Ndërlidhjet

logo-print

ÇEKU: NË KOSOVË KA KRIZË BESIMI NË PROCES


Zijadin Gashi

Kosova është në krizë të besimit, si në procesin e statusit, ashtu edhe në lidershipin e saj dhe në bashkësinë ndërkombëtare, ka pohuar sot kryeministri Agim Çeku. Pas një takimi që kryeministri i Kosovës zhvilloi me të dërguarin e Bashkimit Evropian për statusin e Kosovës, Stephan Lehne, kryeministri Çeku tha se 2 milionë qytetarë të Kosovës kërkojnë qartësi dhe status të zgjidhur në një afat sa më të shpejtë. Ndërkohë që Stephan Lehne e ka rikujtuar kryeministrin e Kosovës, se Bashkimi Evropian do ta mbështeste një zgjidhje të shpejtë mbi bazën e pakos së Ahtisaarit, por, shtoi ai, Kosova nuk e ka mbështetjen e nevojshme në Këshillin e Sigurimit, për shkak të kundërshtimit të Rusisë, prandaj edhe po kërkohen zgjidhje që mund të zgjasin. Mirëpo, kryeministri Çeku tha se te kosovarët tashmë ka një mosbesim në këtë proces dhe kërkoi që të lëvizet më shpejt. “Ne, sot në Kosovë, besoj se e kemi një krizë të besimit të përgjithshëm si në proces, ashtu edhe në lidershipin vendor dhe në bashkësinë ndërkombëtare. Prandaj, është e nevojshme një lëvizje e shpejtë”, është shprehur kryeministri Çeku. Në anën tjetër, Stephan Lehne tha se BE-ja mbështet zgjidhjen e statusit përmes Këshillit të Sigurimit. Kosova është një rast i veçantë që nuk mund të jetë precedent për asnjë rast tjetër në botë, kurse zgjidhja duhet të ketë si bazë pakon e Ahtisaarit, tha ai. Por, pavarësisht urgjencës së potencuar nga kryeministri i Kosovës, që të lëvizet më shpejt përpara, Lehne tha se rezoluta ende nuk e ka mbështetjen ruse dhe si e tillë nuk mund të dalë në votim në Këshillin e Sigurimit. “Përkrahja për propozimin e Ahtisaarit po shtohet dhe po bëhet më e madhe, por ende nuk ka një përkrahje të domosdoshme për këtë propozim në Këshillin e Sigurimit”, ka thënë Lehne. Kjo, shtoi ai, tregon se duhet të bëhen të gjitha përpjekjet që kjo përkrahje të sigurohet edhe në Këshillin e Sigurimit. Në anën tjetër, kryeministri Çeku tha se kosovarët duan qartësi dhe nuk mund të mbeten peng i vullnetit të Rusisë për statusin e Kosovës. Ai kërkoi nga BE-ja që të marrë rolin e vet dhe të tregohet unike në këtë proces, ngjashëm siç kanë vepruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Ne nuk guxojmë të lejojmë, as ne dhe as Evropa e SHBA-të nuk guxojmë të lejojmë, që ne të mbetemi peng i vullnetit të mirë apo jo të mirë të Rusisë. Dy milionë njerëz kërkojnë qartësi, dy milionë njerëz kërkojnë shtet, dy milionë njerëz kërkojnë identitet dhje kjo nuk bën të mbetet peng i vullnetit të mirë apo jo të dikujt”, ka theksuar Çeku. Ndërkohë, si kryeministri i Kosovës, ashtu edhe përfaqësuesi i BE-së thanë se janë të njoftuar fare pak me përmbajtjen e rezolutës së re, e cila do të krijonte bazën e vendosjes së misionit të BE-së në Kosovë, por edhe shtyrjen e statusit të Kosovës për 4 muaj. Kryeministri Çeku tha se qëndrimi i tij është që Kosova i ka përfunduar negociatat dhe nuk do të bisedojë më me Beogradin, as për pakon e Ahtisaarit dhe as për statusin e saj. “Unë nuk e kam parë një tekst të tillë. Dhe përderisa nuk e kam parë, nuk mund ta komentoj. Por, ne i kemi përfunduar bisedimet sa i përket statusit të Kosovës, sa i përket pakos së Ahtisaarit. Ne nuk kemi çka të bisedojmë për statusin, ajo është pavarësia dhe është e panegociueshme”, ka pohuar Çeku. Sidoqoftë, ai tha se Ekipi i Unitetit do të jetë ai organ, i cili do të dalë me qëndrimin zyrtar të Kosovës karshi këtij vendimi eventual në Këshillin e Sigurimit. Kurse Stephan Lehne tha se Bashkimi Evropian do t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë që rezoluta të miratohet, e me këtë edhe të fillojë të vendoset misioni i ri civil ndërkombëtar në Kosovë. Pakoja e Ahtisaarit, sipas tij, tani ka një mbështetje shumë më të gjerë në botë, sesa para tre muajve. Por, Lehne pranoi se procesi ka komplikime dhe ato duhet tejkaluar përmes bisedimeve në nivele të ndryshme ndërkombëtare. Stephan Lehne ka filluar sot vizitën e tij në Kosovë, ndërkaq nesër ai do të takojë dhe përfaqësuesit tjerë politikë vendorë, si edhe ata ndërkombëtarë në Prishtinë.
XS
SM
MD
LG