ka vepruar në Bosnje e Hercegovinë dhe mendoj se vetëm janë paralajmëruar disa zgjidhje konkrete”, tha Ivanoviq. Këto simbole, sipas tij, nuk do t’i marrin parasysh kërkesat e shqiptarëve dhe as të serbëve të Kosovës. “Nuk kemi ndonjë sugjerim. Po të pyeteshin serbët, atëherë flamuri i Kosovës do të ishte flamuri serb. Por, pasi që kjo zgjidhje nuk është e pranueshme për shqiptarët, mendoj se përcaktimi i simboleve nuk varet nga ne”, u shpreh Ivanoviq. Ndërkaq, Rada Trajkoviq, nga Këshilli Nacional Serb, thotë se për serbët do të ishte më tepër e pranueshme sikur të flitej për simbolet e krahinës autonome të Kosovës dhe assesi për simbolet shtetërore të saj. “Mendoj se përderisa Rezoluta 1244 është në fuqi, simbolet duhet të jenë diçka që pasqyrojnë autonominë substanciale të Kosovës”, tha Trajkoviq. Shqiptarët e Kosovës, sipas saj, janë duke nxituar që t’i bëjnë simbolet e Kosovës, por në fund, ajo vlerëson se edhe këto simbole nuk do të jenë shenja identifikuese vetëm të shqiptarëve. “Mendoj se përkrahja nga bashkësia ndërkombëtare, që të bëhen këto simbole, është më tepër në funksion të qetësimit të shqiptarëve, sesa që ka si qëllim bërjen me të vërtetë të simboleve të Kosovës”, vlerësoi Trajkoviq. Përderisa është në fuqi Rezoluta 1244, ndërkaq punohet për simbole shtetërore të Kosovës, ajo tha se serbët nuk marrin pjesë në përcaktimin e tyre. Sidoqoftë, Ekipi i Unitetit në Prishtinë ka shpallur konkursin për simbolet dhe ai do të mbyllet në fund të javës. Sipas kritereve të përcaktuara në bazë të pakos së Ahtisaarit dhe në marrëveshje me përfaqësuesit ndërkombëtarë, simbolet e Kosovës pasqyrojnë tërësinë e saj shumetnike, ndërkaq ato nuk mund të kenë simbole, karaktere, ngjyra e as shenja që identifikojnë vetëm popullatën shumicë, apo që identifikojnë vetëm popullatën pakicë.
XS
SM
MD
LG