Ndërlidhjet

FRAISER:"SHPALLJA E NJËANSHME E PAVARSISË PA GARANCA PËR NJOHJE ËSHTË E DËMSHME"


Sabine FRAISER, Drejtore për Evropën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave

RADIO EVROPA E LIRË
Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane lëshuan në qarkullim në Këshillin e Sigurimit një draft rezolutë, me të cilën kërkohet shtyrje katër mujore e planit për pavarësinë e Kosovës.
A mendoni se bisedimet e reja Prishtinë- Beograd do të rezultonin me ndonjë marrëveshje?

SABINE FRAISER
Kuptohet që bisedimet gjithnjë janë shumë të dobishme, dhe nëse ka ndonjë mënyrë për të gjetur kompromis ndërmjet palës serbe dhe kosovare, atëherë ky do të ishte një hap shumë i mirë. Por po t'i bëhet një vështrim zhvillimit të situatës në muajt dhe vitet e kaluara, duket tejet e vështirë të parafytyrohet se të dy palët mund të arrijnë ndonjë kompromis për statusin.

RADIO EVROPA E LIRË
Presidenti i Shteteve të Bashkuara George Bush tha se Kosova duhet të bëhet e pavarur. A pritni ndonjë ndryshim në qëndrimin e Moskës pas takimit të tij me presidentin rus Vladimir Putin në Maine?

SABINE FRAISER
Është shumë e vështirë të thuhet se çfarë do të ndodhë në takimin e tyre në Maine pas disa javësh. Kuptohet se kur dy liderët do të takohen sy më sy dhe do të ulen bashkë, ata ndoshta do të mund të jenë në gjendje të zhvillojnë një farë kompromisi. Mendoj se nëse këtë e arrijnë, atëherë kjo ndoshta nuk do të jetë vetëm rreth Kosovës apo Ballkanit, por disi do të mund të arrijnë mirëkuptim më të mirë edhe për disa çështje tjera. Siç e dini, marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë janë përkeqësuar dukshëm në muajt e shkuar, kështu që të dyja vendet kanë nevojë që ta vazhdojnë dialogun. Ka shpresë që dy udhëheqësit ta bëjnë këtë në Maine. Shpresoj që kjo do të krijonte një ambient më të mirë për një lloj mirëkuptimi dhe marrëveshjeje se në çfarë mënyre çështja e Kosovës duhet të ecë përpara.

RADIO EVROPA E LIRË
Kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës Carla del Ponte i kërkoi Këshillit të Sigurimit ta shtyjë vendimin për të ardhmen e Kosovës, duke thënë se ky do të ishte pengesë për arrestimin e të akuzuarve për krime lufte.
Çfarë është mendimi juaj për këtë?

SABINE FRAISER
Ndoshta mund të jetë e kuptueshme përse zonja Carla del Ponte bëri një deklaratë të atillë, nga pikëpamja se prioriteti kryesor i saj është që të kapen z. Karaxhiq dhe z. Mlladiq dhe të dërgohen në Hagë. Megjithatë, statusi i Kosovës dhe arrestimi i këtyre kriminelëve të luftës janë dy çështje të ndara. Mendoj se është për keqardhje ndërlidhja që e bëri del Ponte, duke bërë thirrje që të shtyhet rezoluta për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Kjo nuk e ndihmon shumë çështjen e Kosovës, dhe në fakt nuk mendoj se do të ndihmojë gjetjen dhe arrestimin e zotërinjve Mlladiq dhe Karaxhiq.

RADIO EVROPA E LIRË
Shumë analistë nuk e përjashtojnë mundësinë e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës.Sa është realist një opcion i tillë dhe a bart me vete rreziqe për ndarjen e Kosovës?

SABINE FRAISER
Mendoj se çështja nuk ka të bëjë shumë me pyetjen nëse Prishtina do të shpallë apo jo pavarësinë në mënyrë të njëanshme. Kjo është diçka që autoritetet në Prishtinë mund të vendosin ta bëjnë në javët e ardhshme, mund të vendosin ta bëjnë më vonë në vjeshtë apo ndoshte edhe më pas. Mendoj se çështja kryesore këtu qëndron në pyetjen se kush në fakt do ta njohë këtë deklaratë të pavarësisë. Shtetet e Bashkuara kanë sinjalizuar se mund të jenë të interesuara ta njohin pavarësinë e Kosovës, por pyetja kryesore mbetet se çfarë do të bëjnë shtetet tjera, sidomos çfarë do të bëjnë vendet e Bashkimit Evropian? Këtë e them sepse shpallja e pavarësisë pa u njohur ndërkombëtarisht sjell dobi të kufizuara. Ajo që është me rëndësi është se nëqoftëse Kosova e bën këtë, duhet të ketë mbështetjen e shteteve tjera, të cilat duhet ta njohin atë. Për këtë mendoj se Kosova duhet të punojë më shumë dhe kësaj t'i kushtojë më shumë kohë, për t'u siguruar se do të njihet, jo vetëm nga Shtetet e Bashkuara, por edhe nga vendet tjera.

Intervistoi: Vullnet POSHKA
XS
SM
MD
LG