Ndërlidhjet

logo-print

SI DO TË DUKEN PASAPORTAT E KOSOVËS?


Arton Konushevci

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për nxjerrjen e dokumenteve të përkohshme të udhëtimit, por pa miratimin e një rezolute të re nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara për Kosovën dhe pa nxjerrjen e simboleve të Kosovës, këto dokumente nuk do të mund të lëshohen. Kështu ka deklaruar Bajram Mjeku, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke thënë se pasaporta e re e Kosovës do t’i ngjajë pasaportave të tjera të Bashkimit Evropian. “Projektligji i dokumenteve të udhëtimit përcakton llojet e dokumenteve të udhëtimit, kohëzgjatjen e tyre, mënyren se si do të lëshohen dhe merren pasaportat, përfshirë këtu edhe gjobat në rast të keqpërdorimit të tyre. Me qëllim që qytetarët e Kosovës të mos e vuajnë mungesën e dokumenteve të udhëtimit, Ministria e Punëve të Brendshme i ka kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe është e gatshme për fillimin e prodhimit të dokumenteve”, është shprehur Mjeku. Ai ka nënvizuar, se ministria do t’i përfillë të gjitha procedurat e nevojshme për fillimin e prodhimit të dokumenteve të udhëtimit. “Fillimisht duhet një vendim i institucioneve për simbolet dhe tek pas kësaj, ne mund të fillojmë me prodhimin dhe ndërrimin e dokumenteve aktuale. Jemi në pritje të këtij vendimi dhe nuk mund të fillojmë procedurën pa u definuar statusi i Kosovës”, ka thënë Mjeku. Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Demokratike në Kuvendin e Kosovës, Ramë Buja, ka thënë se projektligji që është votuar me shumicë votash në Kuvendin e Kosovës, parasheh që në pasaportat e reja të qytetarëve të Kosovës të futet shenja e identifikimit të, siç ka thënë ai, shtetit të Kosovës. Por, për ta arritur këtë synim, zoti Buja tha se projektligji duhet të rikthehet në Kuvend, për të plotësuar disa nga zbrazësirat që kanë mbetur, për shkak të mungesës së simboleve. “Kemi qenë insistues dhe vazhdojmë të jemi, që dokumente të përkohshme të mos bëjmë më. Dhe ky ligj po kështu definon dokumentet e përhershme, t’i quaj kështu kushtimisht, të shtetit të Kosovës, që do të jenë me shenja, me emblema dhe me ato gjërat tjera. E më të mos bëjmë eksperimente dhe për këtë është aprovuar ligji”, ka thënë Buja. Sidoqoftë, konkursi për përzgjedhjen e simboleve shtetërore të Kosovës përfundon më 27 qershor. Pas kësaj date, Kosova pritet të ketë flamur dhe stemë identifikimi, por dokumentet e udhëtimit, qofshin ato të përkohshme apo jo, duhet të presin edhe rezolutën e Këshillit të Sigurimit. Deri atëherë, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë nëpërmjet dokumentit të lëshuar nga administrata e Kombeve të Bashkuara.
XS
SM
MD
LG