Ndërlidhjet

MUNDËSITË LIGJORE PËR ELIMINIMIN E PUNËS SË FËMIJËVE


Nadie Ahmeti

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është zotuar, sot, se do të eliminojë punën e fëmijëve, duke identifikuar fillimisht punët e rrezikshme, në të cilat janë të angazhuar fëmijët. Në një projektligj të kësaj ministrie, të publikuar sot, punë të rrezikshme konsiderohen punët që për nga natyra apo rrethanat, fëmijët mund të pësojnë dëmtime në shëndet, siguri, arsim dhe moral. Kategoria e punëve të rrezikshme, që sipas statistikave është më e përhapura në mesin e fëmijëve në Kosovë, është puna në rrugë, thotë Mustafë Gara, nga Instituti për Politikë Sociale, duke shtuar se në të shumtën e rasteve fëmijët janë të fokusuar në shitjen e cigareve, mbledhjen e mbeturinave dhe bartjen e mallrave me karrocë nëpër tregje. “Fëmijëve duhet t’u dalim në shërbim. Duhet t’u dalim në ndihmë, sepse vërtet janë në një pozitë të rëndë”, thotë zoti Gara. Ibrahim Selmanaj, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, ndërkaq shpreson se me dokumentin e publikuar sot, është ofruar edhe mundësia ligjore për të eliminuar punësimin e fëmijëve. Sipas këtij dokumenti, zoti Selmanaj tha se do të merren masa ndëshkuese për të gjithë personat që angazhojnë fëmijët në punë të rënda. “Do të merren masa, do të ndëshkohen prindërit, punëdhënësit, të cilët i fusin fëmijët në punë të rënda për interesa të veta. Dhe, atëherë do të jenë masa ligjore dhe nuk do të jenë të lehta”, theksoi zoti Selmanaj. Dardan Makolli, përfaqësues i Parlamentit të Kosovës për të Drejtat e Fëmijëve, thotë se numri i fëmijëve që punojnë punë të rrezikshme është shumë i madh. E vetmja rrugëdalje nga kjo gjendje, sipas tij, është miratimi i një ligji, që do e bënte të paligjshme që një fëmijë të punojë. “Detyra jonë, si komunitet, është që të hartojmë një ligj kundër punës së fëmijëve, i cili do të miratohet në Parlamentin e Kosovës, në vitin 2008. Me miratimin e këtij ligji ndoshta nuk do të kompletohet infrastruktura ligjore, por do të kemi baza, ku do të mund të mbështetemi për parandalimin dhe eliminimin e punës së këtyre fëmijëve”, pohoi zoti Makolli. Ndryshe, Ibrahim Selmanaj thotë se Ministria e Punës, vitin e ardhshëm, do të kërkojë nga buxheti i Kosovës ndarjen e një shume financiare për të larguar fëmijët që punojnë në rrugë dhe që ata të ndihmohen me mjete financiare, por në nivel simbolik. “Për vitin 2008, do të propozojmë një linjë buxhetore, por sa do të jetë përkrahja e Ministrisë së Financave, por edhe vetë gjendja buxhetore në Kosovë, konsideroj se nuk do të jetë një shumë e pallogaritshme. Është një problem tjetër, se ne ende nuk e dimë se sa është numri i fëmijëve që punojnë”, u shpreh ministri Selmanaj. Ndryshe, Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, së bashku me Shërbimin Policor të Kosovës, edhe vitin e kaluar kanë bërë përpjekje për të larguar fëmijët që punojnë në rrugë, përfshirë këtu edhe ata që kërkojnë lëmoshë, por beteja e tyre në këtë drejtim nuk ka pasur sukses.



XS
SM
MD
LG