Ndërlidhjet

QYTETARËT NË QETËSI PRESIN STATUSIN FINAL


Arton Konushevci

Qytetarët e Kosovës mendojnë se edhe për një kohë nuk do të ketë një zgjidhje të shpejtë të statusit të Kosovës. Disa nga ta thonë se edhe nëse do të ketë shtyrje, Kosova më vonë do të bëhet e pavarur. Agim Jerliu mendon se nëse do të ketë shtyrje, ajo nuk do të mirëpritet dhe nuk do të jetë mirë, sepse, siç thotë ai, është pritur gjatë që të përcaktohet statusi i Kosovës. “Mjaft tepër kemi pritur. Jemi ngopur veç me premtime, premtime boshe. Nëse shtyhet, atëherë për ne nuk është mirë. S’kemi çka të bëjmë”, thotë zoti Jerliu. Por, në anën tjetër, Atifete Karakashi mendon se qytetarët e Kosovës duhet të presin dhe të kenë besim te udhëheqësit vendorë e ndërkombëtarë. “Nëse shtyhet statusi i Kosovës, duhet të presim. Duhet të kemi besim tek udhëheqësit tonë dhe ndërkombëtarë. Janë ata që na kanë ndihmuar dhe duhet të presim”, u shpreh zonja Karakashi. Kushtrim Gashi, qytetar nga Prishtina, mendon se Kosova duhet të ketë një udhëheqje tjetër me kuadro të rinj. Sa për shtyrjen e statusit, ai thotë se kjo gjë është ditur që kur kanë filluar bisedimet. “Unë mendoj që ne ende nuk jemi të pjekur për statusin dhe nuk kemi kuadro. Kuadrot që i kemi nuk janë në vendet kyçe. Mendoj që ky është realiteti. Kjo është ditur që në fillim, kur kanë filluar bisedimet”, pohoi zoti Gashi. Qytetarët e Kosovës janë mësuar të presin për këtë çështje, por janë edhe të vetëdijesuar për pasojat që mund të ketë nga ndonjë trazirë, për shkak të shtyrjes së statusit të Kosovës, thotë Liridon Koca. “Shqiptarët prapëseprapë paraqiten të durueshëm. Mendoj se janë të vetëdijshëm për pasojat që mund t’i kenë, për shembull trazirat. Mendoj që janë gjakftohtë dhe të durueshëm”, tha zoti Koca. Disa qytetarë janë optimistë për një zgjidhje të shpejtë, sidomos pas deklarimit për pavarësinë e Kosovës të presidentit amerikan George Bush. Një nga ta është edhe Halit Bytyqi. “Vetë presidenti Bush në Shqipëri e dëshmoi atë që pavarësia është diçka e pashmangshme për Kosovën, edhe pse këto zhagitje për ne nuk janë të mira. Shpresoj që sa më shpejt të ndodhë ajo që ne kërkojmë”, u shpreh zoti Bytyqi. Ngjashëm mendon edhe Labinot Thaçi, pasi që ai beson shumë në deklaratën e presidentit Bush. “Jo, nuk besoj. Duke pasur parasysh rrethanat, nuk do të ketë shtyrje. Zoti Bush e tha fjalën e tij se nuk do të ketë shtyrje”, shprehu besimin e tij zoti Thaçi. Donika Koca shprehet se në bazë të asaj që është thënë nga politikanët e Kosovës dhe nga ndërkombëtarët, është dashur që të ketë një zgjidhje më të shpejtë për Kosovën, por siç duket, thotë ajo, do të ketë shtyrje të statusit. “Mendoj se do të ketë shtyrje të statusit të Kosovës. Në qoftë se ne i marrim në konsideratë fjalët e shumë politikanëve të njohur ndërkombëtarë, është dashur të njihet. Mirëpo, për shkak të disa gjërave që tashmë nuk janë duke ecur pikërisht ashtu si duhet, duke marrë parasysh edhe spektrin politik të Kosovës, atëherë nuk është një gjë e mirë”, thotë zonja Koca. Azme Zylfiu mendon se ajo që është duke ndodhur në politikën vendore dhe ndërkombëtare, është shtyrja. “Mendoj se kjo, në fakt, është bërë si shprehi dhe vazhdimisht po shtyhet statusi. Mendoj se do të shtyhet. Deri kur, nuk mund të potencoj”, ka theksuar zonja Zylfiu. Limon Kadriu është i informuar nga mediat e ndryshme dhe thotë se, sipas të gjitha gjasave, do të ketë shtyrje të statusit. Ai thotë se kjo nuk do të pëlqehet nga kosovarët. “Sipas fjalëve që po fliten, sipas mediave është e mundur që do të shtyhet. Nuk është e dëshirueshme. Nuk presim asgjë prej kësaj shtyrjeje, skenarët e njëjtë do të jenë”, është shprehur zoti Kadriu.

XS
SM
MD
LG