Ndërlidhjet

LIMAJ: ”KUNDËRSHTARËT E PAVARËSISË SYNOJNË DESTABILIZIMIN E KOSOVËS”


Fatmir LIMAJ, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Limaj, si i shihni zhvillimet lidhur me rezolutën e re në Këshillin e Sigurimit dhe kundërshtimet e vazhdueshme të Rusisë?

FATMIR LIMAJ
Mendoj se kjo është edhe një përpjekje e miqve të pavarësisë së Kosovës dhe përkrahësve të projektit të Ahtisaarit, SHBA-ve dhe BE-së, që po i ushtrojnë të gjitha mundësitë diplomatike, që rezoluta të kalojë në Këshillin e Sigurimit, që të mos ketë më dështime dhe që në bord të jetë edhe Rusia. Mendoj që ky është një veprim i domosdoshëm, një veprim që të gjithë duhet kuptuar, sepse është në të mirë jo vetëm të Kosovës, por edhe të vetë politikës ndërkombëtare, që të gjithë akterët të pajtohen rreth statusit të Kosovës. Fatkeqësisht, Rusia ende vazhdon të jetë në qëndrimet e vjetra dhe kjo nënkupton që ngadalë po shteren mundësitë diplomatike, që të shfrytëzohen të gjitha kanalet për ta pasur Rusinë me vete në këtë vendim.

RADIO EVROPA E LIRË
Është paralajmëruar edhe mundësia e fillimit të një raundi të ri negociatash. Për çfarë mund të negociohet tani, kur dihet se pakoja e Ahtisaarit tashmë është miratuar nga institucionet e Kosovës, nga Parlamenti i Kosovës?

FATMIR LIMAJ
Për mendimin tim, pikërisht kjo është pyetja, që vështirë mund t’i gjendet një përgjigje e logjikshme, e arsyeshme, një përgjigje që shkon në funksion të gjetjes së ndonjë zgjidhjeje. Ne e kemi një dokument ndërkombëtar, dokumentin e zotit Ahtisaari, i cili ka qenë i mandatuar nga OKB-ja, pastaj i përcjellë vazhdimisht nga Grupi i Kontaktit, me pjesëmarrje dhe të Bashkimit Evropian, të të gjitha palëve të interesuara, me pjesëmarrjen edhe të dy palëve tona. Nga këto bisedime, ka dalë ky rezultat, dokumenti i Ahtisaarit, do me thënë nuk është një dokument privat. Për mendimin tim, për të gjithë është e qartë që shqiptarët dhe serbët nuk mund të merren vesh dhe nuk do të mund të gjejnë një konsensus të përbashkët për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Serbia, qysh në kohën e bisedimeve e ka futur Kushtetutën, e cila paraprakisht e ka prejudikuar statusin e Kosovës. Me Kushtetutën e re të Serbisë, Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë dhe kjo apriori ta heq çdo mundësi për të hapur negociata të reja. Prandaj, nëse dikush do të dalë të na japë një arsye, se pse duhet të negociohet, ai duhet të na japë argumente pse duhet, me kë të negociojmë tani. Nëse kemi negociuar me OKB-në, me Grupin e Kontaktit, tash me kë? Kush do të jenë akterët e negociatave? Cila do të jetë ajo pala e tretë ndërkombëtare, që do të përfaqësojë palën ndërkombëtare dhe kush garanton që ajo palë ndërkombëtare nesër nuk do të bëhet sikur dokumenti i Ahtisaarit?!

RADIO EVROPA E LIRË
Është përmendur në disa raste se Prishtina nuk mund të presë pa kufi miratimin e kësaj rezolute. Andaj, cilët do të jenë hapat e ardhshëm të Prishtinës? Shpallja e pavarësisë së Kosovës në Kuvendin e Kosovës dhe si do të bëhet kjo?

