Ndërlidhjet

MALOKU:"NËSE NUK ZGJIDHET STATUSI, VJESHTA MUND TË SJELLË KRIZË POLITIKE NË KOSOVË"


Naim MALOKU, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Maloku, si e komentoni projekt-rezolutën që Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane e kanë paraqitur në Këshillin e Sigurimit, me të cilën parashihen negociata shtesë në një periudhë katërmujore?

NAIM MALOKU
Kjo është një përpjekje për t’i ikur ose për të eliminuar veton ruse, të mundshme në një rezolutë për Kosovën në Këshillin e Sigurimit. Pra, është një lëshim që i bëhet Rusisë për të mos përdorur veton. E mira e kësaj rezolute është se praktikisht aty thuhet, se nëse brenda katër muajve nuk ka rezultate, atëherë praktikisht pakoja e Ahtisaarit, pa votim në Këshillin e Sigurimit, hyn në fuqi. Pra, në njëfarë forme, me këtë rezolutë, Kosova e ka të garantuar pakon e Ahtisaarit dhe pavarësinë. Mirëpo, fatkeqësisht ‘Jo’-ja ruse ishte edhe në këtë rezolutë. Ne presim tani, sipas të gjitha gjasave, që ajo rezolutë të vijë më datë 28 në Këshillin e Sigurimit. Dhe, mendoj se ky afat prej katër muajve duhet të kuptohet nga ne dhe nga qytetarët e Kosovës si një sakrificë shtesë, që duhet ta bëjmë për ta fituar shtetin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju thatë, se kjo projekt-rezolutë në fund të fundit me automatizëm do të bënte që të zbatohet pakoja e Ahtisaarit, megjithatë, me këtë rezolutë parashihen negociata shtesë mes Prishtinës e Beogradit. Si e komentoni ju këtë çështje?

NAIM MALOKU
Bisedimet me Beogradin janë të pakuptimta, për faktin se pozicionet e palës serbe dhe të Kosovës janë larg, janë diametralisht shumë të kundërta dhe është vështirë të gjendet një mes, ku do të pajtoheshin të dyja palët. Pra, edhe propozuesit e rezolutës që kanë paraparë bisedime shtesë, e kanë ditur këtë dhe kanë qenë të bindur se nuk ka vend për bisedime rreth statusit. Mund të ndodhë të ketë bisedime për çështje, për të cilat ne do të bisedojmë si shtete. Kemi shumë çështje të hapura me Serbinë, ne jemi fqinjë dhe do të bisedojmë gjithmonë me Serbinë si shtete.

RADIO EVROPA E LIRË
Sido që të jetë, e përmendet edhe ju, që edhe për këtë projekt-rezolutë ka qenë një ‘Jo’ e Rusisë. Si i parashihni ju zhvillimet e mëtejme? A do të ketë shtyrje të mëtejme, nëse ka kundërshtim rus?

