Ndërlidhjet

ZEJNULLAHU: NUK JANË TË LICENCUARA TË GJITHA UNIVERSITETET PRIVATE


Nadie Ahmeti

Universitetet private tashmë kanë shpallur konkursin për vitin akademik 2007/2008. Por, në anën tjetër, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka tërhequr vërejtjen, se jo të gjitha universitet private janë të licencuara nga Ministria e Arsimit, për të gjitha drejtimet që kanë shpallur konkurs. Mimoza Hasani, zëdhënese në këtë ministri, pohon se Ministria e Arsimit do të marrë masa konform Ligjit për Arsimin e Lartë për ato institucione që nuk janë të licencuara, për drejtimet që shpallin vende të lira dhe me papërgjegjësi i reklamojnë ato në mediat kosovare. “Është fjala për institucionet që kanë kërkuar licencë për herë të parë, por edhe për institucionet që kërkojnë zgjerimin e veprimtarisë në drejtime të reja. Ndërkaq, çdo parregullsi në zbatimin e kësaj urdhërese do të konsiderohet shkelje e rëndë e dispozitave ligjore dhe nënligjore, që përcaktojnë në këtë fushë“, është shprehur zonja Hasani. Ramadan Zejnullahu, anëtar i Bordit të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, e cila ka për qëllim monitorimin e gjendjes në Universitetin Publik dhe në universitetet private, pohon se gjendja në universitetet private është në kaos. Ai tha se në Kosovë tashmë veprojnë mbi 20 universitete private dhe, sipas tij, vetëm tre prej tyre janë të licencuar për të gjitha drejtimet nga Ministria e Arsimit. “Unë mendoj se dy apo tre universitete, në përgjithësi, nuk kanë departamente të palicencuara, ndërkaq të tjerat kanë. Edhe pse kanë një licencë, për drejtime të caktuara nuk kanë licencë. Dhe ne ato i shohim çdo ditë në reklama televizive, që kanë përfshirë mediat tona”, ka thënë zoti Zejnullahu. Numri i madh i universiteteve private që, sipas Zejnullahut, është më i larti në rajon, është bërë për shkak se Ministria e Arsimit nuk ka qenë e gatshme të zbatojë në mënyrë të duhur udhëzimin administrativ, i cili përcakton kushtet dhe kriteret që duhet plotësuar një universitet. “Në aspektin kuadrovik, nuk ka shanse të përballohet ky numër, sepse në të gjitha universitetet evropiane, numri i të cilave është i pakët, minimumi i kuadrove është 50 për qind në marrëdhënie pune. Dhe, unë ju garantoj se asnjëri prej universiteteve private këtu, nuk e ka as 5 përqindëshin e mësimdhënësve të kualifikuar”, ka thënë zoti Zejnullahu. Ai shtoi se kandidatët që janë të interesuar të aplikojnë për studime në universitete private, duhet të kenë shumë kujdes, sepse reklamat që bëhen në mediat kosovare, Zejnullahu i quan qesharake. “Unë do t’u sugjeroja studentëve që mos të mashtrohen, sepse ata mund të mashtrohen në një universitet të tillë. Por, ata nuk do të akreditohen dhe diplomat e tyre jo që nuk do të jenë të vlefshme në kuptimin e bartjes së tyre nga Kosova jashtë, për të studiuar, por nuk do të vlejnë as në Kosovë”, ka theksuar zoti Zejnullahu. Ai pohoi se është momenti i fundit, që Qeveria e Kosovës të zbatojë ligjin dhe të fillojë me mbylljen e universiteteve të palicencuara. “Ligji po shkelet nga të gjithë, nga ata që po marrin hapa joligjor dhe ata që nuk e zbatojnë ligjin. Ka edhe konflikte të interesit. Zyrtarë të lartë të procedurave të ndryshme, por edhe tatimore, punojnë në universitete private. Edhe konfliktet e interesit janë një formë e korrupsionit. Për shembull, krijimi i benificioneve të ndryshme, dhënia e magjistraturave, doktoratave dhe gjërave të tjera”, është shprehur zoti Zejnullahu. Ndryshe, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit thonë se kjo ministri nuk e bart përgjegjësinë për mashtrimet që bëhen nga institucionet private të arsimit të lartë.
XS
SM
MD
LG