Ndërlidhjet

DECENTRALIZIMI NË KOSOVË – PROCES SFIDUES DHE SHUMË I GJATË


Zijadin Gashi

Procesi i decentralizimit do të jetë një sfidë për Kosovën. Ky proces do të marrë shumë kohë, kurse rezultatet e para, qytetarët mund t’i presin në një afat më të gjatë, është thënë sot, në një konferencë të organizuar në Prishtinë, nga autoritetet qeverisëse vendore dhe ato ndërkombëtare. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Pushtetit Lokal, Lutfi Haziri, tha se procesi i decentralizimit, i cili pritet të fillojë të zbatohet pas definimit të statusit të Kosovës, kërkon përfshirjen e të gjitha strukturave dhe niveleve në implementimin e tij. Haziri tha po ashtu, se pala kosovare ka bërë kompromise për decentralizimin, për të garantuar se të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, do të gëzojnë të drejtat e tyre pa dallime etnike. “Pjesa përmbyllëse e këtij procesi, që nënkupton themelimin e komunave të reja, do t’i përfshijë të gjithë, popullatën shumicë shqiptare, popullatën pakicë nga komunitetet tjera dhe mandatin e marrë në këtë dokument, do ta zbatojë për pjesën e komunitetit serb”, ka thënë Haziri. Kurse kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, njëherësh dhe kryetar i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Ismet Beqiri, u ka bërë thirrje institucioneve qendrore, që të bashkëpunojnë më ngushtë me nivelin lokal, për të garantuar një zbatim më të suksesshëm të decentralizimit. “Kosova ka nevojë për qeverisje të fortë lokale. Politikat për zhvillimin e Kosovës dhe për implementimin e proceseve të rëndësishme, pra edhe procesit të decentralizimit, mund të kenë sukses vetëm nëse përfshihet sa më shumë që është e mundur dhe të informohet edhe niveli lokal”, ka pohuar Beqiri. Ndërkaq, ministri për Komunitete dhe Kthim, Branisllav Grbiq, tha se plani i Ahtisaarit dhe programet zhvillimore premtojnë një zhvillim të caktuar të komunave, që do të duhej të përkrahej edhe nga pushteti qendror. “Komunat me shumicë serbe, në harmoni me planin e Ahtisaarit, do të kenë edhe një autonomi të caktuar në arsim, shëndetësi e fusha të tjera, si dhe do të mund të mbajnë lidhje edhe me komunat jashtë Kosovës, përkatësisht me Serbinë”, tha ministri Grbiq. Zbatimi i decentralizimit pas statusit është një përgjegjësi e vendorëve, por edhe e ndërkombëtarëve. Misioni i OSBE-së parashihet të monitorojë nga afër zbatimin e këtij procesi. Shefi i këtij misioni në Kosovë, ambasadori Wernard Wnendt, tha se decentralizimi në Kosovë është menduar të ketë edhe rolin e mbrojtjes dhe ushtrimit të të drejtave të komuniteteve. “Decentralizimi është proces i komplikuar dhe do të kërkojë individë të kualifikuar, që ta menaxhojnë atë. Kjo është një fushë, ku ndihma e ndërkombëtarëve do të jetë e domosdoshme”, ka theksuar ambasadori Wnendt. Ndërkohë, sipas shefit të Zyrës së USAID-it në Prishtinë, Michael Farbman, decentralizimi nënkupton më shumë sesa krijimin e komunave të reja. “Decentralizimi do të jetë sfidues. Së pari, komunat e reja duhet të kenë përkrahjen e banorëve, duhet të krijojnë strukturat lokale të pushtetit, si dhe burimet njerëzore e institucionale, që ato komuna të jenë funksionale”, është shprehur Farbman. Ndryshe, gjatë 15 muajve të negociatave për statusin e Kosovës, decentralizimi ka marrë më së shumti kohë, ngase përmes tij, presidenti Ahtisaari në planin e propozuar është përpjekur të garantojë një lloj autonomie në nivelin lokal në arsim, në shëndetësi e në kulturë për komunitetin pakicë serb.

XS
SM
MD
LG