Ndërlidhjet

GRBIQ: KTHIMI DUHET TË JETË CILËSOR


Rrahman Paçarizi

Suksesi i kthimit të të zhvendosurve varet nga puna e përbashkët e të gjithë faktorëve, bashkësisë ndërkombëtare dhe autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, tha për radion Evropa e Lirë, në Ditën Ndërkombëtare të Refugjatëve, ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Branislav Grbiq. Mungesa e mjeteve të mjaftueshme financiare e pengon kthimin në dinamikën e duhur, tha Grbiq, pas një takimi ndërmjet përfaqësuesve të ministrisë së tij dhe UNMIK-ut e Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, me përfaqësues të Ministrisë së Serbisë për Kosovën në Beograd, me ç’rast janë marrë vesh për tre projekte të përbashkëta për kthimin, që do të financoheshin në masë të madhe nga Qeveria e Serbisë. Grbiq ka thënë se në mesin e serbëve të zhvendosur, që aktualisht janë të strehuar në Serbi, ka një interesim të shtuar për t’u kthyer, ndërkohë që është paralajmëruar një takim tjetër ndërmjet dy ministrive për të diskutuar disa çështje teknike, gjatë muajit korrik. Ministri Grbiq tha se ministria e tij po punon në bazë të strategjisë për vitin 2007, që përfshin ndihmën për kthimin individual dhe kthimin e organizuar. “Në pajtim me buxhetin prej 5 milionë e 200 mijë eurosh, kemi organizuar projekte për kthimin në katër komuna të Kosovës, në Vushtrri, në Prizren, në Klinë dhe në Fushë-Kosovë”, ka thënë ministri Grbiq, duke shpjeguar se bashkë me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, UNDP-në, kanë punuar edhe në kthimin individual, duke i kushtuar rreth 40 për qind të buxhetit çështjes së integrimit të të kthyerve në mjediset ku janë kthyer, përmes projekteve të vogla, në mënyrë që të kthyerit të mund të sigurojnë ekzistencën përmes punës së tyre. Në anën tjetër, përfaqësuesi i komisariatit për të shpërngulur i Republikës së Serbisë, Zoran Vukosavleviq, tha për radion Evropa e Lirë, se vetëm në pjesën veriore të Mitrovicës janë strehuar më shumë se 7 mijë persona, të zhvendosur nga vendbanime të tjera të Kosovës. Mirëpo, ai thotë se në gjendje më të keqe janë refugjatët nga Kroacia, të strehuar në një shkollë të vjetër në Mitrovicë. “Kjo është një shkollë e vjetër, paksa e adaptuar, ku rrinë refugjatët nga Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina, tash e 12 vjet, dhe jetojnë në kushte të rënda”, ka pohuar Vukosavleviq. Pas ofensivës kroate të vitit 1995, rreth 11 mijë serbë nga Kroacia gjetën strehim në pesë qendra kolektive në Mitrovicë, ku tash, pas 12 vjetësh, janë vetëm 60 prej tyre. Njëra nga refugjatet, e cila tash e 12 vjet jeton në objektin e shkollës, është Milka Kuzmanoviq. “Kushtet i kemi gjithnjë e më të vështira. Askush nuk na viziton, për askënd nuk jemi interesantë dhe të gjithë na anashkalojnë”, shprehet Milka. Ndërkaq, Jovanka Stançeviq thotë se më së vështiri e përjetojnë moskujdesin e shoqërisë ndaj tyre. “A thua Beogradi është kaq i pafuqishëm, sa të mos ketë para për ne? Nëse është kështu, le të na thonë hapur se këtu nuk ka vend për ne dhe t’i drejtohemi dikujt tjetër”, tha Jovanka Stançeviq. Sidoqoftë, Qeveria e Kosovës dhe organizatat ndërkombëtare kanë ndihmuar që një pjesë e refugjatëve serbë nga Kroacia të vendosen në disa banesa në Zveçan, ku nuk e kanë të sigurt qëndrimin afatgjatë. Ministri Grbiq thotë se Qeveria po punon për kthimin cilësor. Njëzet projekte në vlerë prej 20 milionë eurosh janë të gatshme për t’u realizuar, por nuk ka investime për këtë, thotë ministri Grbiq, duke vlerësuar se përmes donacioneve mund të sigurohen kushte për kthim, prandaj ndihma e të gjithë faktorëve është e domosdoshme. “Kthimi është një e drejtë themelore e secilit që ka jetuar në Kosovë, që domethënë se secilit i duhet krijuar shansi për t’u kthyer aty ku ka jetuar dhe i duhen krijuar kushtet për të nisur jetë të re”, është shprehur ministri Branislav Grbiq, duke ftuar faktorët që të punojnë për një kthim jo vetëm kuantitativ, por edhe kualitativ. Në Kosovë, deri më tash janë kthyer rreth 17 mijë persona të zhvendosur, 8 mijë e 500 prej të cilëve serbë.
XS
SM
MD
LG