FATMIR LIMAJ
Unë sinqerisht kam filluar të dyshoj se dikush qëllimisht, duke ditur se do të jetë fundi i së ardhmes së Kosovës dhe duke ditur se nuk mund ta ndalë këtë fund, do me thënë Kosovën si shtet të pavarur, dëshiron që nga kjo shtyrje të krijojë një lloj destabiliteti dhe të prishet procesi. Jam i bindur që komuniteti ndërkombëtar, në këtë rast SHBA-të dhe BE-ja, do ta kenë këtë gjë parasysh, sepse strategjia dhe qëllimi i atyre, kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës, më nuk është. Nuk janë te interesuar për të gjetur zgjidhje, por për ta shtyrë këtë në pafundësi, me qëllim që këtu të krijohen parakushte për destabilitet dhe të thuhet ‘ja se çka ndodhi në Kosovë dhe ne duhet të zhvillojmë çdo gjë nga e para’. Prandaj, unë mendoj se është momenti tani, që edhe SHBA-të, edhe BE-ja, dhe të gjitha palët e interesuara për paqe dhe stabilitet këtu dhe përfundim të statusit, duhet t’i japin një rrugëzgjidhje definitive dhe duhet ta bëjnë një ‘dead-line’ apo një linjë të kuqe, që përtej saj më nuk mund të shkohet. Mendoj që tani është koha të bëhet një gjë e tillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa konsideroni se janë reale shqetësimet e paraqitura në rajon, se moskalimi i një vendimi për statusin e Kosovës në Këshillin e Sigurimit mund të rrezikojë pjesën veriore të Kosovës?

FATMIR LIMAJ
Normalisht, pala serbe kalkulon në të gjitha kartat e mundshme. Unë përmenda disa nga ato. Njëra nga ato është edhe çështja e sigurisë, përveç të tjerave. Do me thënë, mundësitë e destabilizimit të Kosovës janë gjithmonë potenciale dhe Serbia gjithmonë ka punuar dhe vazhdon të punojë në atë drejtim; fatkeqësisht ka hapësirë të mjaftueshme për të punuar. Dhe, këtu, mendoj se duhet të jetë fokusi kryesor tani, që të ruajmë sigurinë dhe stabilitetin. Dhe njëkohësisht, faktorët që janë përgjegjës për sigurinë në Kosovë, duhet t’i mbyllin të gjitha mundësitë që Serbia të bëjë diçka këtu. Dhe e dyta, loja në territore, loja për të ndarë territoret është një angazhim i vazhdueshëm i palës serbe. Sa do të jetë e rrezikshme? Padyshim që është e rrezikshme, por ne vazhdojmë të qëndrojmë në atë që ka proklamuar Grupi i Kontaktit, që para fillimit të bisedimeve, që nuk ka ndarje të Kosovës dhe nuk ka bashkim me shtet tjetër. Ne besojmë në komunitetin ndërkombëtar dhe besojmë që Grupi i Kontaktit do t’i përmbahet këtij parimi dhe nuk do të lejojë skenarë të tillë, që do të ishin të rrezikshëm për rajonin.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka tjetër ofertë Prishtina, përveç asaj që është paralajmëruar në decentralizimin dhe ofertën me pakon e Ahtisaarit, lidhur me pakicat dhe veriun e Kosovës?

FATMIR LIMAJ
Oferta jonë, ofertë që është gjetur në dokumentin e Ahtisaarit, normalisht me shumë kompromise shtesë që ka lëshuar zoti Ahtisaari, është ofertë e përmbyllur, përfundimtare, e pranuar nga pala kosovare. Nuk mund të ketë rihapje të ofertave, nuk mund të ketë rihapje të paketës. Kjo është oferta e palës kosovare deri më tani, dhe mendoj se ky është mendim i Grupit të Unitetit dhe i vetë shoqërisë kosovare. Është një dokument zyrtar për ne. Një dokument i votuar në Parlamentin e Kosovës, një dokument i mbështetur nga partitë politike dhe nga pjesa e madhe e popullatës. Të gjithë qytetarët e Kosovës e dinë që ai është dokument kompromisi dhe ne e kemi bërë këtë kompromis në të mirë të paqes, të stabilitetit dhe në të mirë të perspektivës së të gjithë qytetarëve të Kosovës. Shpeshherë, njerëzit, dokumentin e Ahtisaarit e shohin si dokument pro-shqiptar, në këtë rast pro-shumicës së Kosovës. Nëse shikohet brenda në dokument, shihet që shumica në Kosovë ka bërë kompromise të dhimbshme brenda dokumentit, por kjo është bërë për të gjetur zgjidhje të pranueshme për të dyja palët dhe të mbështetur nga komuniteti ndërkombëtar, e cila zgjidhje do të garantonte stabilitet dhe perspektivë të qartë për Kosovën dhe qytetarët e saj.

INTERVISTOI: ZIJADIN GASHI
XS
SM
MD
LG