Ndërlidhjet

NË KOSOVË DO TË MBAHET FESTIVALI BOTËROR I KARIKATURËS


Intervistë me z.Nexhat Krasniqi, organizator i Festivalit Botëror të Karikaturës

RADIO EVROPA E LIRË
Kur pritet të fillojë Festivali Botëror i Karikaturës dhe cila është e veçanta e këtij festivali?

NEXHAT KRASNIQI
Ky festival do të mbahet përsëri në Muzeun e Kosovës, mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Çështjeve Jorezidente e Kosovës. Kemi komplimente dhe mirënjohje nga më të ndryshmet, nga asociacione dhe autorë të njohur botërorë. Ndoshta tema është ‘Lajmi’. Edicioni i dytë i festivalit botëror, që tashmë ka arritur të jetë në mesin e festivaleve më prestigjioze botërore, edhe sivjet do të mbahet në shtator të këtij viti. Tashmë është shpallur konkursi, janë paraparë parakushtet për konkurrim dhe presim që pjesëmarrësit të jenë më masivë se vitin e kaluar.

RADIO EVROPA E LIRË
Ku është karikatura si zhanër? Sa është e zhvilluar në Kosovë?

NEXHAT KRASNIQI
Karikatura fillon diku që në botimet e para të shtojcës së “Rilindjes”, pastaj në mujoren “Thumbi”. Aty edhe kanë defiluar shumë karikaturistë nga më të ndryshmit. Pastaj, në vitet ’80 është iniciuar edhe ‘Salloni i karikaturës’, që është mbajtur në disa edicione deri në vitin 1997. Dhe si rrjedhojë e krejt kësaj është festivali i sivjetmë, Festivali Botëror i Karikaturës.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa kanë karikaturat hapësirë për t’u paraqitur në opinion?

NEXHAT KRASNIQI
Kohëve të fundit, më duket se u është kushtuar më tepër hapësirë. Festivali, vetë mbajtja e festivalit ka ndikuar që të animohet karikatura përgjithësisht në të gjitha hapësirat shqiptare. Më vjen mirë që shoh nëpër të përditshmet tona karikatura, që kanë filluar të zënë vendin e merituar.

RADIO EVROPA E LIRË
Pse në Kosovë nuk ka shpesh karikatura ‘gegë’?

NEXHAT KRASNIQI
Krejt kjo varet prej hapësirës që i është dhënë karikaturës, prej stafit nëpër redaksi dhe se e kanë marrë si diçka sekondare. Megjithatë, karikatura nuk është vetëm një ‘kroki’, një vizatim i thjeshtë, por është diçka tjetër, një vepër në vete, që ngërthen pos idesë, edhe anën artistike grafike.

RADIO EVROPA E LIRË
Karikaturat tjera, për shembull karikatura portret, karikatura editoriale...?

NEXHAT KRASNIQI
Të gjitha këto në vitet ’80 filluan të lulëzojnë në sallonet e para të karikaturës, që u mbajtën dikur në Galerinë e Arteve të Kosovës. Besoj se me mbajtjen e edicionit të dytë të karikaturës, që është edhe intencë e këtij festivali, do të animohet, do të ringjallet edhe karikatura gjithëkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa kanë qasje karikaturistët e Kosovës në arenën ndërkombëtare?

NEXHAT KRASNIQI
Mua më gëzon fakti që kam përcjellë, që në vitet ’80, autorë shqiptarë nëpër manifestime të ndryshme ndërkombëtare të karikaturës, madje edhe janë shpërblyer. Edhe sot kemi autorë që janë prezentë nëpër këto festivale dhe njëherësh edhe ky festival është promovim i të gjithë autorëve shqiptarë.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG