Ndërlidhjet

ZAGREB


Presidenti i Kroacisë Stipe Mesiq e hapi në Zagreb Samitin Energjetik të Evropës Juglindore, duke theksuar se bashkëpunimi në fushën e energjetikës është me rëndësi të madhe për zhvillimin e vendeve të rajonit.
Në samit marrin pjesë edhe presidentët e Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Bullgarisë, Greqisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Rumunisë dhe Sllovenisë.
Presidenti Alfred Moisiu shfaqi shpresën se Bashkimi Evropian do të marrë pjesë me investime në disa projekte, siç janë ndërtimi i largpërçuesit të energjisë elektrike në Mal të Zi, përforcimi i largpërçuesve drejt Kosovës, Maqedonisë dhe Bullgarisë.
Mysafir i samitit është presidenti Vladimir Putin, i cili pritet t'i japë shtysë pranisë të Rusisë në Ballkan si furnizues kryesore me energji.
"Shtetet e Ballkanit janë gjithnjë e më shumë të përfshira në integrimet evropiane, ndërsa ne jemi të gatshëm që marrëdhëniet tona me këto vende t'i ndërtojmë përmes projekteve të BE-së", tha Putin, i cili do të takohet me presidentin serb Boris Tadiq, me të cilin do të diskutojë mbi statusin e Kosovës.
Putin do të takohet edhe me presidentët e Malit të Zi, Bosnjes, Maqedonisë, Bullgarisë dhe Kroacisë, si dhe me ministrat për Zhvillim të Sllovenisë dhe Greqisë.
"Kontaktet me liderët e vendeve fqinje me Kosovën do të mundësojnë një analizë më të thellë të zhvillimeve dhe vlerësime të reja të situatës", tha këshilltari i presidentit rus, Sergei Prihodko.
Lidhur me veton eventuale të Rusisë në Këshillin e Sigurimit, Prihodko tha se Rusia do t'i mbështesë vetëm zgjidhjet që do të marrin pëlqimin e Serbisë.
Agjencitë serbe të lajmeve njoftuan se protokolli i presidentit rus i ka anuluar takimet me presidentët e Rumunisë dhe Shqipërisë, Trajan Basescu dhe Alfred Moisiu.
XS
SM
MD
LG