Ndërlidhjet

SIMBOLET E KOSOVËS MIRATOHEN PAS DEFINIMIT TË STATUSIT


Zijadin Gashi

Kuvendi i Kosovës ka refuzuar të shqyrtojë kërkesën e Grupit Parlamentar për Integrim, sipas së cilës, kërkohej që legjislativi kosovar ta zhveshë nga kompetencat Ekipin e Unitetit. Grupi Parlamentar për Integrim ia ka paraqitur këtë kërkesë Kuvendit, duke vlerësuar se Ekipi i Unitetit është shndërruar në një institucion paralel me Kuvendin, meqë ka marrë kompetencat për hartimin e Kushtetutës, organizimin e zgjedhjeve dhe caktimin e simboleve shtetërore. Deputeti Ferid Agani, nga Grupi Parlamentar për Integrim, tha se Kuvendi nuk mund të pajtohet për paraskenat politike, duke u ndalur sidomos në shpalljen e konkursit për simbolet, çka, sipas tij, ishte anashkalim i Kuvendit. “Kuvendi i Kosovës e ka lëshuar rastin që të vihet në ballë të përpjekjeve shtet-formuese të Kosovës dhe, në njëfarë mënyre, e ka lënë vetën në bisht të këtyre zhvillimeve. Kam frikë se ne do të zvarritemi pas ngjarjeve, gjithmonë të vonuar në reagimet tona me kohë”, është shprehur Agani. Anashkalimi i Kuvendit për çështjet e rëndësishme krijon përshtypjen se Kuvendi nuk është institucion, ku mund të ndërtohet konsensusi politik, tha Agani. Ndërkohë, kryetari i Komisionit Kushtetues dhe i grupit për hartimin e simboleve, Hajredin Kuçi, tha se konkursi për simbolet pritet të mbyllet nesër dhe më pas fillon faza e përzgjedhjes së këtyre simboleve, sipas procedurave të parapara. Ai tha se Kuvendi do të jetë institucioni, i cili në fund do t’i miratojë simbolet e Kosovës dhe jo Ekipi i Unitetit. “Procedura e mëtejme parasheh që grupi për simbolet të tentojë të vlerësojë propozimet në përputhje me kriteret, pastaj t’i dërgojë te Ekipi i Unitetit, i cili së bashku me një juri, ku do të jetë dhe Kryesia e Kuvendit dhe shefat e grupeve parlamentare, si dhe njerëz nga bota akademike, do t’i përzgjedhin tre propozime dhe do t’i dërgojnë në Kuvend për miratim, me dy të tretat e Kuvendit të Kosovës”, ka sqaruar Kuçi. Ai ka pohuar në vazhdim, se këto simbole do të miratohen vetëm pasi që të jetë definuar statusi i Kosovës dhe pasi që të ketë hyrë në fuqi pakoja e Ahtisaarit. “Miratimi i simboleve duhet të bëhet pas definimit të statusit final të Kosovës. Kundërvlera e këtyre simboleve do të jetë shteti i Kosovës. E kundërta e saj, mendoj se simbolet e reja nuk kanë kuptim”, ka thënë Kuçi. Pakoja e Ahtisaarit ka qenë bazë e hartimit të kritereve për simbolet shtetërore të Kosovës. Kjo pako parasheh simbole që pasqyrojnë tërësinë e Kosovës dhe shumetnicitetin e saj, duke i përjashtuar kriteret kombëtare të shumicës. Në rast se procesi i vendimmarrjes për statusin e Kosovës sjell opsione e zgjidhje tjera, krahasuar me propozimin e Ahtisaarit, simbolet e propozuara gjatë këtyre dy javëve të fundit nuk do të mund të kalojnë në Kuvend për miratim, pasi që në atë rast do të kërkoheshin kritere tjera për simbolet e Kosovës.
XS
SM
MD
LG