NAIM MALOKU
Pozicioni amerikan është shumë i qartë. Deklarata e presidentit Bush në Tiranë dhe e përfaqësuesve amerikanë që kanë ardhur pastaj në vizitë në Kosovë, Wisner dhe të tjerët, na kanë bërë të qartë pozicionin amerikan: ‘Ne do të negociojmë me Rusinë, por një ditë do të themi mjaft më dhe Kosova është e pavarur’. Përpjekjet e SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian janë që pavarësia e Kosovës të arrihet me rezolutë në Këshillin e Sigurimit, sepse është më lehtë, është më lehtë edhe për ne, është avantazh për Kosovën. Kosova fiton shumë po të bëhet shtet me rezolutë në Këshillin e Sigurimit dhe së paku me abstenimin rus. Dhe, si sakrificë për atë fitore të madhe të Kosovës janë të gjitha këto. Por, plani ‘B’ është ai që është proklamuar nga qëndrimi amerikan, edhe SHBA-të dhe BE-ja, që të ndërmerren hapa ndoshta më radikalë në pranimin unilateral të pavarësisë së Kosovës. Pastaj, do të jetë një rrugë pak më e vështirë për shtetin e Kosovës, sepse integrimi në BE është i kushtëzuar me raportet me fqinjët. Dhe unë mendoj, se krejt këto përpjekje janë për të mirë të Kosovës, nuk janë për dëm të Kosovës, pavarësisht se kjo shtyrje po e dëmton Kosovën, po e dëmton në planin ekonomik, po e dëmton në ngritjen e tensioneve në Kosovë, në shqetësimet e qytetarëve, institucioneve të Kosovës. Kuvendi i Kosovës e përfundon mandatin në vjeshtën e këtij viti, nuk dihet se si pastaj të veprohet, pra është vetëm kompetencë e PSSP-së dhe e Ban Ki-moon për të vazhduar mandatin dhe shumë çështje që duan zgjidhje. Vjeshta e këtij viti sjell shumë probleme në Kosovë, prej skadimit të mandatit të Kuvendit të Kosovës dhe së bashku me të edhe të Qeverisë. Duhet të ndërmerret diçka deri te problemet ekonomike, që janë grumbulluar edhe për shkak të kësaj zvarritjeje të statusit.

RADIO EVROPA E LIRË
Përveç kësaj, javë më parë, keni thënë se shtyrja apo zvarritja e statusit të Kosovës mund të prodhojë krizë në aspektin e sigurisë. Përmendet edhe tashti, që mund të shkaktojë probleme, të ngritë tensionet... Sa është në fakt real rreziku i një eskalimi të situatës së sigurisë në Kosovë?

NAIM MALOKU
Zvarritja e definimit të statusit prodhon kushte dhe rrethana për të dalë formacione ilegale ose gjysëmilegale, ushtarake, shqiptare në Kosovë. Unë po e them këtë, më publikisht, por rrethanat krijohen thjesht se një segment që është radikal brenda vetë shqiptarëve, mund të eskalojë edhe në një vetorganizim dhe pastaj të shkaktojë probleme afatgjate për sigurinë jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka indikacione se do të ketë lëvizje radikale?

NAIM MALOKU
Indikacionet janë. Vetë fakti i paralajmërimit të demonstratave më 30 qershor është një segment, “Vetëvendosja” është një prej segmenteve. Por, mund të zgjohen edhe elemente të tjera të Kosovës, të humbin durimin, edhe pse unë i ftoj qytetarët e Kosovës në durim dhe në përgjegjësi, mirëpo këto janë vetëm mënyra deklarative të prononcimit të faktorëve politikë kosovarë. Ne po ta humbim legjitimitetin në vjeshtë si institucione të Kosovës, neve pastaj do të na humbë edhe pesha e deklarimeve tona politike.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka rrezik për anarki?

NAIM MALOKU
Tetori, vjeshta mund të prodhojë anarki, nëse tani nuk ndërmerren hapa edhe sa i përket legjitimitetit të institucioneve të Kosovës. Unë jam vetë pjesë e këtyre, por është zbehur legjitimiteti, për shkak të këtyre shtyrjeve, për shkak të këtyre paralajmërimeve, ‘bëhet këtë muaj, bëhet muajin tjetër’. Te një pjesë e qytetarëve të Kosovës mund të humbasë durimi dhe pastaj vjen deri te paraqitja e fenomeneve, që mund të shkaktojnë krizë në Kosovë. Dhe, në tetor ne e kemi Kuvendin jolegjitim, nëse nuk ndërmerren hapa konkretë, nëse nuk qartësohet statusi i Kosovës dhe nëse nuk qartësohen shumë gjëra rreth Kosovës. Duhet qartë të definohen dhe të caktohet data e zgjedhjeve, vetëm në atë mënyrë ne mund t’i mbajmë këto institucione legjitime.

INTERVISTOI: Albana ISUFI
XS
SM
MD
LG