Ndërlidhjet

logo-print

KS: PR/REZOLUTA PARASHEH SHTYRJE 4 MUJORE, RUSIA E KUNDËRSHTON


Shtetet e Bashkuara dhe një numër vendesh evropiane kanë paraqitur projekt rezolutën e re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit. Teksti i ri parasheh një periudhë prej katër muajsh ku plaët do të mund të ngociojnë sërish.
Projektrezoluta e re për Kosovën kërkon nga të gjitha palët që të përmbahen nga marrja e vendimeve apo veprimeve të njanshme gjatë kësaj përiudhe. Në fund do të ketë një evaluim të situatës dhe nëse bisedimet nuk sjellin asgjë të re atëherë do zbatohet plani i Ahtisaarit. Në tekst nuk përmendet fjala pavarësi.
Britania dhe Shtetet e Bashkuara kanë përsëritur mbështetjen për pavarësinë.
Përfaqësuesi amerikan në Këshillin e Sigurimit, Alehandro Vulf, pas paraqitjes së projekt rezolutës tha:
"Kishim mundësinë të sqaronim elementët e reja të projekt rezolutës, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të planit të Ahtisaarit dhe atë që pritshmëria në fund të procesit është pavarësia e Kosovës."
Megjithatë teksti i ri i projekt rezolutës nga ambasadori rus në Kombet e Bashkuara është cilësuar si "i papranueshëm".
Vitali Curkin shtoi se është e papranueshme të caktohet një afat i kufizuar për bisedime si dhe fakti se përfundimi i statusit të Kosovës dihet që tani. Curkin ka theksuar se nuk do ketë përfshirje as në nivel ekspertësh për diskutimin e tekstit më të ri të projekt rezolutës për Kosovën.
"Duke pasur parasysh dallimet parimore mes palëve nuk besoj se do ketë përfshirje në diskutime në nivel ekspertësh, pasi duhen tejkaluar së pari dallimet në parime", tha ambasadori rus në Kombet e Bashkuara.
Ndërkaq përfaqësuesi amerikan theksoi se megjithëse Shtetet e Bashkuara ishin kundër vonesave kjo periudhë 4 mujore duhet të përmbushë kërkesat e disa prej vendeve anëtare të Këshillit.
"Shtyrja është formuluar të lejojë vazhdimin e bisedimeve, për të cilat disa anëtarë të Këshillit mendojnë se janë të dobishme. Rezultati i këtij procesi mbetet i njëjtë kështu që besoj se kosovarët do ta kuptojnë përse po ndodh kështu. Në mesin e shumicës besohet se zgjidhja ideale është ajo që vjen përmes marrëveshjes", tha përfaqësuesi amerikan.
Ndërkaq përfaqësuesja britanike Pierce ka ndarë të njëjtin mendim me përfaqësuesin amerikan, se nuk ka rezultat tjetër vec pavarësisë.
"Është korrekte të thuhet se në një mënyrë apo tjetër pavarësia e Kosovës është e paevitueshme. Është më mirë që kjo të realizohet me garancitë e duhura për pakicën serbe dhe pakicat e tjera në Kosovë. Ne besojmë se plani i Ahtisarit e garanton një gjë të tillë", tha diplomatja britanike në Këshillin e Sigurimit.
Ajo përsëriti dhe mbështetjen evropiane për planin e Ahtisaarit.
Duke folur për kohën e mundshme të votimit të kësaj projekt rezolute përfaqësuesi amerikan nuk dha afate kohore, por shprehu besimin se nuk do të marrë shumë kohë.
Zëvendësambasadorja britanike, Karin Pierce theksoi se nëse nuk funksionon partneriteti me Rusinë nuk mund të themi se nuk do shihen rrugët e tjera.

Përgatiti: Ilirjana A. BAJO
XS
SM
MD
LG